Ligji i ri për median e zgjeron më shumë kontrollin e qeverisë

Nga Vincent W.J. van Gerven Oei
Ligji i ri për median e zgjeron më shumë kontrollin e qeverisë Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj

Ligji i ri për median, pjesë e ‘paketës anti-shpifje’ nismë e njoftuar nga Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj më 3 korrik, është një tjetër përpjekje e qeverisë Rama për të kapur dhe kontrolluar median online.

Versioni i parë i këtij ligji të ri, i paraqitur në 2018-ën, që  lejonte Autoritetin e Mediave Audiovizive (AMA) të mbyllte çdo faqe online pa urdhër gjykate, shkaktoi kundërshtime të shumta, si nga media dhe organizatat lokale, ashtu dhe ato ndërkombëtare.

Edhe pse ligji i ri nuk lejon që AMA të mbyllë një faqe interneti, përveç rasteve të mirëpërcaktuara, ai e zgjeron më shumë rrjetin e mediave që preken nga ligji.

Në një deklaratë për mediat, javën e kaluar, Ministrja Gjonaj deklaroi qartë se për çfarë është në të vërtetë paketa anti-shpifje:

“Tashmë dihet se një shqetësim i vërejtur në shoqërinë tonë është përhapja në kohë reale e lajmeve të pavërteta, duke u shndërruar pas çdo dite në një problematikë për pavarësinë e gazetarëve, dinjitetin e qytetarëve dhe jetën familjare. mungesa e transparencës të një sërë platformash online, mungesa e regjistrimit të tyre si në çdo shtet europian, kanë qenë arsyet e rishikimit të kuadrit ligjor ekzistues me qëllim parandalimin dhe zvogëlimin e efekteve negative që përcjell në shoqëri keqinformimi dhe përhapja e lajmeve të rreme.

Regjistrimi i portaleve i shërben transparencës mbi pronarët e medieve, shmangies së konfliktit të interesave, ndikimit të papërshtatshëm të aktorëve politikë, garantimin e pavarësisë së gazetarëve si dhe pluralizmit të medias.”

Ky regjistrim i detyrueshëm, i cili në kundërshtim me pretendimet e Zonjës Gjonaj është i padëgjuar në pjesën tjetër të Evropës, është pasqyruar në nenin 54 të Ligjit për Mediat Audiovizive:

 “Regjistri i Ofruesve të Shërbimeve Mediatike”, është një regjistër kombëtar ku regjistrohen ofruesit e shërbimeve audio, audiovizive dhe ofruesit e publikimeve elektronike.”

Ndoshta, duke e pasur të qartë se qeveria nuk mund të detyrojë të gjithë “ofruesit e botimeve elektronike” që botojnë lajme mbi Shqipërinë të regjistrohen në këtë regjistër kombëtar, qeveria ka vendosur që ligji të mbulojë jo vetëm entet e regjistruara, por çdo person fizik dhe juridik që vepron në Shqipëri i cili ka faqe në rrjet:

 “17/1. Ofruesi i Shërbimit të Publikimeve Elektronike (OSHPE) është personi fizik ose juridik, pavarësisht nëse është i regjistruar ose jo si i tillë në Regjistrin e Ofruesve të Shërbimeve Mediatike, i cili ofron shërbimet e publikimeve elektronike, siç janë përcaktuar në pikën 26/1, të këtij neni.”

Për të “kapur” çdo OShPE, pavarësisht nëse është i regjistruar apo jo në Shqipëri, ligji e zgjeron shumë atë që e konsideron një OShPE “shqiptare”. Më poshtë janë të gjithë nenet përkatëse:

Neni 30, pika 2/3:

    1. Ofruesi i shërbimit të medias konsiderohet nën juridiksionin e Republikës së Shqipërisë nëse:

a) është themeluar në Republikën e Shqipërisë;

b) nuk është themeluar në Republikën e Shqipërisë, por:

 – përdor një stacion transmetimi satelitor tokësor që ndodhet në Republikën e Shqipërisë; dhe/ose

 – përdor kapacitetin satelitor që i përket Republikës së Shqipërisë;

 – përdor domain-et e administruara nga AKEP-i.

Ofruesi i shërbimit të medias konsiderohet, gjithashtu, nën juridiksionin e Republikës së Shqipërisë nëse:

a) zyra ose struktura e saj e menaxhimit është në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe vendimmarrja editoriale realizohet brenda këtij territori;

b) zyra ose struktura e saj e menaxhimit është në territorin e Republikës së Shqipërisë, por vendimmarrja editoriale për shërbimet e medias bëhet në një vend të BE-së, supozohet se ofruesi i shërbimit të medias është nën jurisdiksionin e Republikës së Shqipërisë, me kusht që pjesa më e madhe e personelit të angazhuar në aktivitetet e shërbimeve mediatike të operojë në Shqipëri;

c) një pjesë e konsiderueshme e stafit të angazhuar në aktivitetet e shërbimeve të medias vepron në Republikën e Shqipërisë dhe në një vend të BE-së, ofruesi i shërbimit të medias supozohet të jetë i vendosur në Republikën e Shqipërisë, nëse selia e tij ndodhet në Republikën e Shqipërisë;

ç) një pjesë e konsiderueshme e personelit në aktivitetet e shërbimeve mediatike nuk operon as në Shqipëri as në një shtet anëtar të BE-së, ofruesi i shërbimit të medias supozohet të jetë i vendosur në Republikën e Shqipërisë, nëse aktiviteti i tij filloi për të parën herë në këtë vend, në përputhje me legjislacionin shqiptar, me kusht që ai të mbajë marrëdhënie të qëndrueshme dhe efikase me ekonominë shqiptare;

d) interesat e saj fitimprurëse kryesore lidhen me subjektet tregtare të themeluara sipas ligjit shqiptar ose që veprojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë;

dh) mbi 50% e përdoruesve/ndjekësve/abonentëve janë rezidentë të Republikës së Shqipërisë;

e) komunikimi/publikimi i tij i parë ndaj publikut të gjerë po bëhet në Shqipëri/për Shqipërinë.

Siç mund të shihet nga kjo listë krejtësisht shteruese, qeveria është përpjekur të përfshijë çdo media që shkruan për Shqipërinë, me përjashtim, ndoshta, të mediave të mëdha ndërkombëtare që mbulojnë dhe ngjarjet nëpër botë.

Pra, çdo ofrues i lajmeve që shkruan për Shqipërinë ose në Shqipëri, qoftë brenda apo jashtë vendit, me ose pa adresë “.al” — sapo dikush publikon tekste për Shqipërinë—konsiderohen “nën juridiksionin e Republikës së Shqipërisë” dhe prandaj janë të detyruar të regjistrohen.

Ky përkufizim natyrisht bie në konflikt me juridiksionet tjera në të cilat këto media, ndoshta të vendosura në vende të tjera, mund të funksionojnë ligjërisht.

Kërkesat ligjore për OShPE-të janë reduktuar në mënyrë të konsiderueshme në këtë projektligj të ri. Nëse në versionin e 2018-së kërkohej që mediat elektronike të “sigurojnë që publikimet të shfaqen në një mënyrë të vërtetë, të paanshme dhe objektive” dhe “të sigurojnë që trajtimi i ngjarjeve, duke përfshirë çështjet që janë tema në debatin publik, është i drejtë ndaj të gjithë subjekteve të interesuara në këto çështje dhe të përfaqësohen në mënyrë të vërtetë dhe të paanshme “, duke imponuar në thelb kontroll shtetëror mbi përmbajtjen e medias online, në ligjin e ri nuk përdoret më kjo gjuhë.

Sërish në kundërshtim me atë që pohon Ministrja Gjonaj, ligji nuk ka asnjë referencë për “lajmet e rreme”.

Po ashtu, ndërsa projektligji i vitit 2018 kërkonte publikimin e emrave dhe adresave të gazetarëve të përfshirë në media, duke rritur në mënyrë të konsiderueshme rrezikun e sulmeve personale ndaj gazetarëve, projektligji i ri kërkon vetëm publikun një adresë zyrtare të mediave online.

Një nga problemet më të mëdha me projektligjin e vitit 2018 ishte fakti se ai përfshinte paralajmërimin se mediat online të lajmeve nuk duhet të “kërcënojnë dinjitetin dhe të drejtat themelore të njeriut”, duke krijuar kështu një mënyrë për të mbyllur mediat thjesht duke i akuzuar ata shpifje.

Projektligji i ri e zgjeron këtë gjuhë, e cila pa dyshim do të abuzohet nga politikanët dhe zyrtarët e tjerë për të mbyllur mediat:

Neni 33/1 (2). Një ofrues i shërbimit të publikimit elektronik duhet të respektojë privatësinë dhe dinjitetin e qytetarëve dhe të mbrojë integritetin e të miturve.

Për shembull, kur mediat shqiptare mund të publikojnë përgjime të tjera që tregojnë se ish-ministri Gjiknuri ose kryeministri Rama ishin të përfshirë në blerjen e votave dhe shantazheve gjatë votimeve, a e dëmton kjo “privatësinë dhe dinjitetin” e tyre?

Projektligji i vitit 2018 i lejonte AMA-s të bllokonte qasjen në internet për 24 orë deri në një javë për shkelje të ligjit të mediave—të tilla si dëmtimi i të drejtave njerëzore të një politikani. Në projektligjin e ri, këto pjesë janë hequr.

Tani AMA do të lejohet të bllokojë një faqe interneti kur ajo nxit vepra penale ose akte terroriste dhe kur shpërndan pornografi fëmijësh.

Kështu, ligji i ri për median duket se ka hequr një aspekt kontradiktor, domethënë kompetencën e AMA-s për të mbyllur një faqe interneti. Në të njëjtën kohë, ligji ruan detyrimin për regjistrimin e mediave online, ndërkohë që zgjeron praktikisht në të gjithë botën juridiksionin e ligjit.

Ligji vazhdon të ofrojë mënyra me të cilat politikanët, zyrtarët publikë, biznesmenët dhe njerëzit e tjerë që shpesh kritikohen në media t’i drejtohen AMA-s, e cila mund t’i gjobisë mediat me gjoba nga 100 mijë lekë deri në 1 milionë lekë.

Fakti që Ministrja Gjonaj këmbëngul për ta quajtur Ligjin për Media Audiovizive si pjesë e paketës “anti-shpifje”, sugjeron se këto elemente mbeten thelbi i këtij projektligji të përditësuar, i cili nuk synon pavarësinë, por frikësimin dhe heshtjen e gazetarëve.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme