OSBE/ODHIR: votime pa zgjedhje dhe me probleme

OSBE/ODHIR: votime pa zgjedhje dhe me probleme

Misioni i OSBE/ODIHR deklaroi në  një konferencë për shtyp se “zgjedhjet e 30 qershorit ishin pa garë dhe me probleme”. Duke paraqitur punën e kryer gjatë kësaj periudhe për vëzhgimin e zgjedhjeve vendore, drejtuesja e misionit të OSBE/ODIHR Audrey Glover iu përgjigj interesit të mediave duke prezantuar edhe raportin paraprak të monitorimit.

Sipas vëzhguesve të OSBE/ODIHR, për shkak të tërheqjes së opozitës qytetarët nuk patën mundësi të zgjidhnin. Partia Socialiste doli me kandidatë në 61 bashkitë, ku në 31 prej tyre nuk pati kundërshtarë.  Sipas drejtueses së misionit të OSBE/ODIHR “tërheqja e opozitës kufizoi të drejtën e qytetarëve për të zgjedhur.

Misioni argumetoi pjesmarrjen e ulët të qytetarëve në zgjedhje me faktin se partitë politike ushtruan presion mbi ta.

“Qytetarët, sidomos punonjësit e administratës publike, u përballën me presione për të treguar preferencat politike. Në shumë raste, aktivistët e partive politike (kryesisht PS dhe PD) mbajtën shënime për zgjedhësit që votuan, duke sfiduar të drejtën e tyre për të votuar të lirë dhe pa frikën e ndëshkimit” thuhet në raportin paraprak.

Misioni foli me tona të ashpra lidhur me veprimtarinë e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. OSBE/ODIHR konsideroi se KQZ gjatë veprimtarisë së saj e interpretoi ligjin jo në mënyrë koherente. Kjo lloj performance nga ana e KQZ dëmtoi procesin zgjedhor, duke lënë organe që merren me mbarëvajtjen e procesit zgjedhor pa përfaqësim politik të balancuar.

“Pas bojkotit të opozitës, KQZ  e interpretoi në mënyrë kreative ligjin dhe nuk ishte transparente në veprimtarinë e saj. Refuzimi nga opozita për të emëruar anëtarë në KQZ dhe KZAZ, e la përfaqësimin politik të pabalancuar. “

Nga ana tjetër Misioni vuri në dukje parregullësitë e KQZ në regjistrimin e partive të reja. Në raport përmendet fakti i regjistrimit të Bindjes Demokratike (BD) si subjekt zgjedhor më 27 prill edhe pse ajo qe regjistruar si parti vetëm më 25 prill me një vendim gjykate që ende nuk ka marrë formë të prerë.

Problematikë tjetër e evidentuar nga misioni gjatë vëzhgimit ishin parregullsitë në procesin e votimit.Sipas tyre, në ditën e votimit zgjedhësit nuk u kontrolluan gjithmonë nëse e kishin shenjën e bojës së votimit në gisht, pati raste ku  nuk shënjoheshin me bojë para se t’u jepeshin fletët e votimit, apo kryenin votimi në grup ose familjar dhe pati raste ku u cënua fshehtësia e votimit.

Në raport ngrihet shqetësimi për mosndëshkueshmërinë e krimeve të mëparshme elektorale.

“Vëzhguesit kanë mbledhur shqetësimet rreth mungesës në përgjithësi të efikasitetit të hetimeve penale, gjë që çon në perceptimin e përhapur të pandëshkueshmërisë për krime zgjedhore në të kaluarën, përfshirë edhe veprat e shitblerjes së votave dhe ushtrimin e presionit mbi votuesit.”

Gjithashtu kritika u ngritën edhe për mediat të cilat u cilësuan nga drejtuesja e misionit Glover si “të njëanshme “.

“Media nuk pati pavarësi dhe në vend të ofronte informacion të paanshme u fokusua te kriza politike dhe jo te zgjedhjet. “

Kjo sipas raportit cënoi të drejtën e qytetarëve për të marrë informacion lidhur me kandidatët për kryetarë bashkie.

Raporti i plotë i OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 30 qershorit do të publikohet pas dy muajsh.

Për çështjen e bashkive ku rezultuan më shumë vota se sa votues,  zonja Glover tha se “ende nuk kishte një pasqyrim të qartë të situatës” teksa këmbënguli se nuk është detyra e saj të çertifikojë zgjedhjet, por t’i vëzhgojë ato.

6 komente

    Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

    Lajme te ngjashme