Basha denoncon tenderët korruptive të radhës: Rama nuk do të ndalë me vjedhjet

Basha denoncon tenderët korruptive të radhës: Rama nuk do të ndalë me vjedhjet

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha denoncoi sot nga Patosi tenderat dhe koncesionet korruptive të radhës të qeverisë Rama.

Duke bisduar me qytetarët, Zoti Basha u shpreh se Rama po grabit me çdo kontratë që nënshkruan:

“Çdo vendim, çdo akt qeverie, çdo ligj parlamenti, çdo rregullore, çdo gjë është për të vjedhur dhe për të grabitur. Teatri, vjedhje e pastër njësoj si Unaza e Re, njësoj si stadiumi e kështu me rradhë.

Këtë verë kanë planifikuar edhe vjedhje të tjera, vjedhjen me uniformat e policisë ku kanë dyfishuar çmimin. Po bëjnë gati koncensionin 100 euro tarifë shtesë çdo biznesi për një tjetër truk për të marrë 100 euro nga çdo biznes, a thua nuk e kanë këputur me taksa, gjoba, me çmimin e naftës, me çmimin e energjisë.”

Kreu i opozitës tha se nën qeverisjen e Ramës çmimet e çdo pune janë shumëfishuar me qëllim vjedhjen nga buxheti i shtetit:

“Ka shkuar çmimi për kilometër rruge në Shqipëri 5 herë më i lartë se sa në Japoninë e tërmeteve, 10 herë më i lartë se sa çmimi mesatar europian, siç është vjedhja në rrugën Milot-Balldren, siç është vjedhja në rrugën Vlorë-Orikum.”

Po ashtu, Basha tha se Rama dhe qeveria e tij i kanë lënë në baltë shqiptarët dhe nuk ka si qëllim mirëqenien e tyre, por vetëm të vetën dhe oligarkëve pranë tij:

“A nuk është kjo klikë hajdute që e zvarriti statusin e minatorit sa mundën?! Kaluan ligjin në momentin e fundit dhe kanë kaluar 2 vjet dhe ligji është në fuqi, por nuk zbatohet!

A nuk janë këta që mashtruan banorët e Zharrëzes?!

A nuk janë këta përfituesit e drejtëpërdrejtë të vjedhjes kolosale që i bëhet një prej pasurive më të mëdha të Shqipërisë dhe të gjithë Europës, siç është pellgu naftëmbajtës i Patos-Marinzës?!

A nuk janë këta që përzunë investitorët e huaj perëndimorë për ta grabitur më kollaj naftën dhe nxitur kontrabandën dhe evazionin?!”

Për këto arsye, Basha tha se qytetarët e Patosit, dhe në të gjithë vendin, bojkotuan në masë votimet e 30 qershorit:

“Sa i përket pjesmarrjes reale, përfshirë ata që janë detyruar me forcë, në bashkinë e Patosit, refuzimi masiv ka arritur një tjetër rekord me 13 përqind.

Kjo do të thotë se në Patos vetëm një në tre socialistë ka shkuar të votojë në procesin farsë të 30 qershorit, ndërsa dy në tre kanë vendosur ta bojkotojnë këtë farsë.”

Sipas Bashës, bojkoti i zgjedhjeve nga qytetarët tregon se sakrifica e opozitës për dorëzimin e mandateve dhe protestat e vazhdueshme ka gjetur mbështetje tek qytetarët:

“Protestat dhe vendimet për djegien e mandateve që vetëdijësuan shqiptarët se kjo luftë nuk bëhej për karriget dhe mandatet tona, nuk bëhej për privilegjet e pushtetit, por bëhej për qytetarët.

Janë pikërisht protestat popullore, është qëndresa juaj, kurajo juaj, vendosmëria juaj që ka zgjuar kurajon dhe ka vetëdijësuar gjithë shqiptarët përfshirë zgjedhësit e ndershëm socialistë, se 30 qershori nuk bëhej për ta, por për një klikë hajdutësh, që ka thyer çdo rekord babëzie dhe hajdutërie në Shqipëri dhe në Ballkan.”

Refuzimin ndaj Ramës, Zoti Basha e quajti ‘thirrje popullore për ndryshim’ dhe i premtoi qytetarëve se opozita e bashkuar do t’i përgjigjet asaj, me një plan për ndryshimin themelor të sistemit politik, ekonomik dhe social të vendit.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme