Robert Budina kundërshton ambasadorin Soreca: duhet pritur vendimi i Kushtetueses

Robert Budina kundërshton ambasadorin Soreca: duhet pritur vendimi i Kushtetueses

Regjisori Robert Budina, i pranishëm në një konferencë për shtyp të organizuar nga prezenca e Bashkimit Evropian, ka replikuar me ambasadorin Luigi Soreca duke mos rënë dakord me të se çështja e Teatrit Kombëtar është e politizuar.

Sot në një deklaratë për shtyp ambasadori i BE-së sërish nuk pranoi të shprehej në anën e qytetarëve shqiptarë duke mos mbështetur zbatimin e Kushtetutës.

Por Budina i është përgjigjur duke renditur disa argumenta:

Nuk jam dakord me ju! Nuk është e politizuar situata. E dyta, qeveria duhet të respektojë artistët, të presë. E treta, të mos i sulmojë brenda Teatrit Kombëtar. E katërta, me ju kemi kërkuar një takim dhe duhet të takohemi sepse situata është shumë kritike. E pesta, minimumi që mund të bëjë qeveria, përpara se të fillojë tenderin, i cili është i paligjshëm, duhet të presë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, sepse kemi gjysmën e popullit që nuk është i përfaqësuar. E gjashta, ne kemi filluar aktivitetin  në Teatrin Kombëtar, po bëjmë rikonjicionin, informacionet e qeverisë nuk janë të sakta.

Teatri nuk rrezikon dhe ne kemi hapur festivalin për mbrojtjen e Teatrit ku do të vijnë artistë nga e gjithë bota, përfshirë edhe z.Placido që na mbështet. Nuk doja që të hapja asnjë polemikë, doja thjesht të komunikoja. Ne do t’i zgjidhim me maturi, ashtu si 1 vit e gjysëm ne kemi bërë vetëm protestë paqësore dhe jemi investuar tre orë në ditë për të fituar demokracinë në Shqipëri, të cilën do ta realizojmë.

Gjithashtu, pjesë e grupit të artistëve që replikuan ndaj ambasadorit Soreca, ishte edhe Taulanda Jupi, pedagoge në Universitetin e Arteve.

Jupi iu drejtua ambasadorit me pyetje publike në rrjetin e saj social Facebook:

Çfarë mendoni Shkëlqesia juaj për faktin se autoriteti më i lartë i vendit, Presidenti i Republikës e ka ankimuar në Gjykatën Kushtetuese ligjin special? Pra sipas jush, duhet të presim përfundimin e tenderit, procedurat e të cilit do të jenë të hapura deri në 19 shtator, apo të presim ngritjen e Gjykatës Kushtetuese dhe vendimin e saj?

Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së, Thomas Greminger, deklaroi javën e kaluar se:

“Të gjitha palët e përfshira duhet të presin për vendimin e Gjykatës Kushtetuese përpara se të ndërmarrin hapa të mëtejshëm.”

Ndërkohë nga të gjitha deklaratat, është për t’u theksuar se Soreca nuk e ka dënuar dhunën e përdorur nga Policia e Shtetit, më 24 korrik, kundër aktorëve dhe qytetarëve që po mbrojnë Teatrin Kombëtar nga shpronësimi dhe shembja.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme