Presidenti Meta i kërkon llogari KLGJ për vonesat në krijimin e Gjykatës së Lartë

Presidenti Meta i kërkon llogari KLGJ për vonesat në krijimin e Gjykatës së Lartë

Presidenti i Republikës i kërkoi sot informacion Këshillit të Lartë Gjyqësor, për vonesat në plotësimin e vendeve në Gjykatë të Lartë dhe për opinionin ligjor të Euralius.

Presidenti Meta në kërkesën e tij  kritikoi KLGJ-në për shkeljen e afatit për plotësimin e vendeve bosh në GJL. Sipas tij KLGJ duhet të kishte filluar tashmë me procedurën e përzgjedhjes së anëtarëve jogjyqtar të Gjykatës së Lartë dhe mungesa e veprimit nga ana e KLGJ përbën shkelje të Kushtetutës, të drejtave të njeriut dhe cenon kompetencat kushtetuese të Presidentit.

“Kërkesa për informacion mbështetet jo vetëm në nenin 92/h të Kushtetutës, por dhe referuar kompetencave që ka Presidenti i Republikës sipas nenit 136 të saj, në të cilin parashikohet e drejta e Presidentit të Republikës në procesin e emërimit të gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, që eventualisht po cenohen nga mosveprimi apo nga vonesat e Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ).

Këto vonesa në kryerjen e procedurave përkatëse cenojnë drejtpërdrejtë funksionalitetin e Gjykatës së Lartë dhe në këtë mënyrë edhe stabilitetin e sistemit gjyqësor në tërësi.Veç të tjerave, përbën shkelje të drejtëpërdrejtë të nenit 42/2 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe parashikimev të nenit 6/1 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.”, shkruhet në kërkesë.

Opinioni ligjor i Euraliusit ishte gjithashtu objekt i kërkesës. Pak kohë më parë Euralius i rekomandoi KLGJ të plotësojë vendet bosh të Gjykatë së Lartë që tashmë ka mbetur me dy gjyqtarë, me gjyqtarë të përkohshëm nga shkallët e ulëta.

Presidenti Meta e konsideroi këtë opinion antikushtetues, i cili cenon parimet kryesore kushtetuese të vendit. Situata emergjente për të cilën flitet në opinion, ka ardhur si pasojë e vonesave të vet KLGJ, shprehet Presidenti. Opinioni synon të japë zgjidhje ekstra ligjore duke cenuar Kushtetutën, ligjin dhe besimin e publikut te reforma në drejtësi.

Exit.al është shprehur më parë për antikushtetueshmërinë e këtij opinoni ligjor, në një artikull të mëparshëm.

Në përfundim të kërkesës Presidenti Meta i kërkoi KLGJ të vendosej në pozita pune për ta rikthyer në normalitet Gjykatën e Lartë, me mjete ligjore dhe kushtetuese.

1 koment

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme