Zotimet e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit dhe opozitës – Pikat kryesore

Zotimet e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit dhe opozitës – Pikat kryesore

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit dhe Kryetari i PD-së Lulzim Basha nënshkruan dje marrëveshjen për ruajtjen e Teatrit Kombëtar dhe reformimin e thellë në kulturë e art.

Kjo marrëveshja shërben si një zotim i përbashkët publik për të bashkëpunuar për mbrojten e teatrit  mes AMT-së dhe opozitës, me ardhjen e kësaj të fundit në pushtet.

Kjo është hera e parë që një opozitë firmos zotime publike ndaj grupimeve qytetare.

Marrëveshja ka tre shtylla kryesore: zotime për Teatrin Kombëtar, për sundimin e ligjit e mbrojtjen e interesit publik dhe për reformën në art dhe kulturë.

Exit.al sjell në mënyrë të përmbledhur pikat kryesore të kësaj marrëveshje:

Lidhur me Teatrin Kombëtar:

 – Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit do të vazhdojë pa ndërprerje betejën për mbrojtjen e kompleksit të dy teatrove, Kombëtar dhe Eksperimental.

 – Partia Demokratike dhe opozita e bashkuar do të mbështesë veprimet dhe aksionet e “Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit”.

 – Brenda një muaji nga momenti kur PD dhe opozita të jetë shumicë politike qeverisëse, kompleksit të ish-Qarkut “Skanderbeg”, ku përfshihet edhe Teatri Kombëtar dhe zonat përreth tij, do t’i rikthehet me përparësi statusi “Ansambël Monument Kulture”. Më pas, ky kompleks do të ruhet dhe reastaurohet.

 – Opozita do të shfuqizojë brenda një muaji ligji ‘special’ që i hap rrugë shembjes së Teatrit Kombëtar, si dhe çdo akt tjetër ligjor e nënligjor që buron prej tij dhe parashikon tjetërsimin e paligjshëm të pasurisë publike.

 – Opozita do të vërë para drejtësisë të gjithë ata vendimmarrës publikë dhe subjekte private, që u përfshinë në aferën e grabitjes kriminale të truallit të Teatrit Kombëtar.

Lidhur me masat për të garantuar demokracinë funksionale, sundimin e ligjit dhe mbrojtjen e interesit publik:

 – Opozita do të nisë ndryshimin e sistemin zgjedhor në një sistem që i jep mundësi qytetarëve të shprehen për zgjedhjen e përfaqësuesve të tyre (deputetë, kryetarë bashkie).

 – Opozita do të bëjë reformë kushtetuese për të rritur kontrollin dhe balancën mes pushteteve dhe forcimin e llogaridhënies ndaj qytetarëve.

 – Opozita do të ndërmarrë çdo iniciativë të mundshme ligjore për të garantuar që çdo investim e zhvillim i realizuar në pronën publike, të tjetërsuar në kundërshtim me ligjin ose për motive të dyshuara si korruptive, do t’i kthehet publikut nëpërmjet konfiskimit dhe/ose asgjësimit.

 – Opozita do të nisë një reformë ligjore për rritjen e pjesëmarrjes së publikut në vendimmarrje, përfshi dhe nëpërmjet referendumeve.

Lidhur me nevojën për një Reformë të vërtetë në art dhe kulturë:

Brenda një viti, opozita e bashkuar duhet të nisë konsultimin me artistët për të bërë një reformë të thellë në sektorin e artit dhe kulturës në vend me synim:

 – Shndërrimin e institucioneve buxhetore të artit e kulturës në institucione të pavarura publike;

 – Reformimin e kuadrit ligjor për të garantuar statusin dhe të drejtat e profesionit të artistit, përfshi shpërblimin monetar të tyre;

 – Garantimin e mbrojtjes efektive të të drejtave të autorit në Shqipëri;

 – Rritjen e buxheteve për artin dhe kulturën në nivelet më të larta të rajonit.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme