Rama, avokat 750 euro ora kundër gazetarit të Bildit

Nga Alice Elizabeth Taylor
Rama, avokat 750 euro ora kundër gazetarit të Bildit

Kryeministri Edi Rama njoftoi se ka punësuar avokatin gjerman Matthias Prinz për të paditur gazetarin e gazetës gjermane Bild, Peter Tiede, i cili botoi përgjimet e vjedhjes së zgjedhjeve në 2016 dhe 2017 nga Partia Socialiste.

Gjatë dy javëve të fundit, Tiede botoi disa përgjime të prokurorisë, ku dëgjohet Rama dhe zyrtarë të lartë të Partisë Socialiste dhe të qeverisë, të cilët bashkëpunojnë me kriminelë për të kërcënuar votuesit, për t’i ndaluar ata të votojnë dhe për të blerë vota.

Bisedat zhvilloheshin edhe midis politikanëve dhe anëtarëve të bandave kriminale, ku nënkuptohej se këta të fundit do të merrnin ose kishin marrë favore dhe ndikim politik përkundrejt votave të siguruara.

Kur Bild filloi botimin e përgjimeve, Rama deklaroi se do të merrte masa ligjore kundër gazetarit Tiede. Përveç kësaj, prokuroria në Tiranë hapi një hetim për rrjedhjen e përgjimeve, por jo për përmbajtjen e tyre.

Prokuroria i ka pasur në zotërim përgjimet për gati tre vjet, por i nuk ka hetuar ato dhe nuk ka bërë asnjë arrestim. Përveç kësaj, pavarësisht se Presidenti Meta i anuloi zgjedhjet vendore, Kryeministri Rama nuk e njeh dekretin. Madje, ai ka urdhëruar çdo institucion shtetërorë, edhe të pavarur të mos i njoh ato.

Në një postim në Twitter, Rama deklaroi se ka punësuar avokatin Prinz për “nisjen e procesit gjyqësor mbi publikimet e Bild”. Rama pretendon se gjykatat gjermane do të vendosin “kush ka të drejtë e kush ka faj”, duke shtuar se “shqiptarët meritojnë të dinë të vërtetën”.

Rama e ka pranuar më parë se përgjimet janë të vërteta dhe zëri i tij është i veërtet. Gjithashtu, ai u shpreh se do t’i kishte bërë sërish ato biseda. Në këtë kuptim, është e paqartë se ku do ta bazojë Rama padinë e tij ndaj gazetarit Tiede. Padia për shpifje dhe cenim të figurës kërkon që të jenë bërë deklarata të rreme me qëllim dëmtimin e reputacionit të personit. Në këtë rast, pasi ka konfirmuar se përgjimet janë të vërteta, Rama nuk ka bazë ligjore për padi të këij lloji.

Gazetari Tiede iu përgjigj Ramës, duke e pyetur se për çfarë do ta akuzonte saktësisht, për “botim të përgjimeve të vërteta”?

Në të kaluarën, qeveri të huaja kanë paditur individë në Gjermani, ku bien në sy diktatura e Pinoçetit dhe qeveria turke, të cilët njihen për sulmet e tyre të vazhdueshme ndaj medias së lirë dhe të pavarur.

Lajmi i sotëm vjen vetëm pak ditë pasi Rama u takua me një delegacion të organizatave ndërkombëtare që mbrojnë lirinë e shtypit, të cilat vizituan Shqipërinë për të vlerësuar gjendjen e lirisë së shtypit dhe medias.

Delegacioni vërejti se Shqipëria nuk plotëson një numër detyrimesh ligjore, që rrjedhin nga legjislacioni kombëtar dhe ndërkombëtar për të drejtat e njeriut. Ata vërejtën përkeqësim të lirisë së shtypit dhe shprehën shqetësim për mënyrën se si përdoren ligjet që kriminalizojnë shpifjen, me qëllim frikësimin dhe heshtjen e gazetarëve kritikë.

Gjatë takimit me delegacionin, Rama u angazhua që të mos i thërriste më gazetarët “kazanë”, si dhe që të mos ngrinte padi për shpifje ndaj gazetarëve përveç “rasteve ekstreme”.

Avokati që, sipas fjalës së tij, Rama ka punësuar për të ndërmarrë një padi kundër gazetarit të Bild-it është i specializuar në fushën e ligjeve për reputacionit, shpifjen, mediat dhe argëtimin. Ai ka përfaqësuar korporata të mëdha si Audi, T-Mobile dhe Volskwagen, si dhe Familjen Mbretërore Suedeze, Sulltanin e Bruneit, Princin Albert të Monakos, futbollistin miliarder David Beckham dhe Princeshën Karolinë nga Hanoveri.

Tarifat e këtij avokati fillojnë nga 750 euro në orë dhe është e paqartë se si do t’ia dalë Rama ta paguajë atë, ndërkohë që kryeministri fiton vetëm 1400 euro në muaj, pa taksat.

3 komente

    Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

    Lajme te ngjashme