Basha: Vendimi i gjykatës së Durrësit tregon drejtësinë private të Ramës

Basha: Vendimi i gjykatës së Durrësit tregon drejtësinë private të Ramës

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha akuzoi sot Kryeministrin Rama se ka vënë nën kontrollin e tij personal sistemin e drejtësisë.

Menjëherë pasi gjykata e Durrësit konfirmoi në mënyrë të dyshimtë mandatin e kryebashkiakes për kandidaten socialiste në Durrës, Zoti Basha deklaroi:

“E gjithë drejtësia është nën kontrollin e plotë të Ramës. Vendimi i Gjykatës së Durrësit është vendimi i drejtësisë private që ka vendosur Edi Rama në Shqipëri.”

Zoti Basha deklaroi se shkatërrimi që kryeministri Rama po i bën sistemit të drejtësisë “do të prodhojë për një kohë të gjatë pasoja të rënda për vendin dhe qytetarët”.

Paraditen e sotme, Gjykata e Durrësit konfirmoi sot në mënyrë të paprecedentë mandatin e kryebashkiakes së zgjedhur të këtij qyteti, Valbona Sako, mëgjithëse dy ditë më parë e njëjta gjykatë vendosi të mos e japë mandatin për shkak të paligjshmërisë së zgjedhjeve.

Kërkesën për gjykim për herë të dytë të së njëjtës çështje e ka bërë më 18 korrik, Partia Socialiste, dhe jo vetë kandidatja Valbona Sako. Kjo kërkesë nuk duhet të pranohej nga gjykata për dy arsye:

Së pari, kandidatja Valbona Sako ka qënë kandidate e Aleancës për Shqipërinë Evropiane dhe jo e Partisë Socialiste.

Së dyti, mandati është dhënë në emër personal dhe jo në emër të koalicionit apo të Partisë Socialiste, ndaj i vetmi subjekt që legjitimohet për kërkesën e njohjes së mandatit është vetë kandidatja.

Burime për Exit.al pohuan se për këtë çështje dje kryebashkiaku aktual Vangjush Dako dhe kryebashkiakja e zgjedhur Valbona Sako kanë takuar kryetaren e gjykatës Joana Qeleshi.

Kryetarja Joana Qeleshi ka manipuluar shortin duke ia caktuar çështjen gjyqtarit Shpëtim Reka, një mbështetës i njohur socialist, i cili sot i dha mandatin Zonjës Sako.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme