Liruan vrasësin e dënuar me 25 vjet, arrestohen drejtori dhe kartelisti i burgut të Lushnjës

Liruan vrasësin e dënuar me 25 vjet, arrestohen drejtori dhe kartelisti i burgut të Lushnjës

Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj doli sot në një konferencë për shtyp ku njoftoi shpalljen në kërkim të Lulzim Cakës dhe arrestimin e dy zyrtarëve të burgut të Lushnjës që e liruan atë 4 muaj e 22 ditë përpara se ai ta shlyente tërësisht dënimin e dhënë.

Caka qe dënuar me 25 vite burg. Ai konsiderohet person me rrezikshmëri të lartë, pasi lidhet me të paktën 5 vrasje dhe me drejtimin e një prej bandave të Beratit në vitet 1995-2000.

Në konferencën për shtyp Gjonaj tha se kishte kërkuar shqyrtimin e procedurave të lirimit të Cakës dhe se pas këtyre shqyrtimeve kishte rezultuar se drejtori i burgut Judmir Shurdhi dhe kartelisti Llazar Mino kishin keqllogaritur ditët e burgimit.

Për këtë, Gjonaj tha se ishin arrestuar dy zyrtarët, të cilët tashmë akuzohen për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentash. Duke marrë shkas nga kjo ngjarje Ministrja e Drejtësisë theksoi se kishte kërkuar verifikimin e të gjitha lirimeve të të burgosurve që janë kryer.

Për të ashtuquajturin të “tmerrshmin e Beratit” kjo nuk është hera e parë që ai largohet nga burgu i Lushnjes.

Në vitin 2001 ai u arratis nga ky burg duke sharruar hekurat e qelisë dhe më pas vrau dy persona.

Pas këtij krimi ai u largua në Itali ku u arrestua dhe ekstradua në vitin 2003.

Drejtori i burgut të Lushnjes, Judmir Shurdhi përpara se të emërohej në këtë detyrë vitin e shkuar, ka qenë këshilltar bashkiak.

Më tej ka qenë drejtor në Bashkinë Lushnje dhe coordinator elektoral për Partinë Socialiste.

Top-Channel tre muaj më parë denonconte se si Shurdhi, tashmë drejtor burgu, përfitonte nga lidhjet politike duke drejtuar edhe një paketë private kabllore e cila piratonte transmetimet e platformave të tjera dixhitale.

1 koment

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme