Basha: Lufta kundër pastrimit të parave prioritet kombëtar

Basha: Lufta kundër pastrimit të parave prioritet kombëtar

Basha nuk ka dhënë asnjë sqarim për atë që ka biseduar sot me prokurorët belgë, për kapjen e 3.4 milionë eurove të kapura në makinat Toyota Yaris, në portin e Durrësit. Ai tha vetëm se Taulant Balla duhet të ishte sot në burg:

“Dhashë informacione të plota mbi këtë çështje. Edhe më shumë se ajo që kam thënë në publik. Taulant Balla duhet të ishte sot në pranga”.

Zoti Basha në komentin e tij për mediat theksoi luftën kundër pastrimit të parave:

“Pastrimi i parave të drogës dhe krimit është rreziku kryesor që i kanoset sot Shqipërisë. Është rrezik politik, ekonomik, shoqëror dhe për stabilitetin politik të vendit”.

Basha theksoi se të gjitha projektete e qeverisë Rama janë projekte të pastrimit të parave të pista të krimit:

“Edi Rama dhe qeveria e tij janë shërbëtori numër një i pastrimit të parave të pista të krimit. Të gjitha koncesionet, tenderat dhe projektet e qeverisë janë vënë në shërbim të pastrimit të parave të drogës dhe të krimit. Ndërtimi i stadiumit është pastrim parash. Projekti i teatrit është pastrim parash. Projekti i Unazës është pastrim parash.

Ne do ta ndalim. Ne do të ndjekim dhe gjurmojmë çdo qindarkë që Edi Rama dhe kriminelet po mundohen të futin në ekonomi. Çdo koncesion, çdo ndërtim, çdo kontratë do të gjurmohet për çdo qindarke, si për ata që e kanë dhënë edhe ata që e kanë marrë.

Lufta kundër pastrimit të parave do jetë prioritet kombëtar. Do ta ndjekim paranë e pistë, do të vëmë para përgjegjësisë këdo që pastron paratë e krimit”.

Ndërkohë për Kryeministrin Rama, Basha u shpreh se:

“Edi Rama është një hajdut psiqik që ka vetëm një ideal, një aspiratë, një moral: grumbullimin e pasurive dhe parave të shqiptarëve dhe pastrimin e tyre. Për para po grabit dhe shet gjithë Shqipërinë. Për para bën aleancë me krimin dhe me çdo kënd”.

Zoti Basha ishte i pari që denoncoi transportimin e 3.4 milionë eurove nga Belgjika me dy makina Toyota Yaris në Portin e Durrësit. Më 21 qershor, gjatë seacës parlamentare, kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha bëri publik faktin se një automjet i tipit “Toyota Yaris” po vjen nga Gjermania e ngarkuar me 1,5 milionë euro. Zoti Basha akuzoi kreu e grupit parlamentar socialist Taulant Balla se kishte garantuar kalimin e parave të drogës së një prej bandave më aktive të Elbasanit.

Ai gjithmonë ka shprehur gadishmërinë e tij për të ndihmuar ndihmuar hetimet e prokurorisë belge për të zbardhur dosjen e njohur si “Toyota Yaris”.

Si u kapën 3,4 milionë euro në dy makina ‘Toyota Yaris’

Dy makinat u gjetën në një karoatrec në tragetin që vinte nga Bari në Durrës. Së bashku me dy makinat me para, në trailerin që i përkiste një kompania shqiptare transporti, kishte dhe 8 makina të tjera. Itenerari i makinave ka qenë Belgjikë-Gjermani-Itali-Shqipëri.

Menjëherë në vend –ngjarje policia arrestoi pronarin e kompanisë së transportit Edi Lika, Klevis Lika djalin e pronarit të kompanisë, dhe shoferin e kamionit Agim Çeku.

Një ditë më pas, më 25 qershor, policia arrestoi Alban Mollaymerin, biznesmenin që ka porositur makinat nga Belgjika.

Policia shpalli në kërkim dy vëllezërit Elvis dhe Alfred Vladin, që dyshohet se janë personat që do të merrnin paratë. Megjithatë policia nuk ka treguar informacion të plotë rreth rolit konkret të dy vëllezërve Vladi në këtë çështje.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme