Presidenti: 30 qershori i paligjshëm, zgjedhje të gjithanshme më 13 tetor

Presidenti: 30 qershori i paligjshëm, zgjedhje të gjithanshme më 13 tetor

Presidenti Ilir Meta ka ftuar sërish partitë politike t’i bashkohen propozimit të tij për zgjedhje të gjithanshme më 13 tetor.

Në një deklaratë për shtyp, Meta thekson se zgjedhjet e 30 qershorit “ishin antikushtetuese dhe tërësisht të paligjshme”, kjo pasi dekreti i tij që e anuloi këtë datë “nuk u kundërshtua në asnjë gjykatë”.

Meta sqaron se dekreti i tij nuk është ndryshuar, nuk është anuluar dhe as shfuqizuar duke i bërë kështu zgjedhjet e 30 qershorit “tërësisht të paligjshme”.

Në deklaratë Meta sqaron edhe pretendimin e socialistëve se “dekreti i Presidentit u hodh poshtë nga Kolegji Zgjedhor” me shqyrtimin që Kolegji i bëri anksës së Partisë Uniteti Kombëtar (PUK), që ishte në koalicion me PS-ën dhe që donte të çrregjistrohej nga zgjedhjet.

Meta thekson se:

Kolegji Zgjedhor nuk ka kompetencë të shqyrtojë vlefshmërinë e dekreteve të Presidentit, pasi këtë të drejtë nuk ia njeh as Kushtetuta, as Kodi Zgjedhor dhe as ndonjë ligj tjetër në fuqi në Republikën e Shqipërisë.

Ai argumenton më tej se vendimi i Kolegjit Zgjedhor për ankesën e PUK, nuk prek aspak vlefshmërinë e dekretit, pasi përvecse jashtë kopetencave vendimmarrëse, Presidenti nuk qe thirrur as për të qenë palë në proces. Duke theksuar se vendimet e Kolegjit Zgjedhor, kanë efekt vetëm përkundrejt palëve në proces Meta thotë se dekreti i tij mbeti në fuqi pavarësisht se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vazhdoi me procesin e zgjedhjeve të 30 qershorit. 

Presidenti rikujtoi më tej se vetëm Gjykata Kushtetuese e ka këtë kompetencë dhe thotë se këtë gjë e njeh edhe OSBE/ODIHR-i në raportin e tij për zgjedhjet ku thotë se “Gjykata Kushtetuese është i vetmi organ i mandatuar për të vendosur në lidhje me kushtetutshmërinë e dekreteve të Presidentit”.

Meta vazhdon më pas me dekretin tjetër, atë të 27 qershorit, ku shpalli datën 13 tetor si datë zgjedhjesh vendore.

Ai thotë se dekreti i është njoftuar për zbatim KQZ-ës dhe është me fuqi detyruese për zbatim nga të gjithë pasi sipas kushtetutës vetëm Presidenti mund të vendosë një datë zgjedhjesh.

Duke bërë thirrje që “të gjitha palët politike të mos thellohen në rrugën e paligjshmërisë, njëanshmërisë dhe konfliktualitetit” Meta shprehu sërish propozimin e tij që më 13 tetor të mos zhvillohen vetëm zgjedhje vendore, por edhe parlamentare apo dhe presidenciale nëse palët politike do ta shihnin të nevojshme për zgjidhjen e krizës.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme