Rama fajëson opozitën për rritjen e informalitetit në ekonomi

Rama fajëson opozitën për rritjen e informalitetit në ekonomi

Kryeministri Rama fajësoi sot opozitën për rritjen e informalitetit në ekonomi dhe punën e dobët të administratës tatimore, veçanërisht në luftën kundër punësimit në të zezë dhe mos lëshimit të kuponave tatimorë.

Duke folur gjatë prezantimit të Delina Ibrahimit si drejtoresha e re e Tatimeve, Kryeministri Rama u shpreh:

“Lëvizja antishtet ka patur një ndikim negativ mbi publikun, sipërmarrjen dhe administratën.

Një nga pasojat e gjithë këtij ndikimi negativ mund të thuhet padyshim është edhe rritja e shkallës së informalitetit.”

Kryeministri deklaroi se pavarësisht luftës së ashpër së qeverisë për marrjen e kuponave tatimorë në dyqane, kohët e fundit sërish ka abuzime:

“Jemi në kushtet kur dhënia e marrja e kuptonit është rikthyer në nivelet më të ulëta para se të niste lufta e vështirë por e domosdoshme kundër informalitetit , dhe kjo është përgjegjësi e drejpërdrejtë e administratës tatimore.”

Tjetër dështim i administratës sipas Ramës është dhe rritja e punës në të zezë. Duke iu drejtuar punonjësve të Drejtorisë së Tatimeve të pranishme në sallë, Rama u shpreh:

“Informaliteti ka prekur përsëri në mënyrë të ndjeshme edhe tregun e punës. Sot kemi aktualisht shifrën më të ulët historike të papunësisë, 12.1 pë qind ndërkohë që kemi rritje të frikshme të informalitetit në punë. Një nga arritjet më të rëndësishme të kësaj maxhorance ka qenë arritje në funksion të parandalimit të punës në të zezë.

Kjo arritje nuk mund të asgjësohet. Është për të ardhur keq që raportohet një numër i rritur kontrollesh, ndërkohë që efektiviteti i këtyre kontrolleve është në rënie.”

Kryeministri paralajmëroi nëpunësit se ata që nuk përmbushin objektivat do të shkarkohen nga detyra:

“Asnjë drejtues që nuk përmbush objektivin e rezultatit të përmuajshëm nuk është i mirëkuptuar. Edhe punonjësit që nuk përmbushin objektivin nuk janë të mirëkuptuar.”

Rama e përfundoi fjalën e tij me një paralajmërim për bizneset që të respektojnë ligjet dhe të mos abuzojnë pasi nga sot nuk do të tolerohet askush:

“Mos e sprovoni administratën dhe mos e sprovoni shtetin, sepse nuk do të tolerohet askush.”

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme