Shqipëria po plaket, në 5 vitet e fundit numri i pensionistëve u rrit me 12%

Shqipëria po plaket, në 5 vitet e fundit numri i pensionistëve u rrit me 12%

“Shqipëria po plaket dhe emigracioni paraqet rrezik për të ardhmen”.

Ky shqetësim është ngritur së fundmi nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), që kthen vëmendjen te plakja e popullsisë.

Në 30 vitet e fundit popullsia shqiptare është plakur me 12 vite.

Në vitin 1989 mosha mediane ishte 23 vjeç ndërsa në vitin 2019 35.4 vjeç. Kjo do të thotë se tashmë gjysma e popullsisë është më e vjetër se 35.4 vjeç.

Krahasuar me Evropën, Shqipëria vazhdon të ketë moshë mediane të re.

Gjysma e popullsisë në Bashkimin Evropian është më e vjetër se 42.8 vjeç, por vendet e BE-së, janë shumë herë më të zhvilluara se vendi ynë.

Plakja në Shqipëri po tkurr vazhdimisht krahun e punës dhe po shton pensionistët.

Pesë vitet e fundit popullsia në moshën 65-69 vjeç, u rrit me 18.8% (25,137 vetë) dhe ajo e të rinjve 15-19 vjeç u zvogëlua me 17.7% (-45,640 vetë).

Gjatë kësaj kohe, popullsia e përgjithshme e pensionistëve u rrit me mbi 12 për qind duke ulur kështu ndjeshëm forcën e punës.

Pikërisht ky është dhe shqetësimi i ngritur nga FMN në raportin e fundit të saj.

FMN thotë se “forca e punës në Shqipëri, parashikohet të ulet ndjeshëm gjatë tre dhjetëvjeçarëve të ardhshëm”. Sipas saj “popullsia në moshë pune tashmë ka filluar të bjerë, me 0.6 për qind, gjatë viteve 2015-2019”.

Gjithashtu FMN thotë se në të ardhmen Shqipëria mund të përballet me një problematikë për sa i përket pensioneve, pasi “plakja e popullsisë mund të rrisë kërkesat për kujdes shëndetësor dhe nevojat për burime ekonomike për pensione”.

Faktorët që po ndikojnë në këtë situatë janë të shumtë, por ndër më kryesorët janë ulja e lindjeve dhe sidomos emigrimi i  të rinjve të kualifikuar.

Në vitin 2018 në Shqipëri pati 19% (6,826) më pak lindje fëmijësh se në vitin 2014, ndërsa gjatë kësaj periudhe raporti mes të larguarve dhe të kthyerve nga jashtë ka qenë vazhdimisht negativ.

Në pesë vite 2.8% (81,790 persona) e popullsisë u largua dhe nuk u kthye më. Ata që largohen mbeten të rinjtë dhe ata më të kualifikuarit.

Për këtë FMN paralajmëron se “emigrimi i trurit dhe plakja e fuqisë punëtore” mund të ndikojë në ekonomi në cilësinë dhe sasinë e prodhimit mesatar të vendit.

1 koment

    Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

    Lajme te ngjashme