KLP rendit 15 kandidatët për SPAK

KLP rendit 15 kandidatët për SPAK KLP

Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) publikoi dje emrat e 15 prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion (SPAK). Renditja e prokurorëve fitues u bë në bazë të vlerësimit të aftësive profesionale dhe kontributit të tyre në sistemin e drejtësisë.

Sipas njoftimit të KLP-së, pavarësisht renditjes së kandidatëve, SPAK nuk mund të formohet tani, pasi prokurorët duhet të kenë kaluar të gjithë vetingun.

Deri më tani vetëm prokurori Arben Kraja ka kaluar të dyja shkallët e vetingut, Besnik Muçi po hetohet në KPA, shtatë kandidatë ende nuk janë hetuar nga KPK dhe gjashtë kandidatë kanë kaluar vetëm shkallën e parë të vetingut.

Më 5 prill, KLP bëri publike listën e plotë të kandidatëve me 25 emra, por pesë prej tyre u larguan nga SPAK. Eugen Beci dhe Shkëlzen Cena nuk kaluan dot procesin e vetingut. Ndërsa, Gëzim Cenaj, Fatmir Hoxha dhe Irena Nino u skualifikuan sepse nuk ishin pjesë e sistemit të drejtësisë.

Më 16 korrik, KLP skualifikoi nga gara për në SPAK prokurorët Vladimir Mara, Dritan Prençi, Maksim Sota, Donika Prela dhe Besim Hajdarmataj.

Prokurorët Vladimir Mara dhe Dritan Prençi i kanë kaluar të dyja shkallët e vetingut. Dritan Prençi ka hetuar çështjen e ish-ministrit Tahiri, dosjen e Orest Sotës, financierit të Habiljave Nezar Seiti dhe dosjen e përgjimeve Dako-Avdylaj e njohur si dosja 339.

Vladimir Mara, zëvendësoi Besim Hajdarmatajn në hetimin e çështjes Tahiri, pasi ky i fundit u shkarkuan dhe u komandua prokuror në Prokurorin e Pogradecit në shkelje të ligjit nga Kryeprokurorja Arta Marku. Aktualisht, Mara po heton dosjen e përgjimeve Dako-Avdylaj për manipulimin e zgjedhjeve në Durrës.

Besim Hajdarmataj, ish-kryeprokurori i Krimeve të Rënda ka hetuar çështjen Tahiri dhe Shullazi.

KLP ka renditur të dytin për nga aftësia profesionale dhe integriteti prokurorin e shumëpërfolur Anton Martini, i cili u emërua në Prokurorinë e Kimve të Rënda nga Arta Marku në shkelje të Kushtetutës.

Anton Martini është prokurori që ngriti akuzat e rënda për tradhëti dhe nxjerrje të sekreteve shtetërore kundër Dritan Zaganit dhe që urdhëroi arrestimin e tij. Me anë të akuzave të sajuara të ngritura nga Martini, Dritan Zagani u mbajt për disa muaj i burgosur.

Rasti tjetër i debatueshëm i Anton Martinit ka qenë hetimi për mbi gjashtë muaj i kryebashkiakut të Durrësit Vangjush Dako për bashkëpunim me grupe kriminale për të manipuluar zgjedhjet e vitit 2017. Martini nuk ka bërë zbardhjen e përgjimeve të dosjes, praktikisht duke e vonuar dhe shkatërruar hetimin ndaj Dakos.

 15 prokurorët e renditur nga KLP janë:

  1.  Altin Dumani
  2.  Anton Martini
  3.  Elisabeta Imeraj
  4.  Arben Kraja
  5.  Doloreza Musabelliu
  6.  Klodian Braho
  7.  Enkeleda Millonaj
  8.  Manjola Kajana
  9.  Edvin Kondili
  10. Ened Nakuçi
  11. Elida Kaçkini
  12. Ndini Tavani
  13. Behar Dibra
  14. Anita Jella
  15. Besnik Muçi

6 komente

    Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

    Lajme te ngjashme