Teatri Kombëtar rihapet sot për publikun me një shfaqje nga Mehdi Malka

Nga Erblin Vukaj
Teatri Kombëtar rihapet sot për publikun me një shfaqje nga Mehdi Malka Foto nga Ermal Hoxha.

Pas një viti e gjysmë Teatri Kombëtar rihapet sot në orën 20:30 për publikun me një shfaqje nga aktori i mirënjohur Mehdi Malka.

Shfaqja, e cila quhet “Marr guximin”, është një monodramë e Vangjel Kozmas, që synon të ndërgjegjësojë dhe frymëzojë edhe më tepër qytetarët që të flasin, të çmojnë të vërtetën dhe të angazhohen në mbrojtjen e të mirës publike e të drejtave të tyre.

Malka, tashmë 67-vjeçar, e ka interpretuar për herë të fundit “Marr guximin” në vitin 2015 në Teatrin Kujtim Spahivogli.

Në të analizohen problemet që e ngarkojnë një shqiptar të zakonshëm, marrëdhëniet e njeriut me veten dhe ata që e rrethojnë duke ngritur pyetjen se “çdo të bëjmë me këtë tranzicionin e madh që na ka ngelur në derë”.

Kjo shfaqje do të jetë pa pagesë dhe i shërben çështjes së artistëve për të ndërgjegjësuar edhe më tej qytetarët pro-çështjes së teatrit.

Aktori i mirënjohur Mehdi Malka bën pjesë në grupin e artistëve, të cilët kanë protestuar kundër shembjes së teatrit dhe tjetërsimit të pronës publike rreth tij.

Prej një viti e gjysmë ndërtesa e Teatrit Kombëtar nuk ka qenë e hapur për publikun. Qeveria pati nxjerrë me ligj një projekt që parashikonte prishjen e tij dhe dhënien një kompanie private për ta zhvilluar bashkë me disa kulla pas tij.

Shfaqjet kryesisht janë zhvilluar te teatri Kujtim Spahivogli, ose te ArtTurbina.

Ndërkohë për sa i përket çështjes së teatrit, rreth 50 persona kaluan natën e së premtes në mjediset e tij.

Ajo ishte e teta natë radhazi, të cilën protestuesit e kalojnë duke ndejtur në gatishmëri për mbrojtjen e teatrit.

Protesta për të mbrojtur ndërtesën dhe hapësirat publike përreth, është bërë më e madhe ditët e fundit, kjo për shkak se qeveria ka shumfishuar përpjekjet për shembjen dhe zaptimin e saj.

Ditën e mërkurë, më 24 korrik, protestuesit u përballën me më shumë se 12 orë dhunë policore, ku regjisorët Edmond dhe Robert Budina dhe aktori Neritan Liçaj u sulmuan pa kurrëfarë arsye.

2 komente

  1. Lari 27 Korrik, 2019 në 7:56 pm

    Ku jane artistet qe ishin ne proteste kohe me pare.nuk jane me .edhe xha Mehdiu u kujtua te marri pjese ne kete proteste.si trim i madh qe eshte

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme