‘E ëma e Zeqos në majë të thanës’—ca fjali urbane që kërkojnë shpjegime

Nga Genti Shehu
‘E ëma e Zeqos në majë të thanës’—ca fjali urbane që kërkojnë shpjegime

Jemi korrik, votimet njëpartiake u fituan mbi 100 për qind, duke e tejkaluar planin në çdo qytet e fshat të Shqipërisë. Do dilej edhe më mirë po të mos ishte për armiqtë që urrejtjen e tyre ndaj Partisë e shprehën duke shkruar fjali të turpshme në fletën e votimit.

Shqipëria nuk u dogj gjatë procesit të votimit, që më shumë se kujtdo i provoi Ramës dhe Veliajt se, në kundërshtim nga të gjitha ato që u thonë fokus grupet, nuk qenkan politikanët më popullorë në Shqipëri.

Po tani?

Tani jemi mirëfilli në kaos, me rrezikun e instalimit të një diktature nga një i çmendur, me një shpurë lëpirësish, larosh e rrugaçërish.

Në një vend të mbushur me “mëma Zeqosh” majë thanave, të cilët nuk duan të kuptojnë se ç’ndodh rrotull dhe të marrin përgjegjësi, po dremisin e mezi presin të manipulohen nga ato që thuhen lart e poshtë nëpër media, shumica të blera.

Këta “mëma Zeqosh” përtypin e ripërtypin nga një sërë shprehjesh të përsëritura dhe standarde.

“85 për qind nuk është fitore e opozitës…”

85 për qind mund të mos jetë votë për opozitën, se, natyrisht, opozita nuk hyri fare në votime, por fitore është që ç’ke me të. Opozita e bashkuar ia doli që me ngulm, me përgjime, me protesta, të tregonte që njerëzit kundër politikave të Ramës e të Veliajt po shtohen përditë dhe arriti të bindte shumë shqiptarë, që artikulohen ose jo politikisht, të mos shkonin në kutitë e votimit. Madje, edhe një numër të ndjeshëm të atyre që shkuan apo që Rilindja i detyroi të shkonin, i bindi ta kthenin fletën e votimit në pamflet talës për Udhëheqësin dhe qeverinë.

Po, 85 për qind është fitore e pastër e opozitës së bashkuar.

“Ja, iku Rama po kush do vijë…”

Për ta gjykuar si duhet këtë, le t’i hapim kartat mbi tavolinë. Ka fjalë se Edi, Luli, Mona, Erioni, etj të gjithë kanë vjedhur‑them ka fjalë se, deri më sot, veç llogje kemi dëgjuar, fakte dhe dënime penale nuk kemi.

Atëherë, meqë qenkan të gjithë njësoj, le të hidhemi te kabinetet e secilit, se si thotë Makiaveli: “Kuti i parë që mat inteligjencën e një sundimtari, janë njerëzit që mban rrotull vetes.”

Kur i pyet “mëmat e Zeqos” se cila është ndonjë figurë për të qenë e Rilindjes, befas e humbin dhe me shumë mund të pranojnë se vetëm Pandi, edhe ai me 1000 “hajt mo” mund të shtyhet. Ama kur u kërkon të gjejnë të njëjtin nivel halabakërie në partitë e tjera, ngecin.

Dhe çuditërisht edhe pasi u përmend një sërë emrash për të qenë në opozitë, sikur gëlltiten, po prapë janë gati të mbajnë Ali Babanë me 40 hajdutë sepse: “po hë, kush do t’u kërkojë llogari këtyre që do të vijnë; pse do jenë ndryshe këta?” Se, minimalisht, nuk rrethohen nga kokëtrashë e harbutë?

Kur zgjidhni të vini në dyshim kundërshtarë politikë, bëni mirë më së pari të vini në kandar njerëzit e secilës palë.

“Të gjithë hanë e pinë bashkë…”

E dini cila është droga më e fuqishme? Pushteti! Cili është ai që do të donte ta lëshonte pushtetin dhe paratë që burojnë prej tij, në duart e një tjetri, që rrezikon t’ia fusë? Nuk ka bandë ordinere hajdutësh, ku secili prej anëtarëve nuk dyshon tek të tjerët, sado para të ndajnë bashkë.

Cili prej këtyre do ta linte veten zbuluar në sy të tjetrit, që ta çonte lehtësisht në gropë? Po kur kjo rritet shumëfish në përpjesëtime pushteti dhe parash, cili do të guxonte të bënte hapur pazare, duke zbuluar kështu veten në dorë të kundërshtarit politik? Me çfarë u betokan politikanët në këto “marrëveshje”, që të mos ia fusin njëri-tjetrit? Me dorë në Kanun?

Politikanët luftojnë njësoj si bandat, si bizneset, si miset, si artistët, si sportistët dhe si çdo garues tjetër, për të shtënë në dorë pushtetin e privilegjet, që burojnë prej tij dhe si të gjithë të sipërpërmendurit, synimi kryesor është t’i vënë stërkëmbësin tjetrit.

