Illyrian Guard—një forcë e rrezikshme paramilitare në duart e pushtetit

Illyrian Guard—një forcë e rrezikshme paramilitare në duart e pushtetit

Në prill 2019, Këshilli i Ministrave vendosi të krijojë Illyrian Guard, një kompani sigurie shtetërore, direkt nën varësinë e  Ministrisë së Brendshme. Kompania është 100 për qind në pronësi të ministrisë dhe ka një kapital themeltar prej 10 milionë lekë, rreth 83 mijë euro.

Sipas përshkrimit në vendimin e qeverisë, Illyrian Guard:

“[O]fron shërbime me pagesë, kundrejt subjekteve të treta, publike apo private, në fushën e rendit e të sigurisë publike, teknologjisë së informacionit, si dhe çdo shërbim tjetër në përputhje me qëllimin e krijimit dhe statutin e saj.

Shoqëria “Illyrian Guard” sh.a. ofron shërbime mbështetëse në Ministrinë e Brendshme dhe institucionet në varësi të saj, në zbatim të kompetencave që i njihen kësaj të fundit sipas fushës së përgjegjësisë shtetërore.”

Përmbedhtas: Illyrian Guard do të jetë një firmë private sigurie në pronësi të shtetit që do të kujdeset për sigurimin e pronës shtetërore dhe të ndihmojë Policinë e Shtetit.

Sipas dokumenteve të regjistrimit në Regjistrin e Biznesit, Illyrian Guard drejtohet nga Henrik Elmazaj. Elmazaj, më parë ka qenë komandant i RENEA-s dhe Forcave Speciale, veçanërisht gjatë trazirave të vitit 1997. Ai ka qenë gjithashtu dhe ish-presidenti i firmës së sigurisë fizike ALSIG.

Në Bordin e kompanisë janë Zëvendësministri i Brendshëm Julian Hodaj, Drejtorja e Kabinetit të Ministrit të Brendshëm Elora Kokalari, dhe këshilltari i Kryeministrit Dritan Palnikaj, i cili ka qenë më parë Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Brendshme.

Duke vlerësuar përbërjen e bordit, është e qartë se Kryeministri Rama ka interesa personalë në krijimin e Illyrian Guard.

Tenderi i parë i hapur nga kompania, i publikuar më 3 korrik, për uniformat e policisë, me një vlerë prej 3,5 milionë lekësh (rreth 28 mijë eurosh) u anulua në fillim të gushtit.

Në një deklaratë publike, Zëvendësministri Hodaj deklaroi se Illyrian Guard është themeluar për tre arsye

  1. për të ofruar një standard të ri cilësie në tregun e sigurisë dhe rendit publik;
  2. për të kursyer nga buxheti i shtetit shuma të konsiderueshme që shkojnë sot për ruajtjen dhe sigurinë fizike nga institucionet shtetërore;
  3. për të ofruar një mundësi të mirë ‘freskimi’ për personelin e Policisë së Shtetit.

Në të vërtetë, arsyeja e dytë duket me vend—sektori i sigurisë sundohet nga disa kompani, të cilat kanë formuar një kartel të paligjshëm, i cili përcakton me marrëveshje çmimet e shërbimeve, duke i mbajtur ato artificialisht të larta dhe bllokon konkurrencën.

Por qeveria Rama ka dështuar t’i prishë këto kartele dhe vazhdon t’u sigurojë atyre plot tendera fitimprurës nga buxheti i shtetit. Ministri i vetëm që u përpoq të vendoste disa standarde në këtë industri, ishte ish-ministri teknik Dritan Demiraj që qendroi vetëm tre muaj në detyrë.

Ndaj kursimi i parave nuk mund të ketë qenë arsyeja e vërtetë e krijimit të Illyrian Guard—nëse shpenzimet publike do të ishin shqetësimi i vërtetë, qeveria mund të kishte vepruar vite më parë.

Arsyeja e tretë e përmendur nga Zoti Hodaj është po ashtu e dyshimtë. Një prej rregulloreve të miratuara nga Demiraj, parashikonte ndalimin e (ish) oficerëve të policisë, ushtarakëve ose personelit të shërbimit sekret nga mbajtja e funksioneve menaxhuese apo drejtuese në firmat e sigurisë, me qëllim shmangjen e korrupsionit dhe nepotizmit dhe parandalimin e krijimit të një “derë rrotulluese” midis Policisë së Shtetit dhe firmave private të sigurisë.

Por Zëvendës Ministri Hodaj në fakt e sheh Illyrian Guard pikërisht një mënyrë për të “promovuar” oficerët e Policisë së Shtetit:

Në Policinë e Shtetit ka shumë njerëz me eksperiencë, të cilët për një arsye ose për një tjetër, nuk kanë pasur atë ecuri në karrierë. Flasim për ata që kanë po themi 20-25 vite eksperiencë në Policinë e Shtetit. Mund të jetë një mundësi shumë e mirë për ta që të punojnë për një entitet që garanton edhe kushte ndoshta të mira pune dhe duke vazhduar pak a shumë të punojnë në të njëjtin profil.”

Me pak fjalë, Illyrian Guard do të jetë pikërisht “dera rrotulluese” që do t’i lejojë oficerët e Policisë së Shtetit ‘që nuk kanë ecur në karrierë’ të marrin një pozicion pune të rehatshëm dhe të shtyjnë kohën e tyre.

Momenti i krijimit të kompanisë është natyrisht i dyshimtë, pasi Ministria e Brendshme kohët e fundit ka nisur procesin për “vetingun” e policëve. Nuk ka dyshim se shumë oficerëve, që nuk do të kalojnë vetingun, do t’u ofrohet një vend punë në Illyrian Guard.

Kështu do të krijohet një Polici të Shteti “të pastër”, duke mbajtur forcat “e pista” në një kompani tregtare shtetërore, larg nga mbikëqyrja dhe llogaridhënia publike.

Në të njëjtën kohë, kjo politikë parandalon firmat e sigurisë private të përfitojnë nga fluksi i policëve të larguar nga puna, duke i mbajtur ata sërish nën kontrollin e qeverisë.

Kjo është një recetë perfekte për korrupsion, nepotizëm dhe shpërdorim  pushteti, dhe kjo gjë shihet se si po gatuhet përpara syve tanë.

Arsyeja  e parë që përmend Hodaj duket se është shtysa kryesore për marrjen e këtij vendimi. Muajt e fundit, ka pasur një rritje të vazhdueshme të përdorimit të firmave private të sigurisë në përballjen me protestat civile.

Përdorimi i parë në shkallë të gjerë ishte gjatë protestave të studentëve, që nisën në dhjetor 2018.  Ndërsa javët e fundit, firmat private të sigurisë u përdorën kundër protestuesve që mbronin Teatrin Kombëtar nga shembja.

Dhuna e policëve privatë ndaj artistëve dhe qytetarëve është e dokumentuar në dhjetëra fotografi e filmime.

Kjo vijë tregon ndoshta aspektin më shqetësues të formimit të Illyrian Guard. Ndryshe nga Policia e Shtetit, Illyrian Guard është një firmë tregtare dhe nuk i nënshtrohet Ligjit për Policinë e Shtetit. Si e tillë, ajo nuk është nën kontrollin përfundimtar të Kuvendit, nuk ka pse të respektojë parimet e Policisë së Shtetit dhe nuk ka nevojë të jetë transparente për financat e saj dhe mënyrën si i shpenzon ato.

Ashtu siç zëvendësministri Hodaj pranon: “Avantazhet në krahasim me një organ shtetëror, ka avantazhe, sepse duke qenë një shoqëri tregtare, ka një organizim dinamik. Pra, nuk është e kushtëzuar nga ato skema që sot ndjekin agjencitë shtetërore apo institucionet shtetërore.”

Kjo hap derën për krijimin e asaj që është në thelb një forcë paraushtarake që funksionon kryesisht jashtë vëzhgimit të publikut, që përbëhet nga ish -oficerë të Policisë së Shtetit (të dalë në pension ose të shkarkuar), nën kontrollin e drejtpërdrejtë të Ministrisë së Brendshme.

Çfarë skeme tjetër më të mirë se kjo mund të gjendet për të abuzuar pushtetin shtetëror?!

 

1 koment

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme