Basha: Shqiptarët refuzuan Ramën, kërkojnë ndryshim rrënjësor

Basha: Shqiptarët refuzuan Ramën, kërkojnë ndryshim rrënjësor

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha deklaroi sot se zgjedhjet e 30 qershorit treguan qartë se 85 për qind e shqiptarëve refuzuan kryeministrin Rama dhe duan ndryshim.

Në një konferencë për shtyp Zoti Basha u shpreh:

“85 për qind e shqiptarëve duan ndryshim. Kjo është e vetmja vlerë e asaj që ndodhi dje.

Gjithçka tjetër është farse e paligjshme antikushtetuese dhe një provokim për shqiptarët, të cilët nuk ranë pre e tij.

Votimi i djeshëm nuk e zgjidhi, por e thelloi krizën sepse, edhe më fort, dje u rikonfirmua se shkaktari i saj është Edi Rama dhe se me Edi Ramën nuk ka asnjë shpresë se mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme.”

Duke përmendur dhe gjetjet paraprake të OSBE/ODHIR-it Basha tha se votimet ishin të paligjshme dhe nuk jo në shërbim të qytetarëve, por në shërbim të Ramës dhe PS-së:

“Marrëzia e 30 qershorit tregoi se çfarë është i gatshëm të bëjë Edi Rama për pushtetin e tij. 30 qershori  zbuloi fytyrën e vërtetë të Partisë Socialiste të shkatërruar nga Edi Rama: ajo është parti që tashmë e mbështesin vetëm për para.”

Zoti Basha tha se Kryeministri Rama nuk mund të jetë më pjesë e së ardhmes së vendit:

“Edi Rama duhet refuzuar siç e refuzuat ju. Ai nuk mund të jetë më pjesë e asnjë hapi drejt së ardhmes.

Bashkë me të duhet të largohen dhe të gjithë qeveritarët e korruptuar, të inkriminuar dhe duhet që të gjithë të dalin para drejtësisë.”

Kreu i PD-së tha se ndryshimi që kërkojnë shqiptarët është prioriteti kryesor i opozitës:

“Tani, ndryshimi është prioriteti ynë politik.

Ndryshimi është qëllimi im më i madh. Një ndryshim i thellë politik dhe ekonomik.

Fundi i pandëshkueshmërisë së politikanëve duhet të jetë fillimi i ndryshimit që presim.

Nëse politikanët nuk mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre, nëse politikanët nuk dalin para drejtësisë për korrupsionin dhe krimet e tyre, asnjë ndryshim nuk do të jetë i vërtetë.

Ditën kur politikanët të kenë frikë nga ligji, të kenë frikë nga drejtësia, ajo është dita kur Shqipëria është bërë europiane.”

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme