Shkrumbimi i anijes në Karaburun nxjerr në pah pasiguritë e turizmit detar

Shkrumbimi i anijes në Karaburun nxjerr në pah pasiguritë e turizmit detar

Flakët që shkrumbuan një anije turistike mëngjesin e së hënës në Karaburun, alarmuan autoritetet detare, të cilat kanë kërkuar kontrolle më të rrepta për sigurinë.

Një anije turistike, plot me 230 litra naftë u dogj në det mëngjesin e së hënës pranë gjirit të Shën Vasilit në Karaburun.

Fatmirësisht nuk pati të lënduar, por vetëm dëme materiale. Sidoqoftë rasti në fjalë ngre alarmin për kushtet e anijeve që ofrojnë udhëtime turistike në det.

Drejtoria e Përgjithshme Detare dha detajet e ngjarjes përmes një postimi në Facebook duke e shoqëruar edhe me shqetësim gjithë çka ndodhi.

Sipas Drejtorisë Detare, anija e quajtur “Aqua Marine”, e cila përdorej për qëllime turistike, qe ankoruar në molin e plazhit të Shën Vasilit në Karaburun për shkak të kohës së keqe.

Në të ndodhej vetëm ekuipazhi prej 5 personash: kapiteni Ervis Hoxha, marinarët Edison Shaha, Erald Hoxha, Renato Koçiu dhe motorristi Benard Allushaj.

Autoritetet thonë se zjarri mund të ketë rënë rreth orës 03:45-4:00. Pasi ka konstatuar zjarrin ekuipazhi i “Aqua Marine” ka komunikuar me një anije tjetër të quajtur A/T Black Pearl.

Kjo e fundit ka njoftuar Kapitenerinë e Portit Vlorë në orën 05:51 dhe se anija që po digjej “ndodhej në plazhin e Dhim Kushtës në Karaburun”.

Pas një ore, në të cilën është angazhuar edhe Roja Bregdetare, flakët janë shuar, ndërsa ekuipazhi i “Aqua Marine” u shpëtua.

Sipas autoriteteve zjarri dogji 230 litra naftë në det dhe ishte aq i menjëhershëm sa “ekuipazhi s’ka pasur kohë të marrë masa për fikjen e tij dhe është hedhur në det”.

Duke marrë shkas nga kjo ngjarje, Drejtoria e Përgjithshme Detare i ka kërkuar autoriteteve përgjegjëse që të kontrollojnë rreptësisht anijet për regjistrimet, licencat dhe standardet e tyre në sezonin turistik.

Që pas vitit 2015, me hapjen për turistët edhe të ishullit të Sazanit, guidat turistike që ofrojnë lundrim në detë janë bërë edhe më të shpeshta.

Zakonisht iteneraret turistike nisen nga Radhima ose Orikumi, vazhdohet drejt gjirit të Shën Vasilit në Karaburun e më tej vizitohen shpella e Haxhi Alisë dhe ishulli i Sazanit, një itinerar ky me mbi 50 kilometra distancë që frekuentohet shumë.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme