Zaev: Kërcënimet e Ramës rrezikojnë hapjen e negociatave për Maqedoninë e Veriut

Zaev: Kërcënimet e Ramës rrezikojnë hapjen e negociatave për Maqedoninë e Veriut

Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev tha dje se kërcënimet e Kryeministrit Edi Rama për ndryshimin e kufijve Kosovë–Serbi ose për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë po rrezikojnë hapjen e negociatave mes Maqedonisë së Veriut dhe BE-së.

Zaevi tha në Bruksel se Gjermania i trembet kërcënimeve të Kryeministrit Rama, ndërsa Holanda dhe Franca kanë edhe më shumë rezerva për hapjen e negociatave me Shqipërinë. Zaevi la të kuptohet se për shkak të kërcënimeve të Ramës, Gjermania po heziton të vendosë për hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut ndërkohë që ato nuk happen me Shqipërinë.

Kryeministri Zaev u shpreh:

“Ata [Gjermania] mendojnë se, nëse i hapin negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe lihet jashtë Shqipëria, do të krijohet problem dhe mund të ndikojë tek Kosova. Gjermanët frikësohen nga kërcënimet e mikut tim Edi Rama për ndryshime të mundshme të kufijve ose bashkimin me Kosovën, por unë nuk besoj në këto punë, pasi kjo do të thotë kthim prapa për 10 vjet për Shqipërinë. Ndërsa një gjë të tillë nuk e dëshiron askush.”

Kryeministri Zaev paralajmëroi edhe se, nëse Këshilli i BE-së nuk i hap negociatat me Maqedoninë e Veriut në qershor, qeveria e tij mund të bjerë.

Më herët, Kryeministri Cipras tha se Greqia do ta trajtojë veçmas hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ai shtoi se vendi i tij nuk do të lejojë që përparimi i Maqedonisë së Veriut drejt BE-së të rrezikohet nga ngecja e Shqipërisë.

Kjo është hera e parë që Kryeministri Zaev foli hapur dhe publikisht për kërcënimet e Kryeministrit Rama përmes retorikës së tij nacionaliste, si dhe për padrejtësinë që integrimi i Maqedonisë së Veriut të kushtëzohet nga këto kërënime.

1 koment

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme