Vetingu, KPK shkarkon kandidaten për Gjykatën Kushtetuese Anila Guri

Vetingu, KPK shkarkon kandidaten për Gjykatën Kushtetuese Anila Guri

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi sot nga detyra gjyqtaren Anila Guri, kandidate për Gjykatën Kushtetuese.

Gjatë hetimit administrativ, KPK i ka gjetur shkelje në deklaratën e pasurisë gjyqtares Guri. Ajo ka pasur mospërputhje mes deklaratës fillestare në vitin 2003 dhe saj veting për shtëpinë e saj 3 katëshe+bodrum në Tiranë ndërtuar në vitin 1998. Në deklaratën fillestare ajo ka deklaruar se shtëpia vlen 7 milionë lekë, ndërsa në atë veting 6,5 milionë lekë.

Gjyqtarja Guri deklaroi se për të ndërtuar shtëpinë, janë përdorur 10 milionë lekë të ardhura që bashkëshorti i saj ka siguruar nga aktiviteti i tij privat gjatë periudhës 1990-2000. Por KPK vlerësoi se bashkëshorti i gjyqtarës nuk ka pasur mundësi financiare për ta ndërtuar shtëpinë në vitin 1998.

Për periudhën nga vitet 1990 deri në vitin 2000, gjyqtarja Guri nuk ka mundur të gjejë dokumentet për të ardhurat e bashkëshortit.

KPK gjeti edhe një banesë tjetër, në pronësi të nënës së gjyqtares Guri në fshatin Pulaj të Velipojës, të ndërtuar në vitin 2007, por të deklaruar në vitin 2017 me vlerë 2.5 milionë lekë. Kjo pasuri duhej të ishte deklaruar që në vitin 2007, kur është ndërtuar.

Për këto arsye, trupa e KPK-së e përbërë nga Lulzim Hamitaj, Alma Faskaj dhe Suela Zhegu vendosën për shkarkimin e Gurit.

Po sot KPK konfirmoi në detyrë ryeprokurorin e Krujës Petrit Çano. KPK nuk gjeti probleme në asnjë prej kritereve për kryeprokurorin e Krujës Petrit Çano.

Gjatë seancës dëgjimor, KPK i kërkoi sqarime prokurorit për blerjen e një apartamenti, por në përfundim të hetimit, KPK nuk gjeti probleme me burimet e kësaj pasurie.

Vendimi u mor nga Olsi Komici, Suela Zhegu dhe Lulzim Hamitaj.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme