Ambasada amerikane bën deklaratë të dyshimtë për “veting rigoroz” për Gjykatën Kushtetuese

Nga Vincent W.J. van Gerven Oei
Ambasada amerikane bën deklaratë të dyshimtë për “veting rigoroz” për Gjykatën Kushtetuese

Në një deklaratë për zgjedhjet lokale të mbajtura në kundërshtim me Dekretin e Presidentit, kushtetueshmërinë e të cilit qeveria socialiste e kundërshton, Ambasada e SHBA deklaroi se:

Ata që dëshirojnë të sfidojnë rezultatin e zgjedhjeve, mund të drejtohen të Gjykata Kushtetuese, e cila shpresojmë se do të ngrihet së shpejti, me gjykatës të cilët kanë kaluar një proces rigoroz vetingu.

Ka një konflikt mes ngritjes së Gjykatës Kushtetuese “së shpejti” dhe një “procesi rigoroz vetingu”. Në kushtet ku jemi mund të arrihet njëra ose tjetra prej tyre, por jo të dyja.

“Do të ngrihet së shpejti”

“Të ngresh së shpejti” Gjykatën Kushtetuese do të thotë të besosh premtimet e qeverisë Rama, të shprehura së fundmi nga Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj:

[Formimi i Gjykatës Kushtetuese] është në proces, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi po kryen një proces të jashtëzakonshëm rreth kandidatëve të kushtetueses. Ata do e përfundojnë këtë proces sa më shpejt, në mënyrë që në shtator apo tetor Gjykata Kushtetuese të nisë funksionimin.

Për ta ngritur Gjykatën Kushtetuese nga fundi i verës, ata që janë përgjegjës për zbatimin e Reformës në Drejtësi kanë dy alternativa, të cilat teë dyja shkelin frymën dhe ligjet e Reformës në Drejtësi dhe përbëjnë një kërcënim serioz për pavarësinë e Gjykatës Kushtetuese.

Të dyja alternativat kërkojnë që të kapërcehet vetingu i kandidatëve me vendim përfundimtar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimeve (KPK), kur nuk ka apelim, ose nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA), kur vendimi i KPK-së apelohet. Sipas të gjitha gjasave, kjo është një qasje antikushtetuese në vetvete.

1) Duke qenë se Gjykata e Lartë nuk ekziston, të emërohen menjëherë me një vendim të përbashkët të tre kandidatët e Gjykatës Kushtetuese që zgjidhen nga Parlamenti dhe tre të tjerët që zgjidhen nga Presidenti, duke e injoruar dispozitën kalimtare në Kushtetutë, e cila thotë se gjyqtarët e rinj mund të emërohen vetëm me rotacion, dmth. së pari një kandidat nga Presidenti, pastaj një nga Parlamenti, pastaj një tjetër nga Gjykata e Lartë, dhe pastaj përsëritet e njejta procedurë nga e para.

Edhe nëse Presidenti e sfidon këtë proces të paligjshëm, do të duhen më shumë se 30 ditë për të miratuar 6 kandidatët, pa e kaluar vetingun dhe në shkelje të Kushtetutës.

2) Të formohet një Gjykatë e Lartë “e përkohshme”, e përbërë nga gjyqtarë të gjykatave më të ulta të komanduar për të vepruar si gjyqtarë të Gjykatës së Lartë, të cilët më pas të zgjedhin 3 kandidatë për në Gjykatën Kushtetuese. Duke qenë se Gjykata e Lartë do të përbëhej pothuajse tërësisht nga gjyqtarë që nuk do ta kishin kaluar vetingun, kjo do të çonte në një Gjykatë Kushtetuese shumë të politizuar dhe me pak besueshmëri.

Ana pozitive e kësaj qasje është se nuk ka nevojë të shkelen dispozitat kalimtare të Kushtetutës. Sidoqoftë, njësoj si në alternativën 1 më sipër, jos vetimi i gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë para se ata të marrin një vendim aq të rëndësishëm sa zgjedhja e gjyqtarëve të ardhshëm të Gjykatës Kushtetuese, është plotësisht kundër frymës dhe gërmës së Reformës së Drejtësisë.

Ky proces kërkon të paktën 60 ditë (duke supozuar se Presidenti Meta do të përpiqet ta ngadalësojë procesin). Argumenti ligjor që mbështet këtë alternativë është propozuar nga eksperti ligjor i EURALIUS-it, Klodian Rado, i cili vetë është kandidat për në Gjykatën Kushtetuese. Ndaj, mos u habitni nëse ai përfundon i zgjedhur në këtë gjykatë.

“Proces rigoroz vetingu”

Mund të ketë vetëm një interpretim të mundshëm të frazës “proces rigoroz vetingu”: një vendim të formës së prerë nga njëri prej institutioneve të vetingut—nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ose nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit.

Prandaj, zbatimi i një “procesi rigoroz vetingu” do të thotë të pezullohet procedura e zgjedhjes së një Gjykate të re Kushtetuese derisa të gjithë kandidatët nga sistemi gjyqësor që kanë kandiduar të kenë kaluar vetingun në të gjitha shkallët, në përputhje me dispozitat e Kushtetutës dhe Ligjit të Vetingut, dhe jo sipas rregullave të miratuara nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi.

Prandaj, deklarata e ambasadës amerikane është kontradiktore në vetvete. Është e pamundur që një Gjykatë Kushtetuese funksionale “të ngrihet së shpejti” dhe, në të njëjtën kohë, të gjithë kandidatët t’i jenë nënshtruar një “procesi rigoroz vetingu”.

Java e ardhshme do të tregojë se cilën rrugë do të zgjedhë qeveria socialiste e Kryeministrit Edi Rama: paligjshmërinë dhe antikushtetueshmërinë, apo pranimin e faktit se mungesa e Gjykatës Kushtetuese nënkupton se ata duhet t’u binden dekreteve presidenciale për sa kohë ato nuk janë shfuqizuar.

2 komente

  1. europarlamentar 6 Korrik, 2019 në 12:42 pm

    Vetingu nuk perben garanci per paanshmerine politike te gjyqtareve dhe prokuroreve. Ne nje vend si ky i yni ku politika ka depertuar ne cdo qelize te jetes, zor se mund te gjenden pjesetare apolitike te gjyqesorit. Ekziston nje trysni kaq e forte, qofte per shkak te nderhyrjes politike apo edhe faktit qe jetojme ne nje shoqeri qe pershkohet tejendane ende nga tribalizmi primitiv saqe nuk ka burre apo grua nene qe t’i rezistoje.

  2. a 7 Korrik, 2019 në 10:51 am

    Ka lezet kur ky kokvedeni qe nuk di shqip te shpjegon ligjet dhe situaten ne Shqiperi.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme