Prishja e ndërtesës në Sheshin Italia — arbitraritet e dhunë qeveritare

Prishja e ndërtesës në Sheshin Italia — arbitraritet e dhunë qeveritare Moment gjatë prishjes së godinës ku një nga ambientet e saj nuk ishte liruar ende.

Pak ditë më parë, Bashkia Tiranë prishi ndërtesën katër katëshe prej qelqi në Sheshin Italia në Tiranë, me një procedurë urgjente dhe në shkelje të ligjit. Shembja u bë pa bërë më parë kompensimin për shpronësimin dhe para se ajo të lirohej plotësisht nga sipërmarrjet, që kishin zyrat e tyre në ndërtesë.

Seria e shkeljeve ligjore në procedurë, u pasua, gjatë shembjes, edhe me dhunim të të drejtave të njeriut dhe dinjitetit njerëzor të punonjësve të kompanive që kishin zyrat e tyre aty në marrëdhënie qiramarrësish.

Si rrodhën ngjarjet

26 qershor: Kryeministri Edi Rama vendosi me vendim të Këshillit të Ministrave (VKM) të shpronësojë “për interes publik” ndërtesën para Stadiumi në ndërtim Arena Kombëtare, sepse “preket nga projekti i rikualifikimit të Sheshit Italia”.

3 korrik: Drejtoria e Përgjithshme e Aseteve dhe Licensimit në Bashkinë Tiranë ia përcjell vendimin Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) po në Bashkinë Tiranë.

4 korrik: IMT nuk i ka dërguar një urdhër lirimi pronarëve të ndërtesës. Pra, pronarët e ndërteses nuk kanë marrë njoftim zyrtar për prisjen e ndërtesës. Ky veprim ka shkaktuar edhe mos lajmërimin e sipërmarrësve që kishin marrë me qira ambientet në këtë ndërtesë.

12 korrik: IMT, fillon në orën 7:00 të mëngjesit, prishjen e godinës edhe pse ajo nuk ishte liruar krejtësisht. Një kompani shqiptaro-amerikane e cila kishte zyra me qira, nuk kishte nxjerrë asnjë pajisje, mobilje dhe dokumenta nga zyrat. Madje në momentin e fillimit të prishjes asnjë nga punonjësit e kompanisë nuk kishte mbërritur ende në zyrë.

Pasi punonjësit e kompanisë shqiptaro-amerikane vijnë në punë dhe shikojnë se si prishja po bëhet duke shkatërruar të gjitha sendet dhe dokumentet e tyre, komunikojnë në mënyrë paqësore me oficerët e Policisë Bashkiake dhe asaj të rendit duke i kërkuar që të nxjerrin përkatësitë e tyre jashtë zyrës, por nuk lejohen. Kërkesat e dëshpëruara dhe pastaj të acaruara të tyre refuzohen kategorikisht nga inspektorët e ndërtimit dhe policët bashkiakë.

13 korrik: Përfundon prishja e godinës duke shkatërruar çdo gjë që ndodhej në zyrat e kompanisë shqiptaro-amerikane të ndërtimit, përfshi të gjitha sistemet e informacionit dhe dokumentacionin e saj.

Shkeljet e ligjit dhe të drejtave të njeriut

Prishja e Godinës u bë në shkelje të hapur të Ligjit të Shpronësimit, i cili kërkon që prishja e pronës private të bëhet vetëm pasi të jetë përfunduar plotësisht procesi i shpronësimit, pra që praktikisht prona të ketë kaluar në pronësi shtetërore, pas të cilës shteti mund ta prishë.

Në nenin 16/4, ligji shprehet se vetëm “me përmbushjen e detyrimeve të ndërsjella, procedura e shpronësimit të këtyre pasurive pronë private, quhet e përfunduar”. Kjo do të thotë se qeveria duhet të përmbushë më parë detyrimin e saj për caktimin dhe shlyerjen e vlerës së kompensimit. Kjo gjë nuk ka ndodhur, prandaj ndërtesa është prishur në mënyrë të paligjshme para se të plotësohej procesi i shpronësimit.

Ligjërisht, Bashkia Tiranë ka prishur në mënyrë të paligjshme një ndërtesë ende private në momentin e prishjes.

Në prishjen e ndërtesës janë shkelur të gjitha të drejtat e pronarëve në lidhje me procedurën e shpronësimit.

Ligji kërkon që njoftimi i shpronësimit të bëhet publik, pastaj t’u njoftohet pronarëve, t’u jepet kohë atyre për t’u njohur me kushtet e shpronësimit, të njoftojnë autoritetet nëse bien dakord me kushtet e shpronësimit apo kanë pretendime ndaj tyre, të cilat duhet të konsiderohen nga autoritetet.

Për çdo rast ligji përcakton se shpronësimi nuk mund të kryehet më parë se një muaj nga data e shpalljes publike të vendimit të shpronësimit. Neni 16/4 i Ligjit për Shpronësimit shprehet:

Ministria kompetente, brenda 15 ditëve nga marrja e përgjigjes nga i njoftuari, por në çdo rast jo më përpara se 1 muaj nga data e fundit e afatit të publikimit të kërkesës për shpronësim për interes publik, në rastet kur të njoftuarit kanë pranuar kushtet e ofruara prej saj apo i ka gjetur si të drejta edhe pretendimet e paraqitura prej tyre, në kuadrin e shpronësimit dhe me autoritetin e organit që bën shpronësimin, kryen me të njoftuarit, sipas rastit, veprimet për kalimin e pronësisë në favor të shtetit kundrejt shpërblimit apo pagesës së masës të kompensimit për zhvlerësimin e pasurive pronë private ose të të drejtave të të tretëve për shkak të shpronësimit.

Vendimi për shpronësimin është marrë më datën 26 qershor 2019, por është botuar në Fletoren Zyrtare më datën 28 qershor.

Sipas afateve ligjore shpronësimi nuk mund të përfundohej para datës 28 korrik, por Bashkia Tiranë ka bërë prishjen brenda dy javësh, më datën 12 korrik, pa e përfunduar procesin e shpronësimit.

Ndërkohë, pronarëve nuk u është dhënë mundësia të paraqesin pretendimet e tyre në lidhje me kushtet e shpronësimit.

Abuzimi më i madh është afati pesë ditor për lirimin e mjediseve. Një afat absurd dhe i pamundur që një biznes, pa asnjë dijeni të mëparshme, të gjejë mjedise të reja dhe të zhvendoset në to pa cënuar ecurinë dhe interesat e biznesit. Afati ka cënuar haptasi të drejtat e tyre të sipërmarjes dhe interesat e biznesit të tyre.

Por abuzimet ligjore, nuk mbarojnë me kaq, ato u shtuan nga veprimet arbitrare dhe abuzive të zyrtarëve dhe punonjësve publike gjatë procesit të prishjes.

Ligji për Shpronësimet (Neni 3) shprehet se shpronësimi i pronës private realizohet “duke garantuar transparencën, barazinë e shtetasve, mbrojtjen e interesave dhe të drejtave të tyre pasurore”.

Kompanisë shqiptaro-amerikane iu ndalua forcërisht hyrja në zyra për marrjen e dokumentave dhe sendeve në pronë të saj. Prishja e godinës bëri të pa mundur që ajo të lironte zyrat dhe kjo i shkaktoi kompanisë dëme të rënda të aktivitetit.

Në këtë mënyrë, IMT shkeli ligjin pasi nuk i garantoi kompanisë mbrojtjen e interesave dhe të drejtave të saj mbi pronën, që ajo kishte si qiramarrëse në ndërtesën që u shemb.

IMT vepron në bazë të urdhërave administrativë, që i kërkojnë zbatimin e vendimeve të ndryshme, qoftë edhe të VKM-ve.

Por urdhrat administrativë apo dhe vendimet e qeverisë nuk mund të jenë mbi konventat ndërkombëtare të ratifikuara nga shteti shqiptar, që i garantojnë qytetarëve të drejtat e pronës.

Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut i detyron shtetet që e kanë nënshkruar atë që të mbrojnë pronën dhe t’i mundësojnë qytetarëve të drejtën “e gëzimit paqësor” të saj.

Në rastin e shembjes së godinës në Sheshin Italia, shpronësohej godina dhe trualli, jo orenditë, pajisjet e zyrave, kasaforta apo arkivi i kompanisë, që shfrytëzonte hapësirat aty si qiramarrëse.

Përpara nisjes së aksionit, oficerë të policisë bashkiake i penguan forcërisht punonjësit e kompanisë që t’i nxirrnin jashtë zyre sendet e tyre.

Ky veprim konsiderohet si “dëbim me forcë” nga prona dhe sipas Kombet e Bashkuara është “shkelje të të drejtave të njeriut”.

Në Sheshin Italia ka rreth dy vite që punohet për ta rikualifikuar atë si “shesh me parking nëntokë”, ndaj asgjë nuk e justifikon nxitimin e Bashkisë për të shembur një godinë edhe duke shkelur ligjet.

2 komente

    Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

    Lajme te ngjashme