Hans Gruber dhe Teatri Kombëtar

Nga Andrea Cama
Hans Gruber dhe Teatri Kombëtar

Hans Gruber është personazhi negativ i filmit Die Hard, i luajtur nga aktori Alan Rickman. Ngjarjet e filmit zhvillohen rreth një sulmi të supozuar terrorist, i cili po përdoret për të mbuluar kryerjen e një grabitjeje. Personazhi Hans Gruber paraqitet si një individ i kulturuar, që vishet mirë, duke u hequr përpara autoriteteve si një idealist, i cili po e kryen sulmin për të liruar nga burgu shokë të idealit, kur në të vertetë është thjesht një grabitës i interesuar mbas parave.

Diskutimi mbi fatin e godinës së Teatrit Kombëtar është kthyer në një diskutim mbi përdorshmërinë ose jo të asaj godine, duke shmangur debatin real mbi procedura të dyshimta që po imponohen si zgjidhja e vetme për fatin e një godine, e cila ka mbi 70 vjet që është pjesë e Tiranës.

Godina e Teatrit mund të jetë aktualisht në një gjendje të rrënuar, si pasojë e mungesës së riparimeve, duke mos arritur të përmbushë qëllimin e saj, por ky është një argument i pamjaftueshëm për ta shembur. I njëjti arsyetim do të mund të përdorej për cilëndo godinë të vjetër në Tiranë, duke filluar nga Piramida, një godine gjysëm e rrënuar, që ekziston prej më pak kohësh së Teatri dhe që nuk luan asnjë funksion, por për hir të memories kolektive dhe të një nostalgjie vazhdon të ndodhet ende aty.

Procedura e ndjekur nga ana e qeverisë të krijon dyshimin se qëllimi në vetvete nuk është përmirësimi i kushteve të Teatrit – çka mund të arrihet përmes një numër mënyrash të tjera, – por është shtënia në dorë e truallit të vetë Teatrit dhe atij përreth. Këtë e dëshmon lehtësisht ngulmimi i ndërtuesit për të ndërtuar pikërisht në atë zonë, si dhe fakti se është e disata herë që tentohet të vihet në jetë ky ndërtim mbi truallin e Teatrit.

Argumenti kryesor i ndërtimit të një godine të re të teatrit përmes një skeme bashkëpunimi publik-privat është mungesa e fondeve publike. Ky argument është i pabazë. E njëjta qeveri nuk është kursyer të miratojë projekte infrastrukturore, ku kostoja për vetëm një kilometëer rrugë do të mjaftonte për të ndërtuar një Teatër dinjitoz me fonde tërësisht publike.

Nëse qeveria është vërtet dashamirëse që pronarët privatë të truallit përreth teatrit të kenë mundësinë të zhvillojnë pronën e tyre, duke u mundësuar atyre edhe pronën publike, ky proces mund të jetë lehtësisht i ndarë nga ndërtimi i teatrit të ri. Toka publike mund të shitet në një nga mënyrat e parashikuara nga ligji, pa pasur nevojë për një ligj të veçantë. Të ardhurat e përftuara mund të përdoren për përmirësimin e kushteve të Teatrit ose për ndërtimin e një të riu, pa qenë nevoja të hyhet në një procedurë kaq të koklavitur dhe haptazi fiktive.

Por këtu nuk bëhet fjalë për përmirësim të kushteve të Teatrit, ndaj çdo përpjekje për të hyrë në një diskutim mbi vlerat historike, arkitekturore, dhe emocionale të asaj godine janë të kota. Përpara kemi një Hans Gruber!

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme