Kolegji Zgjedhor plotëson kërkesën e PS, ndan mandatet e këshilltarëve bashkiakë

Kolegji Zgjedhor plotëson kërkesën e PS, ndan mandatet e këshilltarëve bashkiakë

Kolegji Zgjedhor (KZ) ka pranuar kërkesën e Partisë Socialiste për të shpërndarë mandatet e këshilltarëve bashkiakë në 7 Bashki.

Kolegji e nisi me mandatet për Bashkinë e Urës Vajgurore, e më tej me Devollin, Kuçovën, Konispolin, Memaliajn, Përmetin dhe Poliçanin.

KZ e mori në shqyrtim kërkesën e PS për shpërndarjen e mandateve, pasi Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve nuk arriti të votonte me kuorumin e  nevojshëm ndarjen e tyre.

Me këtë vendim KZ nuk ka marrë parasysh thirrjen e Partisë Demokratike që të pezullohej ky proces deri në moemntin kur Gjykata Kushtetuese të vendosë rreth kërkesës së Shoqatës së Bashkive për t’u shprehur rreth kushtetueshmërisë së zgjedhjeve të 30 qershorit.

Si autoriteti më i lartë për mosmarrëveshjet zgjedhore, Kolegji Zgjedhor, me ligj, përbëhet nga tetë gjyqtarë, të cilët zgjidhen me short nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Si rrjedhojë e procesit të vetingut të gjyqtarëve, Kolegji ka patur aktualisht vetëm 5 gjyqtarë: Tomor Skerli, Artur Malaj, Lindita Sinanaj, Astrit Kalaja, Ridvan Hado.

Ky trup prej 5 gjyqtarëve nuk pranoi ankimet e Bindjes Demokratike për shpalljen e pavlefshme të zgjedhjeve në bashkitë Selenicë, Shijak, Kurbin, Tiranë dhe Berat dhe ripërsëritjen e zgjedhjeve.

Sikurse ka vërejtur edhe OSBE në raportin e saj për zgjedhjet, vetingu i gjyqtarëve dhe prokurorëve ka çuar në shumë shkarkime dhe dorëheqje, duke ndikuar kështu në funksionimin e shumë gjykatave dhe prokurorive, duke e lënë veçanërisht Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë pa kuorumin që i nevojitet për të qenë funksionale.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme