PD denoncon dy koncesionet e rrugëve: 328 milionë euro për 31 kilometër rrugë

PD denoncon dy koncesionet e rrugëve: 328 milionë euro për 31 kilometër rrugë

Partia Demokratike denocoi sot miratimin nga shumica socialiste të dy koncesioneve të rrugëve Milot-Balldren dhe Orikum-Dukat, me vlerë 328 milionë euro.

Ish-deputetja demokrate Albana Vokshi, në një deklaratë për median nga selia e PD-së, u shpreh:

“Janë 328 milionë euro për dy rrugë me gjatësi vetëm 31 kilometra, afërsisht sa distanca mes Tiranës dhe Durrësit. Me vendimin e sotëm kriminal të këtij parlamenti ilegjitim, 1 kilometër rrugë, do t’i kushtojë popullit më të varfër të Europës 10.5 milionë euro.”

Albana Vokshi denoncoi dhe lidhjet e afërta që kryeministri Rama ka me dy kompanitë që do të përfitojnë koncesionet:

“Kompania që përfiton pjesën e luanit, prej 258 milionë euro për 17 kilometra të rrugës fushore Milot- Balldre është ajo e Ndue dhe Agim Kolës, të njohur për lidhjet e ngushta familjare me Edi Ramën. Ndërsa kompania tjetër, Gjikuria, e koncesionit për Orikum – Dukat, njihet për numrin e madh të tenderave publikë që ka përfituar gjatë qeverisë së Edi Ramës.”

Rruga Milot-Balldren do të ndërtohet nga kompania A.N.K e Agim Kolës. Ajo ka një gjatësi prej 17,2 kilometrash dhe do t’i kushtojë buxhetit të shtetit rreth 260 milionë euro, ose rreth 15,1 milionë euro për kilometër.

Ndërsa rruga Orikum-Dukat me gjatësi 15 kilometra do të kushtojë 70 milionë euro dhe do të ndërtohet nga kompania Gjikuria sh.p.k., rreth 4,6 milionë euro për kilometër.

Të dy koncesionet janë pjesë e paketës “1 miliardë Euro’ investime me kontrata PPP. Të dyja këto kontrata kanë qenë “oferta të pakërkuara” dhe fitues të tenderëve kanë qenë kompanitë që kanë bërë kërkesën e pakërkuar.

Në një artikull të mëparshëm, Exit.al ka bërë krahasimin e kostove për ndërtimin e një rruge apo autostrade në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Europë. Sipas standardeve amerikane ndërtimi i një rruge me shtrat krejtësisht të ri, me dy korsi të ndara në secilin kah, në zona urbane kushton nga $3-5 milionë për milje ose afërsisht nga $1,9-3,1 milionë për kilometër. Në euro kostot standarde të ndërtimit të rrugëve të reja urbane janë: €1,8-2,7 milionë, shifra këto shumë herë më të ulëta se sa kostoja e ndërtimit të rrugës Milot-Balldren dhe asaj Orikum-Dukat.

Veçanërisht shifra 15,1 milionë euro për kilometër e rrugës Milot-Balldren është edhe më alarmante po të kemi parasysh se kjo rrugë shtrihet në terren fushor dhe do të ndjekë gjurmën e rrugës ekzistuese, pra nuk do të ketë nevojë për të hapur një shtrat të ri.

Ish-deputetja Vokshi deklaroi se Partia Demokratike do të miratojë që në ditët e para të ardhjes në pushtet, ligjin anti-mafia i cili do të sigurojë që paratë e përfituara sot në mënyrë korruptive nga kompanitë e preferuara të Ramës, t’i kthehen qytetarëve.

1 koment

    Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

    Lajme te ngjashme