Xhaçka krenohet me dështimin e qeverisë për të përballuar pasojat e tërmetit në Korçë

Nga Gerard Gega
Xhaçka krenohet me dështimin e qeverisë për të përballuar pasojat e tërmetit në Korçë

Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka iu përgjigj sot shqetësimeve të Presidentit Ilir Meta rreth tërmeteve. Ajo këmbënguli me besim të plotë se “Shqipëria është më e përgatitur se kurrë në këto 30 vite për t’u përballur me emergjencat”.

Nisur nga disa lajme të qarkulluara në media, Presidenti Meta kërkoi informacion mbi gatishmërinë e institucioneve rreth tërmeteve, kapaciteteve përballuese, masat e marra dhe ato të parashikuara për të zvogëlimin e pasojave.

Meta i ngriti këto shqetësime pas lajmit në median greke për rrezikun nga tërmetet dhe që kishin si burim një sizmiolog grek.

Ministrja Xhaçka theksoi sot se tërmetet janë dukuri të paparashikueshme, ndërsa më pas lavdëroi qasjen e qeverisë ndaj pasojave të shkaktuara nga tërmetet në disa fshatra të Korçës në fillim të muajit qershor:

Shqipëria është sot më e përgatitur për t’u përballur me emergjencat, sesa në çdo moment tjetër gjatë 30 vjetëve të fundit. Kapacitetet tona reaguese janë sot shumë më të mëdha, profesionalizmi i burrave dhe grave që mbulojnë këtë sektor është i jashtëzakonshëm dhe koordinimi institucional është shumë më efikas se çka qenë ndonjëherë. Mënyra sesi i përballuam pasojat e tërmetit në Korçë janë prova më domethënëse e seriozitetit të përgatitjeve tona.

Rreth 100 tërmete u regjistruan në fshatrat Floq, Qafëzezë, Vivodë dhe Dvoran të Korçës në fillim të muajit qershor.

Tërmeti i parë, dhe më i fuqishëm, u ndje më datë 1 qershor, ndërsa lëkundjet vazhduan edhe për rreth tre ditë të tjera. Kjo seri tërmetesh dëmtoi krejtësisht rreth 60 shtëpi dhe la mbi 200 banorë të pastrehë, të cilët kaluan netët në çadra.

Për gjendjen e krijuar, qeveria vonoi me marrjen e masave. Mbledhjet e shtabit të emergjencës u mbajt më 3 dhe 4 qershor, ndërsa më datë 7 qershor, kaloi në parlament “ligjin për Mbrojtjen Civile”, gjashtë muaj pas dorëzimit të tij në kuvend. Por megjithëse ku ligj ende nuk është dekretuar, asgjë nuk e ndalon qeverinë t’i përgjigjet fatkeqësive natyrore.

Në Korçë për shembull, pasi kanë kaluar rreth 2 muaj, qeveria, e cila premtoi rindërtimin e banesave të shembura, ka ndërtuar vetëm 3 nga 60 prej tyre ndërsa banorët, të strehuar në çadra dhe shkolla, janë ende të shqetësuar se si do ta kalojnë dimrin.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme