Çështja e Teatrit: triumfi i nevojshëm i politikës mbi artin

Nga Desada Metaj
Çështja e Teatrit: triumfi i nevojshëm i politikës mbi artin

Pas shumë të pavërtetave me stërhollime artistike,Edi Rama, më në fund, pohoi të vërtetën e thjeshtë: çështja e ndërtesës së teatrit është çështje e mirëfilltë politike.

Pohimi erdhi pas një punë të lodhshme kryeministrore për të zhvarrosur nga arkivat deklaratat e çdo artisti të gjallë dhe të vdekur që kishte dhënë mendim për prishjen e teatrit.

Kryeministri pranoi sot, me vetëdije se artistikisht teatri mund ta ketë përfunduar misionin e tij, por politikisht ai është peng i vendimeve korruptive politike.

Në harmoni të plotë me Ambasadorin e BE-së Luigi Soreca, Edi Rama pohoi se çështja e teatrit sfidëpolitike, që me gjithë kundërshtitë artistike, nuk mund të zgjidhet ndryshe, veç përmes vendimeve politike.

Natyrisht, vendime që “fituesit” pak përqindësh të 30 qershorit mund t’i marin si t’u vijë për mbarë, në kushtet kur mungon Gjykata Kushtetuese—fakt që e ka kthyer në lluks shtetin ligjor, të cilin shqiptarët e përjetojnë vetëm përmes deklaratave nga një botë tjetër të ambasadorëve.

Kështu, si çdo çështje e rëndësishme me interes publik që kërkon vendim-marrje mbi interesat partiake, çështja e teatrit mbetet e pazgjidhur dhe peng i interesave private dhe arbitraritetit partiak.

Në këto kushte, modeli i sajuar për prishjen e teatrit—dhënia e tokës publike privatit për të ndërtuar ngrehina shumëkatëshe—është një zgjidhje vetëm politike.

Ngatërrimi me ose pa dashje i artistëve në këtë çështje është thjesht një mënyrë tinzare për të larguar vëmendjen nga e vërteta e truallit publik dhe mënyrës si do ligjërohen ndërtimet shumëkatëshe mni të.

Teatri si ndërtesë dhe aq më pak trualli i tij nuk është pronë e aktorëve dhe regjisorëve që kanë punuar aty.Shfaqjet e teatrit janë pronë intelektuale e artistëve,por godina dhe historia janë pronë e qytetarëve të Tiranës.

Në një qytet që u bojatis me ngjyrat e piktorit, tashmë teatri si një nga pak godinat e pabojatisura, nuk mund të mbetet në mëshirë të qendrimeve të artistëve, aq më pak atyre që ndërruan disa herë mendim në pak orë apo në pak ditë.

Deklaratat e deritanishme pro ose kundër të artistëve kaluan në sitën e imët të qëndrimeve politike duke krijuar një gardh të ri mes tyre, në dy anët e së cilës u rreshtuan ata që ishin pro dhe kundër prishjes.

Me mjeshtërinë e tij të njohur dhe provuar, Edi Rama arriti t’i veshë ata me kostumin e kaheve të kundërta politike, duke i përplasur dhe sherrosur ata me njëri-tjetrin.

Është e vështirë që si artist të mos kesh një qendrim pro ose kundër prishjes. Asnjë nga këto qendrimi nuk është turp, por ligësia e Edi Ramës i vendosi artistët në një përballje të padenjë mes tyre, për një çështje të cilën ata nuk kanë fuqi ta zgjidhin.

Qeveria e zgjidh.

Në këto kushte, rreshtimi i artistëve pro apo kundër prishjes së teatrit është ne fakt rreshtimi në krah të pushtetit të plotfuqishëm që përfaqëson interesat e Fusha shpk apo në krah të komunitetit të madh qytetar të pafuqishëm për të ndryshuar vendimet e qeverisë.

Sepse teatri ka qenë dhe mbetet pronë e qytetit dhe e banorëve të tij.

Janë qytetarët ata që vlerësojnë jo vetëm pëlqyeshmërinë e çdo shfaqje dhe aftësinë e artistëve, por edhe vendosin mbi hapësirat publike, kulturën, historinë, dhe artin e qytetit dhe objektet e tyre.

Këtë të drejtë ata e ushtrojnë në zgjedhjen e drejtuesve të politikave të qytetin, pra përmes zgjedhjeve politike.

Zgjedhja e fundit politike e qytetarëve të Tiranës qe domethënëse: ata braktisën në masë politikat urbane të Kryebashkiakut Veliaj dhe Kryeministrit Rama.

Në respekt të vullnetit të tyre, askush nuk mund të marrë një vendim, as në sallën e Bashkisë dhe aq më pak në atë të parlamentit tashmë monist për cështje kaq të debatueshme publike.

Çdo përpjekje për ta trajtuar truallin e teatrit si çështje e pronarëve tiranas, që duan të maksimizojnë metrat katrorë që do të marrin nga ndërtesa që pritet të ngrihet mbi tokën e shtëpisë së vjetër, thjesht e banalizon dhe vulgarizon debatin duke u tallur me çdo parim të shtetit ligjor.

Veliaj dhe Rama janë pakicë në Tiranë, por edhe sikur të mos ishin, një shtet nën ligj duhet të respektojë vullnetin edhe të atyre që Edi Rama i quan me përçmim “pakicë”.

Aq më pak mund të lejojë një shtet që vepron nën ligj një vendim-marrje publike në formën e pazareve personale për të marrë sa më shumë metra katrorë nga klienti i përzgjedhur personalisht.

Mënyra e tjetërsimit të pronës publike është thelbi i çështjës së teatrit. Ky thelb nuk mund të gjykohet dhe as të trajtohet në funksion të shijeve artistike të askujt.

Qëndresa për mbrojtjen e Teatrit është treguesi më i qartë se qëndresa fizike ndaj dhunimit të pronës publike është armë më e fortë se denoncimet shterpë në parlament apo nëpër salla të atyre që duan të marrin në dorë fatin e të ardhmes së vlerave qytetare.

Çështja e teatrit është trumfi i përmbajtjes mbi formën dhe i politikës mbi artin. Ky triumf është ngjarje fatlume, edhe pse ende e rastësishme, si për të ardhmen e ndërtesës së teatrit ashtu edhe të shoqërisë shqiptare.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme