RENEA bastis Elbasanin, arrestohen Florenc Çapja dhe 9 të tjerë

RENEA bastis Elbasanin, arrestohen Florenc Çapja dhe 9 të tjerë

Një aksioni policor i koduar “Krasta” çoi në orët e para të mëngjesit të së premtes në Elbasan repartin “Renea” dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë. Pasi bastisi një resort dhe dhjetëra banesa, policia deklaroi se arrestoi 10 persona dhe shpalli në kërkim 5 të tjerë. Mes të arrestuarve ishte dhe Florenc Çapja, anëtar i familjes Çapja e njohur kjo në Elbasan për përfshirjen në shumë ngjarje të rënda kriminale.

©tch//Pamje nga aksioni policor i së premtes, 14 qershor 2019, Elbasan.

Zyrtarisht policia nuk i lidhi arrestimet me njëra tjetrën, por tha se përmes këtij aksioni u zbatuan 4 vendime të dhëna së fundmi nga Gjykata e rrethit Gjyqësor Elbasan. Vendimet ishin për çështje të ngritura në vitet 2006, 2012, 2013 dhe 2017, por që gjatë vitit të fundit ishin rihapur për hetim. Sidoqoftë mediat zbuluan më shumë duke e lidhur aksionin e policisë me një përpjekje të autoriteteve për të goditur një nga bandat kriminale më të njohura në Elbasan, përpjekje që ka vite që lajmërohet, por pa sukses.

Për çështjen e vitit 2006, policia tha se bëhej fjalë për vrasjen e mbetur asokohe në tentativë ndaj Fadil Memës. Sipas policisë autor i këtij atentati ka qenë Florenc Çapja, i cili në të shkuarën është akuzuar edhe për vrasjen e Memës – ekzekutuar më 13 mars 2015 në Torino, Itali – dhe Gentian Beqirit. Të dy këta ngarkoheshin nga familja Çapja për vrasjen e Sokol Çapjes – vrarë më 26 dhjetor 2005. Policia e arrestoi Florencin dhe mediat raportuan se shoqëroi edhe të vëllanë Ardian Çapjen, i cili gjithashtu ka precedencë penale.

Për ngjarjen e vitit 2012 policia tha se bëhej fjalë për vrasjen e Nezir dhe Gentian Beqirajt të kryer në vitin 2012. Sipas policisë autorët e kësaj vrasjeje të dyfishtë janë Ervis Bardhi (38 vjeç) dhe Etien Çani (28-vjeç) të cilët janë vënë në kërkim.

©tch//Pamje nga aksioni policor i së premtes, 14 qershor 2019, Elbasan.

Për sa i përket çështjes së vitit 2013, ajo bën fjalë për një pengmarrje e mbyllur me plagosje dhe që ka ndodhur më 19 prill të atij viti në Elbasan. Për këtë ngjarje policia tha se autorë janë dy persona. Mediat zbuluan përmes inicialeve se njëri është Endri Çopja (30 vjeç) i cili ndodhet aktualisht në burg për të tjera akuza dhe tjetri është Marjus Lulaj (31 vjeç), i njohur ndryshe edhe si Suel Çela, i cili është në kërkim edhe për të tjera akuza.

©tch//Pamje nga aksioni policor i së premtes, 14 qershor 2019, Elbasan.

Çështja e vitit 2017 bënte fjalë për korrupsion dhe shpërdorim detyre nga disa zyrtarë të Autoritetit të Medias Audiovizive. Policia nuk dha shumë detaje përveçse inicialet e të akuzuarve, por mediat zbuluan se pas kësaj çështjeje lidhej sërish fisi Çapja. Sipas mediave përgjimet telefonike kishin pikasur marrëdhënie korruptive mes pjesëtarëve të familjes Çapja dhe të paktën 3 zyrtarëve të AMA-s. Kjo marrëdhënie lidhej me ndikimet për të lëshuar licensat e transmetimeve kabllore të një pakete që administrohet nga fisi Çapja në Elbasan.

Të arrestuar: Florenc e Ardian Çapja; B.K (39 vjeç); A.B, (61 vjeç); A.N (67 vjeç); S.M (40 vjeç); I.H (51 vjeç); A.D (34 vjeç); E.T (40 vjeç); H.Gj (40 vjeç).

Të shpallur në kërkim: Marjus Lulaj (31 vjeç, njohur ndryshe edhe si Suel Çela); Ervis Bardhi (38 vjeç); Etien Çani (28 vjeç); Q.H (25 vjeç); Sh.S (38 vjeç).

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme