Shtyhet për herë të katërt seanca gjyqësore ndaj ish-Ministrit Tahiri

Shtyhet për herë të katërt seanca gjyqësore ndaj ish-Ministrit Tahiri Ish-Ministri Tahiri dhe avokati i tij Maks Haxhia duke vajtur në Gjykatë.

Gjykata e Krimeve të Rënda ka shtyrë për herë të katërt gjyqin ndaj ish-Ministrit Saimir Tahiri duke caktuar atë të radhës më 10 shtator.

Ashtu si në tre seancat e mëparshme, ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri u paraqit edhe sot me avokatin e tij Maks Haxhia për t’u përballur me akuzat: trafikim lëndësh narkotike të kryer në bashkëpunim (me bandën e Habilajve), për grup të strukturuar kriminal, si dhe për korrupsionin pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë.

Prokuroria dyshon se Tahiri ka qenë në dijeni të veprimtarisë kriminale të grupit të Habilajve dhe ka siguruar paprekshmërinë e veprimtarisë kriminale të tyre. Habilajt nga ana e tyre kanë përdorur automjetin e Tahirit, të cilin ai thotë se ua pati shitur në vitin 2013.

Për këto akuza të rënda Tahiri rrezikon minimumi nga 4 deri në 20 vite burg.

Në seancat e mëparshme, shtyrja qe bërë për mungesë të paraqitjes së përfaqësuesve ligjorë të të dyshuarve të tjerë, 3 ish-zyrtarëve të policisë Vlorë.

Kësaj here shtyrja e seancës u bë për t’i dhënë kohë Prokurorisë për të paraqitur pretencën e plotë.

Kjo gjë solli dhe acarimin e Tahirit, i cili e ka humbur edhe herë të tjera qetësinë në komunikimet me mediat. Ai tha:

Nuk ka asnjë gërmë më shumë se letrat e para që janë çuar në parlament. Dy vjet humbje kohe. Për më shumë do i dëgjoni në seancë kur të dëgjoni pretentimet e prokurorisë e të miat. Shyqyr që u gjetën dokumentat . Merre me mend ça ndodh me njerëzit, kur unë e kam mundësinë të flas para jush. Kjo histori ka nisur me burra me musteqe e ka shkuar me burra me botox.

Hetimet për Tahirin nisën në tetor të 2017 pas arrestimit në Katania të Moisi Habilajt dhe anëtarëve të grupit të drejtuar prej tij. Emri i ish-Ministrit doli në përgjimet e bëra ndaj këtij grupi nga pokuroria italiane.

Habilajt u dënuan nga Gjykata e Katanias më 19 qershor kur seanca ndaj Tahirit në Tiranë u shty për herë të parë. Moisi Habilaj u dënua me 15 vjet, Nazer Seiti me 8 vjet dhe Meridian Sulaj gjithashtu me 8 vjet burg.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme