Basha: Promovimi i Valdrin Pjetrit më kriminale se e shkuara e tij

Basha: Promovimi i Valdrin Pjetrit më kriminale se e shkuara e tij

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha e cilësoi sot promovimin e Valdrin Pjetrit në politikë dhe zyrat e shtetit si “më kriminale se sa vetë e shkuara e Pjetrit”.

Në një postim në Facebook, Basha kritikoi sërish mënyrën se si qeverisja e socialistëve ka promovuar persona që kanë patur probleme me ligjin:

Krahasuar me Edi Ramën, Valdrin Pjetri është një kriminel i rangut të tretë, një trafikant i dënuar droge që ka fshehur të kaluarën e tij.

Por është Edi Rama ai që futi në politikë dhe zyrat e shtetit dhe i bëri deputetë, kryebashkiakë e zyrtarë të lartë dhjetëra kriminelë me rekorde të tmerrshme kriminale, trafikantë, përdhunues e deri vrasës. Edi Rama është kërcënim dhe rrezik për jetën dhe sigurinë e çdo familje shqiptare!

Postimin e tij Basha e shoqëronte me një video përmbledhëse me të gjitha rastet, që pas vitit 2015, kur persona të promovuar nga Kryeministri Rama kanë rezultuar të implikuar me krimin si Arben Ndoka, Armando Prenga, Mark Frroku, Elvis Rroshi, Saimir Tahiri apo Vangjush Dako.

Për këtë Basha shprehet se gjatë pushtetit të socialistëve “Shqipëria u kthye në parajsën e krimit të organizuar dhe të pastrimit të parave të pista nga trafiku i drogës dhe korrupsionit”.

Kryetari i Partisë Demokratike e lidhi sërish Kryeministrin me krimin dhe deklaroi se për ta shkëputur këtë lidhje duhet medoemos largimi i tij nga detyra.

Prej disa javësh demokratët kanë denoncuar lidhjet e socialistëve me krimin. Pas zgjedhjeve të 30 qershorit ata deklaruan se tashmë ishin 15 raste ku PS ka promovuar njerëz me të shkuar problematike.

Rasti më i fundit ishte Valdrin Pjetri, i kandiduar për Bashkinë Shkodër, por që rezultoi se ishte dënuar në vitin 2003 për trafik droge.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme