Kryeministri Zaev: Rusia ndikoi në negociatat Vuçiç-Thaçi për shkëmbim territoresh

Kryeministri Zaev: Rusia ndikoi në negociatat Vuçiç-Thaçi për shkëmbim territoresh

Kryeministri maqedonas Zoran Zaev ka thënë se presidenti serb Vuçiç dhe ai kosovar Thaçi kanë biseduar për të shkëmbyer territore mes Kosovës dhe Serbisë.

Zaev ra pre e disa telefonatave me mashtrues, që u hoqën si presidenti ukrainas Poroshenko dhe sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg. Bisedat telefonike midis Zaevit dhe mashtruesve, të cilët ai mendonte se ishin Poroshenko dhe Stoltenberg, dyshohet se u zhvilluan në gusht 2018, janar dhe prill 2019.

Gjatë bisedës, Zaev shprehu shqetësimin e tij se negociatat mes Serbisë dhe Kosovë po bëheshin nën ndikimin e Rusisë, që kjo ta përdorte marrëveshjen mes tyre si precedent për të zgjidhur mosmarrëveshjet në Krime dhe Abkazi.

Mashtruesit rusë biseduan disa herë në telefon me Zaevin. Në tre prej telefonatave, kryeministri maqedonas shprehte shqetësimin për rrezikun e arritjes së një marrëveshjeje për shkëmbim territoresh mes Serbisë dhe Kosovës. Në një bisedë me mashtruesin që hiqej si Poroshenko, Zaev u shpreh:

Dua të ndaj një frikë për atë që po ndodh këtu në rajonin tonë. Presidenti i Serbisë dhe Presidenti i Kosovës kanë filluar disa negociata për ndarjen e territoreve dhe ndryshimin e kufijve, dhe ne jemi shumë kundër kësaj. Edhe Kancelarja Merkel është kundër, dhe i gjithë rajoni është kundër, sepse mendojmë se ka një qëllim të fshehtë nga Rusia për ta përdorur këtë [si precedent në] praktikën ndërkombëtare.

Kryeministri Zaev la të kuptohet se për të njëjtën arsye, Turqia ishte gjithashtu e interesuar për një marrëveshje për shkëmbime territoriale midis Serbisë dhe Kosovës, të cilën më pas mund ta përdorë si precedent për mosmarrëveshjen e saj me Greqinë për Qipron.

Edhe në bisedën me Stoltenbergun, Zaev tha:

Siç e dini, ata po përpiqen të ndryshojnë kufijtë dhe të këmbejnë territore, dhe mendoj se ka ndikim nga Rusia në këtë […]

Zaev i kërkoi Poroshenkos dhe Stoltenbergut që ata të jenë në gatishmëri dhe të kundërshtojnë një plan të tillë, që mund të “dëmtojë rëndë Ballkanin”. Ai i informoi ata se i ka kërkuar të njëjtën gjë Kancelares Merkel, e cila është kundër shkëmbimit të territoreve, sipas Zaevit. Të njëjtën gjë ai i ka kërkuar dhe Federica Mogherinit, Mike Pence-it dhe Mike Pompeos.

“Ballkani është shumë etnik dhe do të hapë kutinë e Pandorës,” u shpreh Zaev në një prej telefonatave.

Ai i thotë Poroshenkos së rremë për një plan në dukje konkret midis Vuçiçit dhe Thaçit për të arritur një zgjidhje, e cila përfshin “dhjetë komuna nga pjesa veriore e Kosovës, që do t’i jepen Serbisë, dhe pak komuna në pjesën jugore të Serbisë, që do t’i jepen Kosovës.”

Zaev shtoi se nëse zbatohet ndonjëherë, ky plan do të “prodhonte vetëm luftëra dhe Ballkani do të ishte një bombë me sahat”.

Kryeministri i Kosovës Haradinaj ka deklaruar gjithashtu më herët se presidentët Vuçiç dhe Thaçi, me shumë mundësi, kishin negociuar shkëmbimin e territoreve. Të dy presidentët i kanë mohuar këto akuza.

Samiti i Berlinit, i thirrur nga Kancelarja Merkel dhe Presidenti Macron, u duk se i dha një goditje këtij plani të supozuar për shkëmbime territoresh. Pas samitit, Vuçiç pranoi se ideja për këtë plan ishte e tija, por se tashmë ajo kishte dështuar në samit. Megjithatë, menjëherë pas Vuçiçit, Thaçi deklaroi se ai dhe Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama nuk kishin hequr dorë nga ideja e shkëmbimit të territoreve mes Serbisë dhe Kosovës.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme