Policia do të rikthehet, tërheqja e mbrëmshme taktike

Nga Ilmi Rehova
Policia do të rikthehet, tërheqja e mbrëmshme taktike Artistë e qytetarë brenda mjediseve të Teatrit Kombëtar

Pasi mbajti të rrethuar, për mbi gjashtë orë të mërkurën, ndërtesën e Teatrit Kombëtar, ku janë ngujuar artistë dhe qytetarë, policia hoqi krejt papritur rrethimin rreth orës 22:00 të mbrëmjes.

Lëvizja u duk e pashpjegueshme për qytetarët, të cilët qëndruan për orë të grumbulluar përballë kordonit të policisë dhe tentuan disa herë ta çanin atë për t’ju bashkuar artistëve që kanë pushtuar teatrin.

Por tërheqja e mbrëmshme duket se ka qenë taktike. Sot, Shqipërinë e viziton Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së Thomas Greminger, i cili do të diskutojë në lidhje me zgjedhjet e debatuara të 30 qershorit, të cilat u kritikuan ashpër në raportin paraprak të OSBE-ODIHR-it.

Burime nga Bashkia Tiranë u shprehën për Exit.al se për të shmangur përplasje të mundshme dhe të dukshme me qytetarët, çfarë do të përkeqësonte imazhin e një qeverise të shkëputur nga qytetarët, Kryeministri Rama vendosi të tregohet i kujdesshëm, të paktën deri në largimin e Zotit Greminger.

Në të vërtetë i gjithë veprimi i mbajtjes së rrethuar të ndërtesës së teatrit nga policia për t’i izoluar artistët dhe qytetarët brenda ndërtesës duket i pashpjegueshëm, pasi ligjërisht prishja e godinës nuk mund të bëhet edhe për disa muaj, nëse përfundimisht ajo do të prishet.

Nuk ka asnjë dyshim se Edi Rama nuk është tërhequr nga prishja e teatrit për t’i hapur rrugë një zhvillimi të madh privat. Këtë e dëshmon fushata e propagandës intensive që ka nisur ai dhe kryebashkiaku Veliaj këto dy ditë, me një sërë postimesh në rrjetet sociale, përfshi edhe një mesazh propagandistik video.

Por ligjërisht, ndërtesa nuk mund të prishet deri në nxjerrjen e lejes së ndërtimit. Prishja e ndërtesës duhet të bëhet me vendim të posaçëm prishjeje që merret nga kryebashkiaku. Por rregullat përcaktojnë (VKM Nr. 408, datë 13.5.2015, i ndryshuar) se për rastet kur në vend të objektit të prishur do të ndërtohet i ri, aplikimi për leje prishje duhet të shoqërohet me lejen e ndërtimit të objektit të ri.

Kjo do të thotë se deri në përzgjedhjen e kompanisë fituese dhe nxjerrjen e lejes së ndërtimit për e ndërtesën e re të teatrit, nuk mund të aplikohet ligjërisht për leje prishjeje dhe teorikisht nuk mund të prishet.

Tenderi për kompaninë zhvilluese është i hapur deri më 19 shtator 2019. Pas këtij afati do të duhen edhe javë, në mos muaj, të tërë për vlerësimin e ofertave dhe shpalljen e fituesve, për lidhjen e kontratës dhe pastaj miratimin e projektit dhe lejes ndërtimore. Sado që të përshpejtohen, këto veprime do të kërkojnë disa muaj dhe nuk mund të mbyllen veçse në 1-2 muajt e fundit të vitit.

Të mbash të rrethuar ndërtesën me policë deri atëhere duket absurde dhe jo praktike. Kjo të bën të mendosh se plani i Edi Ramës është ta prishë ndërtesën shumë më përpara dhe në shkelje të ligjit.

I gjithë projekti për ndërtesën e re të Teatrit Kombëtar është bërë në shkelje të ligjit dhe nuk do ishte habi që kryebashkiaku Veliaj të vendoste në mënryë arbitrare dhe të paligjshme për prishjen e ndërtesës së tanishme.

1 koment

  1. t 25 Korrik, 2019 në 3:09 pm

    Sipas vkm 408 leja per prishje eshte pjese e lejes se ndertimit (kur prishja shoqerohet me ndertim te ri)dhe nuk behet aplikim.Me daljen e lejes ndertimit njekohesisht ka dale edhe leja prishjes e cila shenohet te leja ndertimit.Pra, pa dal leja ndertimit nuk mund te filloje prishja e objektit(teatrit ne kete rast)

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme