Kajmaku i jep Markut me zor shenjat e gishtave të Totos

Nga Arjan Balla
Kajmaku i jep Markut me zor shenjat e gishtave të Totos

Prokurorja e Përveçme e Gjithkohshme Florie Marku vendosi të detyrohej me zor të bënte të pabërën: të merrte shenjat e gishtave të dy individëve nga një individ i vetëm.

Përgjimin e bisedës mes të dyve (të treve?!) në zyrën e Florie Markut e siguruam nga burimi ynë i përgjimeve, zoti Samir Taprushi, i cili i ofron vetes shërbime përgjimi të të tjerëve, me aparatura të fjalës së fundit të teknologjisë, paguar me lekët tona.

 

Përgjimi i zbardhur

 

Florie Marku: Hajde, Kajmak, ulu.

Kajmaku: Ça bën, mirë?

Marku: Shiko, Kajmak, besoj e merr me mend se përse të kam thirrur.

Kajmaku: Ë?

Marku: Si je njëherë? Si po shkojnë punët në bashki?

Kajmaku: Jam shumë i lumtur që tashmë, me qytetarët fantastikë të Vorës, kemi nisur implementimin e projektit të shumëpritur prej meje, për ta shndërruar qytetin në një minikryeqendër evropiane të politikave progresive të zhvillimit dhe, mbi të gjitha, të politikave green, ku qytetarët e sotëm sigurojnë të ardhmen me ajër të pastër të fëmijëve të Vorës së nesërme.

Kjo ka qenë një ëndërr e hershme e së pandërgjegjshmes sime, që kur nisëm biznesin e luleve dhe pemëtarisë mes Greqisë dhe Shqipërisë, me gruan time të mrekullueshme, të cilës i kërkoj ndjesë për angazhimin dhe vëmendjen time totale te qytetarët e Vorës gjatë kësaj fushate të vrullshme për të fituar mbi veten në këto zgjedhje.

Vetëm sot, në vigjilje të lindjes së diellit, mbollëm 666 pemë, në dedikim të Mbjellësit të Mbjellësve. “Pylli Vorëbital” do të jetë projekti që shumë shpejt do ta sjellë Vorën në hartën e qyteteve më green në Evropë, por, pse jo, edhe më gjerë. Fëmijët janë fokusi ynë primar – i imi personalisht, por edhe i stafit fantastik të kolegëve në familjen tonë të hareshme, me dyer e zemër të hapur, që gumëzhin nga bletët punëtore. Bashkia Vorë ka vend për të gjithë dhe ne…

Marku: Kajmak, të kam thirrur se na duhen shenjat e gishtave.

Kajmaku: Ë?

Marku: Atë e ke bërë gazin e botës. Ka dy javë që i është mbyllur goja. S’ka ç’të thotë. Opozitës dhe medias nuk po u mbyllen buçet! Kam vendosur të detyrohem të hedh një hap. Me kujdes, në majë të gishtave, si të thuash. Pa dashje, ironia.

Kajmaku: Florie, unë i dola borxhit përpara se të niste kjo mesele. Si të thuash, u prezantuam të tre: Kajmaku, Jorgo Totoja dhe Ai. Më tha: “E di, mos e çaj trapin!” Pastaj qeshte me të madhe dhe nuk pushonte: “E kuqja, e kuqja, e kuqja do fitojë!”

Marku: E, KF Partizani! Mos më fol, aman! Unë e di ç’heq. Kur ndahet nga i vëllai vetëm dy ngjyra sheh, po për të bardhën nuk ka thirrje sportive, shyqyr!

Kajmaku: Ça do nga unë tani?

Marku: Shenjat e gishtave, pra. Kam plan.

Kajmaku: Po i ke shenjat, kur kam marrë pashaportën.

Marku: Nuk janë të qarta shenjat e gishtit të mesit atje. [Shkel syrin, buzëqeshje djallëzore.]

Kajmaku: Gishtit të mesit?! Florie, mua s’më ke për këto punë! Fëmijët janë fokusi ynë primar – i imi personalisht, por edhe i stafit fantastik të kolegëve në familjen tonë të hareshme, me dyer e zemër të hapur…

Marku: Kajmak! Boll! Shenjat e gishtave! Hiqi këpucët! Çorapet!

Kajmaku: Florie, ça thua?! S’më ke mua për këto punë! Pylli Vorëbital do të jetë projekti që shumë shpejt…

Marku: Kajmak, ishte shaka ajo e gishtit të mesit. Do të të marr shenjat e gishtave të këmbës. I di unë këto punë. Rri i qetë!

Kajmaku: Të këmbës?! Hera e parë që e dëgjoj.

Marku: Mos u habit kaq shumë! Unë kam lindur nga dhe për herë të para: Fëmija i parë i prindërve, fryt i paparashikuar i herës së tyre të parë; Prokurorja e parë e Përveçme e Gjithkohshme në historinë e Shqipërisë, fryt i reformës së parë e të paparë të drejtësisë në botë…

Kajmaku: Mirë, ça të them unë…

[Zbath këmbët, i hutuar.]

Kajmaku: E di, Florie? Sa herë heq kepucët, më kujtohen çorapet e Jorgos në fillimet e veta. Gjithnjë me vrima. Thonjtë e këmbëve, na, pa prerë. Eh, sa kemi vuajtur!

Marku: Kjo e thonjve ju ka sjellë fat të dyve, po hë! Edhe ty edhe Jorgos. Kryetarë bashkie tani.

Kajmaku: Të treve thuaj! [Buzëqesh me dashuri.]

Marku: Ngjyeji mirë në bojë! Duhet të jenë të qarta gjurmët në letër.

Kajmaku: Mirë janë kështu?

Marku: Shenjat mirë, po gishtat i paske të shëmtuar për ibret!

Kajmaku: Javës tjetër kam ca seanca masazhi te hoteli i Valdrinit, se nuk na kanë lënë rehat këta llapaqentë e opozitës.

[Largohet për të dalë nga zyra. Kthen kokën, para se të mbyllë derën.]

Kajmaku: Kurioz jam ama! Ça marifetesh do përdorësh për këto shenjat që more?

Marku: Kollaj ajo punë. Këto të këmbëve të tua do t’ia jap ekspertizës t’i krahasojë me shenjat e gishtave të duarve të Jorgo Totos.

Kajmaku: Moj, po mos të duhen edhe shenjat e Jorgos gjë? [Buzëqeshje djallëzore.]

Marku: Ik, Kajmak, mos u tall tani, se kam njëqind punë! Do i kenë grekët ato. Nuk kemi ngut, përkundrazi.

Kajmaku (?): Jo, do i marrësh. Mos e diskuto! Tani! Nuk kemi pse të mbetemi peng i grekëve. [Merr bojë e letër.]

Marku: Nuk mundem. Ka procedura.

Kajmaku(?): Më mirë se kaq, s’i ngjyej dot. Qartë fare kanë dalë. Me gjithë unazë i ke. Do i marrësh! Mos me bëj t’i them Atij!

Marku: Ju jeni të tre të çmendur!

Kajmaku (?): E kuqja, e kuqja, e kuqja do fitojë!

 

Ky është një artikull relativisht satirik, me personazhe relativisht të sajuara.

1 koment

    Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

    Lajme te ngjashme