Partia Socialiste kërkon shkarkimin e presidentit Meta

Partia Socialiste kërkon shkarkimin e presidentit Meta

Kryesia e PS-së vendosi sot t’i kërkojë Parlamentit nisjen e procedurave për shkarkimin e Presidentin Meta.

Në një deklaratë për median pas mbledhjes së kryesisë, Ministrja për Kuvendin, Elisa Spiropali sqaroi se PS do të kërkojë shkarkimin e Presidentit Meta, sepse ai ka shkelur Kushtetutën me dekretin për anulimin e  datës së zgjedhjeve:

“Meta e ka humbur të drejtën për të qenë në atë pozicion dhe parlamenti do të nisë procedurat e shkarkimit. Të enjten në kuvend do të zhvillohet një debat shterues ku do të paraqiten të gjithë argumentet se si Meta ka dhunuar republikën dhe ka shpikur një institucion që nuk ekziston në asnjë kushtetutë, të quajtur çdekretim.”

Pas debatit në kuvend, Zonja Spiropali tha se i takon Kolegjit Zgjedhor dhe KQZ-së të shqyrtojë nëse presidenti ka shkelur kushtetutën apo jo.

“Do t’i takojë Gjykatës Kushtetuese në fund, por kjo nuk na heq në të drejtë për të nisur procedurat për shkarkimin e tij”, deklaroi më tej Zonja Spiropali.

Sipas nenit 90 të Kushtetutës, Presidenti mund të shkarkohet për shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe për kryerjen e një krimi të rëndë. Propozimi për shkarkimin e tij duhet të bëhet nga jo më pak se një e katërta e anëtarëve të Kuvendit dhe duhet të mbështetet nga jo më pak se 93 deputetë. Më pas, vendimi i Kuvendit i dërgohet Gjykatës Kushtetuese, e cila, kur vërteton fajësinë e Presidentit të Republikës, deklaron shkarkimin e tij nga detyra. Aktualisht, Gjykata Kushtetuese ka vetëm një anëtar, nga nëntë në total, dhe është jashtë funksionit.

Ndërkohë për të njëjtën çështje, Kryeministri Rama do të takojë sot ambasadorët e vendeve të BE-së.

1 koment

    Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

    Lajme te ngjashme