“S’duhet t’i kishin djegur mandatet…”

“Mëmat e Zeqos” dalin në këtë përfundim pa bërë analizën pse u dogjën mandatet. Pasi u ngjir që parlamenti është i paligjshëm, sepse ka dalë nga vota të siguruara në bashkëpnim me krimin, pasi u ngjir se kabineti i ministrave, i miratuar prej këtij parlamenti, ka figura të përfshira në trafik ndërkombëtar droge, vendosi ta bojkotonte atë, duke zgjedhur të luftojë njësoj si njerëzit dhe jo me privilegjet e një deputeti.

Po edhe sikur të luftonin nga brenda këtij parlamenti, ca “mëma të tjera Zeqosh” do të thoshin: “Po, bëjnë sikur luftojnë, se njësoj me ata të tjerët aty brenda janë, rrogën njësoj e fusin në xhep”.

Kjo puna e djegies së mandateve mes shqiptarëve është tamam “hip se të vrava, zbrit se të vrava”.

“Po pra, të japë dorëheqjen Rama, që të vijë Basha…”

E kam ndjekur me shumë vëmendje diskutimin politik nga djegia e mandateve e deri më sot. Ndonëse e dëshiron, opozita nuk ka thënë të zbresë Rama nga karrigia e të vijmë ne.

Por argumentet e tyre mund t’i kapë vetëm një vesh, që e ndjek me mendje të ftohtë këtë diskurs. Që të jemi të gjithë të qartë: opozita kërkon që Rama të japë dorëheqjen si kryeministër, sidomos pas skandaleve me përgjimet, dhe të caktohet një qeveri teknike.

Qeveria teknike supozohet të bëjë reformën zgjedhore, që do të ndryshokë sistemin zgjedhor—ndryshim që tani po kërkohet nga të gjithë, me parti e pa parti. Kështu, të gjitha partitë politike do të hyjnë të barabarta në garë zgjedhore.

Po si përfundim kush do të vijë në pushtet, pas gjithë këtij procesi? Po ta dinim, do të ishim në diktaturë.

“Ja, sa të bëhet SPAK-u…”

Historia na ka treguar se dy vëllezër amerikanë, njëri President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe tjetri Prokuror i Përgjithshëm, iu kundërvunë hapur mafies dhe krimit të organizuar në Amerikë. Rezultati: të dy u vranë, njëri në vitin 1963 dhe tjetri në vitin 1968.

Po historia na ka treguar se të njëjtin fat patën në vitin 1992 edhe dy italianët, që u përpoqën të godisnin rëndë mafien italiane.

Tani, më thoni pak se cilët janë këta shqiptarë trima, sypatrembur, atdhetarë e me moral të lartë, që mezi po presin të sakrifikohen në emër të luftës për të drejtën e t’i japin fund këtij krimit të organizuar e korrupsionit në Shqipëri, aty, në krye të SPAK-ut?

Pastaj, cili qenka ai udhëheqës që ka vullnetin politik t’i mbrojë këta njerëz, për të mirën e Shqipërisë? Rama? Rama i Roshit, Avdylajve, Habilajve, Xhafajt, Dakos e sa e sa të tjerëve të lidhur me krimin? Rama që e bëri Shqipërinë bahçe kanabisi?

Nuk më duket se ka të ngjarë, që SPAK-u i Ramës të jetë zgjidhje.

“Nuk e duan vetingun asnjëra palë…”

Normale që vetingun nuk e do jo vetëm politikani shqiptar, po as edhe një politikan në botë. I vë tjetrit thesin me para përpara dhe pastaj i ndez kamerën mbi kokë dhe ti mendon se ai nuk do të urojë ditë e natë të ikin dritat, që të rrasë një shuk në xhep!

Vetingun nuk e duan, por duhet ta bëjnë dhe mbi të gjitha, ne duhet të luftojmë të bëhet. Po kujdes se si bëhet dhe kush e bën. Veting ishte edhe ai që bëri Enver Hoxha me intelektualët, tregtarët, klerikët, zyrtarët, simpatizantë të forcave të tjera politike.

Pse papritmas njëra anë politike qenka tmerrësisht e interesuar të përshpejtojë vetingun, përveçse për qëllime të ndyra? Pse kemi një prokurore të përkohshme me një masë të çuditshme “përkohshmërie”, që ndërmerr veprime të njëanshme, aspak në interes të përbashkët të shqiptarëve?

Një mendje e ftohtë veprimet e saj i lexon më mirë se mendja e çdo militanti. Asturiasi thotë se devotshmëria fsheh gjithmonë diçka të ndyrë pas, le pastaj devotshmëria e një politikani si Rama, që rend të bëjë vetingun, kur ky i fundit duhet të mbajë nën kontroll të parin Ramën vetë.

Pse Ramën? Se ai ka thesin me para të taksave tona dhe Zot! ç’po bën me atë thes!

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme