Hekurudha në kolaps ekonomik, i kushton buxhetit miliona euro për paga

Hekurudha në kolaps ekonomik, i kushton buxhetit miliona euro për paga

Hekurudha Shqiptare, shoqëria aksionere që menaxhon sistemin hekurudhor, nuk arrin të nxjerrë fitimet e nevojshme për të mbijetuar, ndaj që prej vitit 2007 ajo mbijeton falë subvencioneve nga buxheti i shtetit.

Gazetari Geri Emiri, në një shkrim për BIRN shkruan se prej 2007-ës, HSH ka marrë rreth 36 milionë euro, ose rreth 3,6 milionë euro në vit, si subvencion për rimbursimin e biletave të udhëtarëve.

HSH po ashtu merr fonde nga buxheti i shtetit për paga dhe sigurime shoqërore. Sipas të dhënave të KLSH-së vetëm për periudhën 2014-2017, Hekurudha ka marrë 1.2 miliardë lekë, rreth 10 milionë euro.

Por megjithë vështirësitë për të qenë një institucion financiarisht i qendrueshëm, KLSH raporton se Hekurudha ka tejkalim të numrit të punonjësve, aq sa ajo është cilësuar si “fabrikë punësimesh politike”.

Fillimisht ajo ka pasur 999 punonjës, deri sa në 2010-ën shkurtoi nga puna 678 punonjës dhe sot numëron më shumë se 300 të punësuar.

Auditi i KLSH-së zbuloi gjithashtu se ndërsa HSH pretendon se është në kolaps ekonomik, ka plot raste kur HSH ka shpërdorur para për pagesa të faturave “fantazmë”, si dhe ka shmangur procedurat tenderuese në kundërshtim me ligjin.

Në qershor 2018, Kontrolli i Lartë i Shtetit kallëzoi në Prokurorinë e Durrësit problemet e konstatuara gjatë një raporti auditi mbi shkeljet ligjore në përdorimin e subvencionit, mangësitë e konstatuara në procedurat e prokurimeve si dhe në likujdimin e pagesave për kompanitë e ruajtjes fizike.

Sipas KLSH-së, HSH nuk ka zbatuar procedurat ligjore për subvencionin prej 1.2 miliardë lekësh dhe e ka devijuar atë për të mbuluar fondin e pagave dhe sigurimeve shoqërore, në shkelje të tre ligjeve, një VKM-je dhe dy vendimeve të Komisionit të Ndihmës Shtetërore.

Në hetimin e saj, Prokuroria e Durrësit bie dakord me KLSH-në për shkeljen e disiplinës buxhetore për subvencionin me vlerë 1.2 miliardë lekë, por kërkoi pushimin e hetimeve me argumentin se nuk gjendej përballë veprës penale të shpërdorimit të detyrës.

Hetimi fajëson institucionet kontrolluese që e kanë miratuar në heshtje devijimin e fondit, por që edhe në këtë drejtim nuk janë konstatuar persona përgjegjës.

Drejtues të Hekurudhës, të marrë në pyetje nga Prokuroria janë justifikuar me faktin se përdorimi i subvencionit për paga dhe sigurime shoqërore i ka zgjatur jetën sistemit, pasi në të kundërt ndodheshin përballë dy opsioneve; ose të rrisnin çmimin e biletave ose të ndërprisnin për fare shërbimin publik.

“Nëse nuk do të veprohej në këtë mënyrë, atëherë Hekurudha Shqiptare do të mbyllej si shoqëri dhe aktivitet prej kohësh, por ka qenë interes i shtetit shqiptar që ta mbajë aktiv shërbimin hekurudhor, kjo edhe për shkak të perspektivës së saj,” ka deklaruar Ilir Dashi, ish-administratori i shoqërisë, në prokurori.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme