Dyshime për pastrim parash në tenderin 15 mln euro për faturimin elektronik

Dyshime për pastrim parash në tenderin 15 mln euro për faturimin elektronik

Ish-deputeti i Partisë Demokratike Agron Shehaj i ka kërkuar prokurorisë të hetojë tenderin me vlerë 15 milionë euro për sistemin e ri të faturimit për bizneset, të kryer në shtator 2018. Sipas tij, ky është një tender i korruptuar, disafish më i lartë se çmimet e tregut, që qeveria ia ka dhënë një biznesmeni nga Kroacia, Hrvoje Çabrajiç, ortak i këshilltarit të Kryeministrit Rama, Zoran Milanoviç.

Zoran Milanoviç ka qenë edhe kryeministër i Kroacisë në periudhën 2011–2016, pas së cilës ka shërbyer si këshilltar i Kryeministrit Rama për integrimin e Shqipërisë në BE.

Në postimin e tij në Facebook, Shehaj deklaroi se qeveria e sajoi tenderin në mënyrë të ngjashme me atë të Unazës së Madhe, të fituar nga DH Albania. Përmes një tenderi fals, qeveria nxori fitues konsorciumin mes një kompanie kroate “Neos D.O.O.” dhe kompanive shqiptare “Jehona Software” dhe “Datatech shpk”.

Sipas tij, Jehona Software ishte blerë nga biznesmeni Hrvoje Çabrajiç përpara zhvillimit të tenderit, pa deklaruar blerjen. Kjo blerje u regjistrua në QKB vetëm në janar 2019, pasi i sigurua tenderi, në emër të kompanisë “Primus Adriatic” të Hrvoje Çabrajiçit.

Shehaj shton se ky i fundit është akuzuar dhe hetuar për mashtrime gjatë ushtrimit të aktivitetit të biznesit, dhe është ortak me këshilltarin e Kryeministrit Rama, Zoran Milanoviç.

Ish-deputeti i PD-së shkroi se skema është e ngjashme me atë të DH Albania:

“1) sajohet një projekt me kosto të fryrë disafish; 2) bëhet tender fiktiv, ku del fitues një konsorcium, ku bën pjesë një kompani e regjistruar jashtë Shqipërisë, me pronarë të panjohur apo të fshehur dhe pa aktivitet; 3) paratë kalojnë nga buxheti i shtetit tek llogaritë jashtë vendit të kësaj kompanie; 4) nga llogaria e kompanisë se huaj paratë shkojnë të përfituesi final i korrupsionit.”

Ai hodhi dyshime se kjo ishte një skemë e pastrimit të parave, një pjesë e të cilave mund të përfundojnë në llogaritë e Kryeministrit Rama jashtë Shqipërisë, dhe i kërkoi prokurorisë ta hetojë rastin.

Më herët, pasi u shpall fituese e tenderit, Partia Demokratike e denoncoi kompaninë “Neos D.O.O.” si të lidhur me ish-Ambasadoren e BE-së në Shqipëri, Romana Vlahutin.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme