Shqipëria beton dhe koncesione: 5 drejtimet e strategjisë ndërtimore të Kryeministrit

Shqipëria beton dhe koncesione: 5 drejtimet e strategjisë ndërtimore të Kryeministrit

Tema kryesore e konferencës për shtyp të Kryeministrit Rama ishte ajo e ndërtimeve. Ai ka konfirmuar se qeveria do të zbatojë planet për ndërtime masive në çdo pjesë të vendit nga qendra e Tiranës dhe përgjatë gjithë bregdetit.

Drejtimet kryesore të strategjisë ndërtimore të Kryeministrit Rama janë përshkruar më poshtë.

1. Do ndërtohet e gjithë qendra e Tiranës

Kryeministri Rama konfirmoi se do të ndërtohen të gjitha kullat e projektuara në qendër të Tiranës.

Aktualisht, janë shtatë kulla në ndërtim, në qendër të qytetit, dhe dhjetëra të tjera ose të projektuara ose në fazën e projektimit.

Ndër të tjera, tashmë janë planifikuar: gjashtë kulla në truallin e Teatrit Kombëtar dhe përqark, tre kulla përqark Hotel Sheratonit, disa kulla pas Pallatit të Kulturës, një kullë e lartë anash Hotel Tiranës, disa kulla në ish-territorin e Gardës së Republikës, disa në gjithë hapësirën e Parkut të Liqenit midis restoranteve Juvenilia dhe Lion Park, disa të tjera tek parku përqark Disco Calvin.

2. Ndërtesa e Teatrit Kombëtar do të prishet

Kryeministri pohoi se nuk do të presë vendimin e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me ligjin e teatrit.

Ai rikonfirmoi se do të shembet ndërtesa aktuale dhe do të ndërtohet një ndërtesë e re për Teatrin Kombëtar, si dhe një kompleks kullash përqark tij.

Tokën publike që do i jepet privatit, ai e zhvleftësoi duke thënë se ajo është një grumbull ndërtesash të panevojshme.

3. PPP edhe për kampusin universitar dhe Bibliotekën Kombëtare

Kryeministri Rama konfirmoi se formula e përdorur në rastin e Teatrit Kombëtar dhe të stadiumit do të përdoret edhe për ndërtimin e kampusit të ri të Universitetit të Tiranës dhe ndërtesën e re të Bibliotekës Kombëtare.

Ndonëse nuk dha detaje, nisur nga rasti i teatrit dhe stadiumit, qasja është t’u jepet zhvilluesve privatë tokë publike për ndërtime private dhe, në shkëmbim, ata ngrenë ndonjë ndërtesë publike.

Më parë, është bërë e ditur se ndërtesa e re e Bibiliotekës Kombëtare do të ndërtohet në ish-territorin e Gardës së Republikës në pjesën perëndimore të Parkut të Liqenit.

Ideja fillestare ishte që ajo do të ndërtohej me fonde publike, por pas pohimit të sotëm duket se plani i fundit i qeverisë është që territori publik në ish-territorin e Gardës t’i jepet një zhvilluesi privat, i cili do të ndërtojë edhe një ndërtesë për Biliotekën.

Kampusi i Universitetit të Tiranës është planifikuar prej shumë vitesh të jetë në pjesën e fushave  të Qytetit Studenti (ku sot ndodhet terminali i autobuzëve) dhe në një pjesë të Parkut të Liqenit përballë fushave.

Tani duket se një pjesë e Parkut të Liqenit ose e fushave të Qytetit Studenti do t’i jepet privatit, i cili do të duhet të ndërtojë disa ndërtesa shkollore.

Në fakt, prej kohësh ka përpjekje për të zhvilluar një projekt të madh ndërtimi p ivat-publik për zhvillimin e zonës përqark Disko Calvin. Ky zhvillim mund të përfshijë edhe idenë e një kampusi universitar.

4. Bregdeti do të ndërtohet nga veriu në jug

Kryeministri ka pohuar se Shqipëria ka nevojë për hotele me pesë yje dhe rezorte luksoze, të cilat do të ndërtohen përgjatë bregdetit.

Në të vërtetë, më 23 maj 2019, qeveria ka miratuar pesë masterplane për zhvillimin e turizmit përgjatë gjithë bregdetit nga veriu në jugu të vendit.

Sipas këtyre planeve, në pesë zona bregdetare‑Baks-Rrjollë, Rana e Hedhun–Port Shëngjin, Tale, Grykë Derdhje e Ishmit, Spille—dhe në të gjitha zonat turistike me rëndësi kombëtare, që përfshin gjithë bregdetin nga Dhërmiu në Ksamil, do të ndërtohen rezorte turistike.

Aktualisht, qeveria Rama ka miratuar një ligj për investitorë strategjik në bazë të së cilit ajo merr përsipër të ofrojë infrastukturë mbështetëse të financuar nga taksat pubike për investimet strategjike. Nga ky ligj kanë përfituar tetë kompani kryesisht për ndërtime resortesh turistike, përfshi në Gjirin e Lalzit, Dhërmi e në Sarandë.

Duket se ky mekanizëm do të vazhdojë të aplikohet për zhvillimin e resorteve të tjera pëgjatë bregdetit.

Nga ana tjetër qeveria ka përjashtuar nga taksat për 10 vjet hotelet me katër dhe pesë yje, çfarë përbën një tjetër favor për këto lloj investimesh.

5. Do të vazhdojnë koncesionet në infrastrukturë

Sipas Kryeministrit Rama do të fillojnë PPP-të në infrastrukturë për periudhën shtator 2019 deri në korrik 2020. Sipas tij, PPP-të do të përfshijnë edhe rrugën Shëngjin-Velipojë, rrugën e Thethit, rrugën e Semanit; rrugën e Himarës, etj. Më parë është bërë e ditur se autostrada Tiranë—Durrës, gjithashtu, do të jepet me koncesion dhe do të bëhet me pagesë.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme