Artistët dhe opozita, marrëveshje për ruajtjen e teatrit dhe reformë në kulturë

Artistët dhe opozita, marrëveshje për ruajtjen e teatrit dhe reformë në kulturë

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit dhe Kryetari i PD-së Lulzim Basha nënshkruan sot marrëveshjen për ruajtjen e Teatrit Kombëtar.

Kreu i PD-së Basha firmosi në emër të opozitës së bashkuar, ndërsa nga AMT-ja firmosën Robert Budina, Kastriot Çipi, Neritan Liçaj, Taulanda Jupi, Mirela Karabina, Elsa Demo dhe përfaqësues të tjerë që prej 18 muajsh po protesojnë në mbrojtje të teatrit.

Me anë të kësaj marrëveshje, Teatri Kombëtar dhe ai Eksperimental, si dhe zona rreth tij, njihet si pjesë e patjetërsueshme e Qendrës Historike të Tiranës. Për këtë arsye Partia Demokratike u zotua që me ardhjen në pushtet, do të t’i rikthejë kompleksit teatror statusin “Ansambër Monument Kulture” dhe të sigurojë ruajtjen e tij.

Po ashtu, PD duhet të shfuqizojë ligjin ‘special’ antikushtetues që parashikon shembjen e godinës së teatrit dhe dhënien e pronës publike kompanive private.

PD, me ardhjen në pushtet, duhet të nisë sa më shpejtë restaurimin e dy teatrove dhe vënien para drejtësisë të gjithë qeveritarëve që ideuan dhe lejuan miratimin e ligjit ‘special’.

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit kërkoi nga opozita dhe nisjen e një reforme të thellë në art dhe kulturë. Për këtë PD, në bashkëpunim me komunitetin e artistëve, duhet të nisë procesin për dhënien e pavarësisë institucioneve kulturore, rritjen e buxhetit për artin e kulturën dhe reformimin e legjislacionit për të garantuar statusin dhe të drejtat e profesionit të artistit.

Përveç Teatrit Kombëtar dhe reformës në kulturë, AMT-ja kërkoi nga opozita dhe zotimin për bërjen e ndryshimeve kushtetuese dhe kodit zgjedhor që janë kërkuar shpesh si nga komuniteti i artistëve që prej 18 muajsh po proteston kundër vjedhjes së pronës publike, ashtu dhe nga qytetarë e aktivistë:

Për këtë, AMT-ja dhe opozita ranë dakord:

  • Të bëjnë ndryshime në sistemin zgjedhor, për t’i dhënë më shumë mundësi qytetarëve të shprehen për përfaqësuesit e tyre;
  • Të bëjnë një reformë kushtetuese që synon rritjen e kontrollit dhe balancës ndërmjet pushteteve, forcimin e llogaridhënies dhe kontrollit ndaj pushtetit;
  • Të hartojnë një reformë ligjore për rritjen e përfshirjes së qytetarëve në vendimmarrjen publike, përmes referendumeve dhe konsultimeve me to;
  • Të marrin masa për t’i kthyer publikut çdo pronë apo pasuri që i është marrë në mënyrë korruptive, për t’iu dhënë privatëve; si dhe të vërë para përgjegjësisë çdo kënd që ka lejuar që kjo të ndodhë.

Nënshkrimi i kësaj marrëveshje vjen një ditë pasi qindra artistë e qytetarë arritën të largonin forcat e shumta të policisë që rrethuan për 15 orë godinën e Teatrit Kombëtar, me qëllim zbrasjen e saj dhe më pas shembjen.

1 koment

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme