Kopshti Botanik, FSHN: qeveria të tërhiqet, kalimi arbitrar dhe cënon autonominë

Kopshti Botanik, FSHN: qeveria të tërhiqet, kalimi arbitrar dhe cënon autonominë

Fakulteti i Shkencave të Natyrës (FSHN) e ka konsideruar Vendimin e Këshillit të Ministrave (VKM) për t’i kaluar Kopshtin Botanik Bashkisë Tiranë si një vendim arbitrar që cënon autonominë dhe lirinë akademike.

Në një deklaratë për shtyp Dekanati i FSHN ka njoftuar zhvillimin gjatë ditës së sotme të një mbledhjeje të jashtëzakonshme, në të cilën është diskutuar rreth VKM-ës që Exit.al denoncoi në fundjavë.

Sipas FSHN VKM-ja e fundit bie në kundërshtim me VKM–në e datës 15.03.1965 “për krijimin e Kopështit Botanik si i vetmi institucion kërkimor-mësimor në vend në fushën e florës, unikal në llojin e tij në vend dhe si i tillë i shpallur në vitin 1995 si institucion i rëndësisë së veçantë”. Për këtë FSHN thotë se ky kalim cënon rëndë autonominë dhe lirinë akademike, duke rënë ndesh me Ligjin e Arsimit të Lartë dhe da të bëjë të pamundur funksionin e Kopshtit, produkt i punës 60 vjeçare të brezave të pedagogëve e studentëve të FSHN.

Dekanati kujton se përvojat e së shkuarës me tjetërsimet e kryera nuk japing garanci në rastin e fundit:

Përvojat e hidhura të deritashme të Fakultetit të tonë me Muzeun e Shkencave të Natyrës, Departamentin e Bioteknologjisë, “ngrënien” e paradokohshme të një cope nga Kopshti në fjalë së bashku me godinën dykatëshe (dhuratë nga Ambasada Amerikane), për kalimin e Unazës së Re, nuk japin asnjë garanci, përkundrazi, flasin në të kundërt, të ndonjë mundësie të realizimit të funksionit dhe misionit të Kopshtit Botanik nga ndonjë insititucion tjetër jashtë Universitetit të Tiranës.

Ajo që bie në sy nga deklarata e bërë e dekanatit të FSHN është se Bashkia Tiranë nuk u ka paraqitur atyre asnjë projekt dhe nuk ka biseduar me ta rreth qëllimit real që kanë patur për marrjen e kësaj prone.

Kjo deklaratë është hapi i parë i reagimit zyrtar dhe publik të Fakultetit të Shkencave të Natyrës të Univeristetit të Tiranës në kundërshtim të këtij Vendimi, me besim që reagimi i Qeverisë për tërheqjen e tij të jetë sa më i shpejtë. Në të kundërt, ne jemi të vendosur për të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshme për anulimin e kësaj VKM-je në mbrojtje të Kopshtit Botanik, si aset kombëtar kërkimor dhe mësimor i pazëvendësueshëm.

1 koment

  1. morri 22 Korrik, 2019 në 6:37 pm

    nuk e njofin at nahi kto

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme