Basha: Fryrja e kostove të koncesioneve, modeli mafioz i vjedhjeve të qeverisë

Basha: Fryrja e kostove të koncesioneve, modeli mafioz i vjedhjeve të qeverisë

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha përshëndeti sot kthimin në Kuvend të koncesioneve të rrugëve Milot-Balldren dhe Orikum-Dukat nga Presidenti, dhe denoncoi si mafioze përpjekjen e qeverisë për të ngritur një sistem faturimi elektronik të bizneseve.

Në një konferencë të gjatë për shtyp me gazetarët Basha denoncoi skemat korruptive të koncesioneve. Ai tha se Kryeministri Rama e ndjek këtë praktikë për të shpërblyer oligarkët dhe për të vjedhur paratë e taksapaguesve shqiptarë:

Modeli që Rama aplikon është tipiku i regjimeve të korruptuara në botë, i njohur dhe studiuar nga të gjitha organizatat që luftojnë korrupsionin. Metoda është ajo e fryrjes së kostove publike dhe marrjen mbrapsht nga klienti, oligarku, e parave mbi koston, pra të pjesës së fryrë.

Kryetari i PD-së u shpreh kjo është aryseja pse Fusha shpk ka përfituar rreth 6 milionë euro për rindërtimin e vetëm 600 metrave në Bulevardin “Zogu I”, pse e njëjta kompani ndërtoi Sheshin Skënderbej dhe pret të ndërtojë edhe Teatrin Kombëtar me 6 kulla pas tij.

Basha tha se vetë dokumentet e qeverisë i kanë treguar Presidentit fryrjen e kostove të rrugëve të denoncuara nga opozita.

Ai theksoi se fryrjet në të vërtetë janë edhe më të mëdha.

Milot-Balldren kushtonte 256 milionë euro. Në argumentimin e Presidentit kur ktheu këtë koncesion u tha se kostoja qe fryrë me 50 milionë, por sipas Bashës, kostoja faktike është rritur me trefish, të paktën 150 milionë.

Thumanë-Kashar, studimi i fizbilitetit i së cilës u përfshi në një raport të vetë qeverisë, tregoi fryrje të kostove me 100 milionë euro. Sipas Bashës, fryrja reale e kostos është me 220 milionë euro.

Orikum-Dukat, me një korsi dhe 14 kilometra kushton 70 kilometra. Basha theksoi se kostoja e kësaj rruge ishte 20 milionë dhe se 50 të tjera ishin “rryshfeti që do të ndaheshin mes Gjikurisë dhe Edi Ramës”.

Demokratët denoncuan sërish se ky është modeli i çdo koncesioni dhe tenderi të qeverisë.

Ky lloj korrupsioni ka ndodhur në kushtet e kapjes totale të shtetit. Kapja ndodh kur nuk i shërbehet më interesit publik, por interesit të klientëve dhe interesave private të qeveritarëve. Rasti më i fundit është kontrata për faturimin elektronik të bizneseve, është projekt ku Rama dhe klientët e tij kanë planifikuar të vjedhin me qindra milionë euro nga bizneset. Për këtë ka bërë një ligj që i detyron bizneset që të blejnë aparatura dhe programe të reja kompjuterike, të cilat do t’i blejnë nga klientët e Edi Ramës.

Basha tha se 140 mijë kasa fiskale janë sot në përdorim dhe ato duhet të zëvendësohen me pajisje apo programe kompjuterike të cilat “do të kushtojnë të paktën 250 euro për aparaturën, 50-100 euro çdo vit programi dhe ky sistem i Ramës dhe mafies kroate do marrë për 10 vite mbi 170 milionë euro nga bizneset shqiptare”.

Kryetari i Partisë Demokratike këmbënguli se demokratët i kanë të faktuara takimet e Ramës me kroatët, përpara se të mendohej për një ligj për faturimin elektronik.

Në përfundim të tenderit, kompania Jehona u shit për 250 mijë euro te një biznesmen mafioz kroat i hetuar për pastrim parash në Kroaci dhe përmes atij që ëshë miku i mikut tjetër të Edi Ramës dhe këshilltarit të tij, Rama do marrë rryshfetin, paratë e vjedhura, të pastruara në Kroaci. Eshtë një skemë e detajuar për të vjedhur. Kalimi me ligj, që nesër të mos ketë mundësi Prokuroria ta ndjekë dhe të gjitha procedurat e tjera ka për qëllim vjedhjen.

Pas këtyre denoncimeve, Basha këmbënguli se “askush nuk do t’i gëzojë paratë e vjedhura, sepse demokratët dhe opozita e bashkuar do të nxisin menjëherë hetim penal dhe auditim financiar të të gjitha kontratave dhe koncesioneve të dhëna deri më tani”.

1 koment

  1. E di Rama 9 Gusht, 2019 në 10:25 pm

    Je i shkarkuar Jude.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme