Shtyhet për herë të tretë gjyqi ndaj ish-ministrit Tahiri

Shtyhet për herë të tretë gjyqi ndaj ish-ministrit Tahiri

Gjykata e Krimeve të Rënda shtyu për të tretën herë gjyqin ndaj ish-Ministrit Saimir Tahiri dhe ish-kreu i Policisë së Vlorës Jaeld Çela.

Seanca u shty për shkak se dëshmitë e anëtarëve të bandës Habilaj: Moisi Habilaj, Nezar Seiti dhe Meridian Sulaj, nuk ishin të përkthyera në shqip, por vetëm në italisht.

Fillimisht, gjatë seancës prokurorët Prençi dhe  Mara kërkuan kohë që të gjenin dokumentet e përkthyera, por pasi nuk arritën t’i gjejnë, i kërkuan gjykatës kohë për t’i përkthyer ato.

Trupi gjykues, i përbërë nga Ardit Mustafaj, Flora Hajredinaj dhe Irena Gjoka, i la afat prokurorisë deri më 22 korrik, kur do të zhvillohet dhe seanca e radhës.

Në përfundim të seancës, ish-ministri Tahiri tha se është i lodhur nga zvarritja e procesit dhe nga veprimet ‘qesharake’ të prokurorisë:

“Ky proces është shtyrë për të tretën herë, herën e parë se letrat e postës ishin të grisura, herën e dytë se nuk ishin bërë njoftimet dhe herën e tretë, që na kanë humbur letrat. Edhe një çerdhe është më e organizuar se kaq. Kjo është qesharake.”

Ish-Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri dhe ish-kreu i Policisë së Vlorës, Jaeld Çela akuzohen nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për përfshirje në trafikun e lëndëve narkotikëve, kryer nga një organizatë e krimit të organizuar e drejtuar nga vëllezërit Habilaj.

Hetimet për Tahirin nisën në tetor të 2017 pas arrestimit në Katania të Moisi Habilajt dhe anëtarëve të grupit të drejtuar prej tij. Emri i ish-Ministrit Tahiri doli në përgjimet e bëra ndaj këtij grupi nga pokuroria italiane.

Prokuroria e Krimeve të Rënda mbylli hetimet në shkurt 2019 dhe dërgoi çështjen në gjykatë.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme