Dështon zgjedhja e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, KED duhet të rihapë garën

Dështon zgjedhja e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, KED duhet të rihapë garën KED 2019

Këshilli i Emërimëve në Drejtësi (KED) do të duhet të rihapë garën për kandidatë për Inspektorin e Lartë të Drejtësisë (ILD), pasi në garën aktuale kanë mbetur vetëm katër kandidatë, nga pesë që përcakton Kushtetuta.

Neni 147/d i Kushtetutës përcakton se KED duhet të rendisë pesë kandidatë për në ILD.

“Inspektori i Lartë i Drejtësisë zgjidhet nga lista e pesë kandidatëve të përzgjedhur dhe renditur mbi bazën e meritave nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, sipas një procedure transparente dhe publike.”

Fillimisht, në garën për postin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë ishin 12 kandidatë. KED duhet të shqyrtonte nëse ata i plotësonin apo jo kriteret e përcaktuara në ligjin 115/2016, “Për organet e Qeverisjes së Sistemit të Drejtësisë”:

  • Të ketë diplomë të nivelit Master Shkencor për drejtësi;
  • Të ketë jo më pak se 15 vjet përvojë pune në profesion si jurist;
  • Të mos jetë duënuar më parë për vepra penale;
  • Të mos jetë pushuar nga puna për masa disiplinore dhe të mos kenë masa disiplinore në fuqi;
  • Të mos ketë mbajtur poste publike në administratën publike ose pozicione drejtuese në parti politike gjatë 10 vjetëve të fundit;
  • Të mos ketë qenë anëtar, bashkëpunëtor ose i favorizuar të ish-Sigurimit të Shtetit gjatë diktaturë;
  • Të mos jetë bashkëpunëtor, informator ose agjent i shërbimeve të inteligjencës.

Pas vlerësimeve paraprake, KED skualifikoi nga gara një pjesë të kandidatëve, pasi nuk kishin plotësuar sipas kërkesave dokumentet e nevojshme për kandidim.

Kandidatët Mimoza Qinami dhe Altin Hazizaj u skualifikuan nga gara më 25 korrik.

Genci Gjonçaj, Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, u skualifikua më 31 korrik, pasi brenda 10 viteve të fundit ka qenë anëtar i Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste.

Më 3 gusht, kur në garë kishin mbetur 5 kandidatë, KED skualifikoi edhe ekspertin e EURALIUS-it Klodian Rado për shkak se nuk ka 15 vite përvojë si jurist.

Klodian Rado, siç Exit.al ka shkruar më parë, është eksperti i EURALIUS-it që i këshilloi Këshillit të Lartë Gjyqësor të shkelte Kushtetutën për të “deleguar” në Gjykatën e Lartë gjyqtarë të përkohshëm nga gjykatat e rretheve.

Me përjashtimin e Rados, në garë mbeten vetëm katër kandidatë. Tre prej tyre janë të kualifikuar, ndërsa për njërin nuk është marrë ende vendim.

Katër kandidatët janë:

1-Artur Malaj (kualifikuar nga KED);

2-Artur Metani (kualifikuar nga KED);

3-Eris Hysi (kualifikuar nga KED);

4-Marsida Xhaferllari (Ende pa vendim).

Artur Malaj, Gjyqtari i Gjykatës Administrative të Apelit ende nuk ka kaluar plotësisht vetingun. Aktualisht ai është në pritje të vendimit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.

KPK-ja e konfirmoi Maljan në detyrë, pavarësisht problemeve me pasurinë dhe integritetin. DSIK e konsideroi atë të papërshtatshëm për të vazhduar detyrën, ndërkohë që Malaj nuk justifikonte pasurinë e tij si dhe nuk kishte deklaruar një vile tre katëshe në Vlorë. ONM gjithashtu e konsideroi Malajn të papërshtatshëm për të qënë pjesë të sistemit gjyqësor për shkak të lidhjeve të tij me krimin dhe mosjustifikimin, fshehjen e pasurive, duke rekomanduar shkarkimin e tij. Nëse KPA do të vendosi shkarkimin e tij ditët në vijim, ai nuk mund të vazhdojë garën për ILD.

Edhe për kandidatin Artur Metani ka dyshime se ai nuk i plotëson kushtet, pavarësisht se KED e kualifikoi atë.

Dy ditë më parë, Partia Demokratike i kërkoi KED-it ta skualifikojë Metanin nga gara, pasi ai ka mbajtur dhe vazhdon të mbajë poste të larta politike:

– Zoti Metani është aktualisht Avokati i Shtetit, emëruar direkt nga Kryeministri Rama.

– Në periudhën Maj 2002-Korrik 2012, zoti Metani ka mbajtur funksionin politik të  Këshilltarit Juridik të Presidentit të Republikës.

Edhe nëse KED e kualifikon për më tej Marsida Xhaferllarin, ai duhet të rihapë garën për kandidatura të reja. Ky vendim do të shtynte me disa muaj të gjithë procesin, duke lënë bosh ngritjen e njërit prej institucioneve kyçe të sistemit të drejtësisë.

Sipas Kushtetutës, ILD duhet të ishte formuar në shkurt–mars 2017 (2 vjet e gjysmë më parë), 6 muaj pasi amendamentet kushtetuese të reformës në drejtësi hynë në fuqi.

Krahas mosngritjes së ILD-së brenda afateve kushtetuese, kandidatët me dritëhije, që janë kualifikuar, ia ulin edhe më tej besueshmërinë reformës në drejtësi, e cila është shkruar keq dhe është të zbatuar edhe më keq.

2 komente

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme