Çmontimi i regjimit kriminal të Ramës, jo thjesht rrëzimi i Ramës, duhet të jetë prioriteti i opozitës

Nga Vehap Kola
Çmontimi i regjimit kriminal të Ramës, jo thjesht rrëzimi i Ramës, duhet të jetë prioriteti i opozitës

Sipas një legjende, marrosja e Karlit të Madh pas një vajzukeje gjermane, që nuk mori fund as me vdekjen e saj, doli të ishte e lidhur me një unazë magjike. Një peshkop, dyshues se mos marrosjen e shkaktonte ndonjë magji, e zbuloi unazën poshtë gjuhës së ftohtë të kufomës së balsamosur të vajzës në krevatin e perandorit.

Për çudi, dashuria e Karlit të Madh u drejtua tashmë nga peshkopi, i cili, për të shpëtuar prej dalldisë homoseksuale të perandorit, e hodhi unazën e magjepsur në liqenin e Kostancës. Liqeni u shndërrua kështu në objektin e përhershëm të dashurisë perandorake.

Dashuria e Edi Ramës për mafian dhe botën nëntokësore të parasë së pistë nuk duket se është më e zbehtë.

Një zinxhir emrash me të shkuar si kriminelë, trafikantë apo pjesëtarë organizatash mafioze, të zbuluar nga opozita dhe media dhe të detyruar të lënë postet publike, nuk kanë marrë me vete edhe lidhjet e Ramës me botën e errët të krimit dhe mafias.

Ministra, deputetë, kryebashkiakë dhe drejtues të lartë të administratës publike, si në një stafetë me patate të nxehtë, i lënë rradhën njëri-tjetrit dhe largohen. Mirëpo, ndërmjet episodeve të ndryshme, ata vendosin një raport logjik të tipit shkak-pasojë, ku i vetmi objekt i palëvizshëm shfaqet Edi Rama.

Duhet thënë se qëkur Rama pluskoi mbi syprinën e ndotur të qeverisjes së majtë 1997-2005, ai u bë pol i një fushe magnetike, apo nyjë e një rrjete raportesh të errëta me galeritë e nëndheshme të akumulimit dhe pastrimit të parasë kriminale.

Depërtimi i përfaqësuesve të organizatave mafioze gjer në majat e institucioneve nuk duket aspak një ngjitje graduale në dyshekun e lagur të pushtetit në Shqipëri. Brofja e tyre, gati-gati si në magjepsje, kudo ku Rama vë dorën e tij perandorake të përzgjedhjes, është dëshmia më kumbuese se në raportin shkak-pasojë të kësaj shëmtie ngjethëse, kryeofiqari është vetë shkaku.

Rasti i fundit i zbardhjes së të shkuarës kriminale të Valdrin Pjetrit, të ashtuzgjedhurit si kryetar i Bashkisë së Shkodrës, nuk duket aspak si objekti i fundit i ‘dashurisë’ ramësore për botën okulte të krimit të organizuar dhe mafias. Edhe i zgjedhuri i tij për Bashkinë e Vorës rrezikon t’i bashkohet klubit.

Është e kuptueshme se unaza e xhindosur e pushtetit, parasë dhe kapriços lavdidashëse të Ramës është hedhur aty ku ai ka dashur: në moçalin e krimit. Preferenca e tij për përfaqësuesit e minierave të mafias është e kuptueshme.

Rama kërkon njerëz të paskrupuj për të marrë dhe mbajtur pushtetin, me qëllim që të plaçkisin bashkë, pa kokëçarje, pasurive natyrore dhe financat publike, teksa ai zbaton një projekt të pashembullt të inxhinierimit social e moral të shoqërisë.

Duke u nisur nga ky raport shkak-pasojë, na lind e drejta të dyshojmë se çdo marrëdhënie e ngritur nga Rama është e lidhur drejtpërdrejt ose tërthorazi me mafian, krimin dhe pastrimin e parave.

Qeveria që do të krijohet me rrëzimin e Ramës duhet të vërë në shportën e saj të anti-mafias oborrtarët e Ramës, biznesmenët e skemave të tij PPP, mediat dhe gazetarët e propagandës së tij, si dhe kurorën e ambasadorëve, që deri më sot kanë sulmuar me cinizëm opozitën,

Argumenti më përvëlues i fajësisë së shumë prej këtyre është shndërrimi i tyre në kufoma politike, ekonomike apo diplomatike sapo u hiqet unaza e regjimit.

Në këtë ushtri të ngujuar të perandorisë së mafias zënë vend ambasadorë, që pas bashkëpunimit me Edi Ramën degdisen në papunësi apo në detyra qesharake. Aty, përkrah ekzekutorëve gjakftohtë dhe trafikantëve të prostitutave, rreshtohen politikanë nga e majta dhe e djathta, që sot justifikojnë me hipokrizi vendin e tye në prehrin e regjimit, nga ku shigjetojnë pa u epur opozitën.

Doemos, qafën më të gjatë në këtë formacion e kanë oligarkët. Me fuqinë e tyre ekonomike dhe mediat që zotërojnë, ata garantojnë nënshtrimin e qytetarëve ndaj parasë dhe manipulimin e opinionit publik. Mozaikun faraonik të regjimit të Ramës e përmbyll legjioni i propagandës – gazetarë dhe manipulatorë të mendjeve të njerëzve të zakonshëm.

Në këtë ideologji mafioze asnjë nuk ndodh rastësisht. Përkundrazi, gjithçka shpaloset sipas një plani të përpiktë, me qëllime të menduara djallëzisht, ku çdo kriminel merr plaçkën e tij të grabitjes.

Kushdo që ka hyrë qoftë edhe një herë të vetme në këtë ingranazh duhet të kalojë skanerin e antimafias për pasurinë dhe pronat e veta. Politikanët nga e djathta dhe e majta, që kanë punuar ose bashkëpunuar me projektet e Ramës dhe Veliajt, duhet t’u nënshtrohen proceseve hetimore të ligjit anti-mafia për të justifikuar burimet e pasurimit. Disa nisën biznese, pa u shqetësuar nga pushteti, kurse të tjerë krijuan parti politike. Drejtësia duhet të zbulojë se si u favorizuan nga pushteti dhe ku i morën financimet.

Oligarkët, që krijuan me Ramën infrastrukturën për të grabitur buxhetin e shtetit dhe financat e familjeve të shqiptarëve me skemat konçesionare më korruptive të planetit, duhet të japin llogari për pasurinë e tyre. Gazetarë me vila miliona euroshe, që bëjnë pushime miliarderësh anembanë globit, duhet të kalojnë nëpër dhëmbët e dendur të drejtësisë.

Pa një mekanizëm të ashpër juridik ndaj rrjetës së regjimit të Ramës dhe Veliajt, propozimi i opozitës për një qeverisje të mirë është i pavlerë.

Nuk dihet fare se ku do t’i gjejë një qeveri e nesërme burimet për të financuar politikat e zhvillimit, ndërkohë që nuk do t’i ketë mbetur asgjë në dorë, përveç se të shlyejë borxhin ngulfatës publik dhe të paguajë konçesionet dhjetëravjeçare të mafiokracisë së Ramës.

Mbetet ende e paqartë se për çfarë duhet të vijë në pushtet një formacion politik, në kushtet e këtij kapitullimi de facto përballë kontraktorëve grabitës afatgjatë, nëse jo për ta zbërthyer këtë skemë falimentuese për shtetin dhe qytetarët.

Çfarëdo politike liberalizuese të premtojë opozita, pa u angazhuar për ta shpërbërë arkitekturën e regjimit të Ramës, ajo do të ketë gënjyer sa për të marrë pushtetin. Qytetarëve u duhet folur drejtpërdrejt dhe u duhet shpallur plani për çmontimin e regjimit. Vetëm kështu opozita mund të frymëzojë dhe të bëhet e besueshme. Vetëm kështu opozita mund ta rrëzojë Ramën dhe të prishë magjinë e tij, që synon të vazhdojë plaçkitjen e Shqipërisë me Veliajn.

Kjo armatë ekonomike, politike dhe propagandistike, që sot mirëmban regjimin mafioz të Ramës dhe Veliajt, nesër do të jetë tërësisht e mobilizuar për t’u mbrojtur me pushtetin e saj ekonomik dhe rrjetin manipulues nga axhenda antimafia e qeverisë së re.

Ata nuk do të përdorin vetëm financat dhe mediat. Sistemi i ri i drejtësisë, tashmë tërësisht nën kontrollin e Ramës, do të shërbejë si një mur sigurie për vazhdimin e plaçkitjes së Shqipërisë nga Rama, Veliaj dhe oborrtarët e tyre. Kësisoj, regjimi nuk do të mund të çmontohet dhe qeveria do të dështojë në të gjitha rrafshet e politikave të zhvillimit.

Një grusht i heshtur shteti do të jetë kurorëzuar me sukses.

Rezultati i synuar i një projekti të tillë pervers nuk do të jetë vetëm ruajtja e pushtetit, por mbi të gjitha paaftësimi përfundimtar i shoqërisë shqiptare për të kultivuar dhe ndjekur aspiratat për demokraci dhe integrim europian.

Në saje të makinerisë së stërmadhe të propagandës, regjimi i vjetër do të përpiqet më fort të bindë një pjesë të madhe të votuesve të qeverisë së re të besojnë profetësinë e saj të rreme se të gjithë palët politike në Shqipëri janë njësoj. Suksesi i kësaj propaganda do të ishte një goditje vdekjeprurëse për të djathtën dhe për vetë mundësinë e të bërit politikë europiane në Shqipëri.

Rikthimi në pushtet i regjimeve mafioze është një realitet i testuar me sukses në të gjithë Europën Lindore. Mundësia që qeveritë e rrëzuara mafioze të ruajnë kompaktësinë e sistemit të vjetër edhe në opozitë është reale në çdo vend me institucione dhe demokraci të dobët.

Vendet ku pushteti mafioz është rikthyer karakterizohen nga një ose pak sektorë që dominojnë ekonominë, nga struktura presidenciale dhe nga mungesa e shoqërisë civile. Për fat të keq, Shqipëria i përmbush këto kushte në mënyrë perfekte.

Vendin e sektorit dominant të ekonomisë në modelin e shtetit mafioz e zë oligarkia. Modelin presidencial e plotëson në mënyrë të përkryer kryeministri, përmes kontrollitë të plotë të pushtetit, në mungesë të Parlamentit, Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë, Prokurorisë dhe të një pushteti vendor të zgjedhur në mënyrë demokratike. Ndërsa mungesa e shoqërisë civile është një fakt krejtësisht i padebatueshëm.

Një projekt për çmontimin e regjimit mafioz të Edi Ramës duhet të jetë shtylla kryesore e programit elektoral të opozitës. Edhe nëse qeveria e re nuk do të bënte asgjë më shumë se shthurjen e shtetit të mafias dhe sistemit të tij ekonomik e politik, kjo do të ishte e mjaftueshme. Frytet e një suksesi të tillë do të vilen përgjatë gjithë historisë post-mafia të shtetit shqiptar.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme