Presidenti nuk njeh 30 qershorin, propozon zgjedhje të gjithanshme më 13 tetor

Presidenti nuk njeh 30 qershorin, propozon zgjedhje të gjithanshme më 13 tetor

Presidenti Ilir Meta i ka konsideruar zgjedhjet e 30 qershorit “votime socialiste” dhe “një turp për vendin” duke nënkuptuar se nuk i njeh ato.

Në një konferencë të hapur për mediat, Presidenti foli gjatë, por prezantoi një propozim të ri për zgjidhjen e situatës: zgjedhje vendore, zgjedhje të përgjithshme dhe zgjedhje presidenciale në të njëjtën datë, më 13 tetor.

Me një pamje dhe ton të revoltuar, Presidenti e konsideroi qeverinë të kapur nga “axhenda të nëndheshme” që synojnë të uzurpojë shtetin.

Ai sulmoi diplomatët e huaj, duke aluduar se ata janë pjesë e një axhende të fshehtë antikushtetuese dhe në dëm të shqiptarëve.

Presidenti pohoi se e kishte paralajmëruar opozitën që “të mos binte pre e provokimeve të një grupi të strukturuar që ai e quajti PPP”, iniciale, të cilat i shpjegoi kështu:

P-politikanët, P-propaganda, P-policia jo si polici por si rrugët policeske që shantazhojnë qytetarët, gazetarët, politikanët, ndërsa d-ja e vogël janë diplomatët që kanë lënë axhendën e vendeve të tyre dhe sillen sipas qejfit të Ramës.

Presidenti Meta vazhdoi më tej duke thënë se ky grup punon me parimet e kapjes së shtetit dhe nënkuptoi se Kryeministri Rama është thjesht personi që po përdoret nga ta:

PPPd është një grup që punon sipas parimeve të deep-state-it për state-capture, që punon për kapjen e shtetit, kanë gjetur edhe njeriun e duhur për këtë gjë, nuk vjen në takim me Presidentin, por lahet në pishinë.

Duke folur për komplot të huaj kundër demokracisë dhe pasi nënkuptoi këtu lidhjet e Kryeministrit me George Soros, Meta e përmendi atë me emër. Ai kujtoi këtu një këshillë të homologut hungarez Viktor Orbán, i cili sipas Presidentit dikur i kishte thënë se “duhet patur kujdes pasi shpesh Soros komploton kundër demokracisë”.

Për sa i takon pretendimit të maxhorancës dhe të ndërkombëtarëve se duhej vazhduar me mbajtjen e zgjedhjeve për të mos e kthyer këtë në një precedent për të ardhmen, Meta tha se ata “nuk kanë hallin e precedentit, por të eksperimentit” dhe për këtë këmbënguli se nuk duhet lejuar më që “të tallen me Shqipërinë”.

Më pas Meta foli për zgjidhjen e krizës, të cilën ai e konsideroi si krizë jo vetëm e dy palëve, por e shtetit. Fillimisht ai theksoi se zgjedhjet janë më 13 tetor dhe i konsideroi “pallavra” veprimet e KQZ-ës. Më tej Presidenti tha se nuk e kishte kërkuar mëparë largimin e Ramës njëjtë sikurse e kërkonte opozita, por në propozimin e ri foli për zgjedhje të gjithanshme, qoftë vendore, qoftë parlamentare qoftë dhe presidenciale nëse do ishte e nevojshme:

Eshtë në interes të të gjithë shqiptarëve, që duan të zgjedhin drejtuesit dhe përfaqësuesit e tyre, kjo është përgjegjësi e të dyja palëve, por edhe e disa të tjerëve që u përfshinë në këtë lojë shqiptare kundër parimeve evropiane dhe parimeve të cilat qëndron aleanca jonë… edhe zgjedhje të përgjithshme edhe zgjedhje për president, dhe unë kandidoj për këtë gjë…

Propozimin e tij Meta theksoi se e mendonte të zbatohej më 13 tetor, datë të cilën ai dekretoi zgjedhjet vendore, por që nuk u respektua nga maxhoranca. Duke u shprehur shpesh se ishte i hapur edhe për propozime të tjera, Presidenti kritikoi ashpër Kryeministrin. Ai e quajti reformën në drejtësi si ramaformë dhe ia faturoi atij largimin e opozitës nga Parlamenti dhe gjithë përshkallëzimin e situatës.

Presidenti më pas priti disa pyetje nga gazetarët. I pyetur për çfarë nënkuptonte ai me shprehjen “ramaformë”:

Ramaforma është një koloni e tiranisë kriminale e një regjenti të një fondacioni botëror.

Duke qenë se konferenca e tij për shtyp përkonte me ngjarjet e 2 korrikut 1990 ku mijëra shqiptarë mësynë ambasadat Meta theksoi në shumë raste se nuk duhej lejuar që e njëjta situatë e ikjeve masive nga vendi të vazhdojnë edhe sot. Presidenti këmbënguli se vetëm zgjedhjet dhe kapërcimi i krizës përpara 17-18 tetorit mund ta shpëtojnë vendin nga një tjetër dështim në hapjen e negociatave.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme