Kalimi i dosjes 184 në Dibër është shkelje flagrante e ligjit

Nga Arjan Balla
Kalimi i dosjes 184 në Dibër është shkelje flagrante e ligjit

Dërgimi i dosjes hetimore 184 në prokurorinë e Dibrës është bërë në shkelje të ligjit.

Para rreth dy muajsh, Prokuroria e Krimeve të Rënda ndërpreu hetimin e njohur si Dosja 184 për bashkëpunimin kriminalo-politik për vjedhjen e votave të zgjedhjeve vendore të Dibrës në vitin 2016.

Pas tre vjet hetimesh, Prokuroria e Krimeve të Rënda pohoi para pak javësh se ajo nuk gjeti elementë të grupit të organizuar kriminal dhe si rezultat shpalli mungesë kompetencës për vazhdimin e hetimeve. Me vendim të prokurores së ngarkuar me detyrat e Prokurores së Përgjithshme Arta Marku hetimet i kaluan Prokurorisë së Dibrës.

Por ky vendim u bë pa marrë miratimin e gjykatës, çfarë përbën shkelje të ligjit.

Në fakt, Prokuroria e Dibrës e refuzoi pranimin e dosjes hetimore, me argumentin se nuk është kompetente dhe se çështja duhet të marrë miratimin e gjykatës për pushimin e saj.

Sipas Kodit të Procedurave Penale në rast të konfliktit të kompetencave midis dy prokurorive është Prokurori i Përgjithshëm ai që zgjidh konfliktin.

E ngarkuara me detyrat e Prokurores së Përgjithshme Arta Marku vendosi që kjo dosje duhet të kalojë në prokurorinë e Dibrës pavarësisht se nuk ka marrë miratim të gjykatës, me arsyetimin se:

“Nga shqyrtimi i akteve nuk rezulton që prokurori të ketë ngritur akuza për ndonjë prej personave nën hetim dhe për këtë arsye nuk ka qenë e nevojshme t’i drejtohej gjykatës me kërkesë për pushimin e tyre.”

Me fjalë të tjera zonja Marku ka argumentuar se duke qënë se nuk kemi akuza për personat nën hetim, nuk është e nevojshme që të merret miratimi i gjykatës për pushimin e çështjes.

Por Kodi përcakton të kundërtën e asaj çfarë zonja Marku ka shkruar në vendimin e saj. Konkretisht neni 329/a përcakton:

“Në përfundim të hetimeve paraprake, kur procedohet për krime dhe kur është njëri nga rastet e parashikuara nga paragrafi 1, i nenit 328, të këtij Kodi, prokurori i kërkon gjyqtarit të seancës paraprake pushimin e akuzës ose çështjes.”

Kështu, Kodi nuk e lidh dërgimin e kërkesës në gjykatë për pushimin e çështjes me ngritjen apo jo të akuzave, por me përfundimin e hetimeve nga ana e prokurorisë.

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka nisur hetim për grup të strukturuar kriminal që është në kompetencë të kësaj prokurorie. Mbas përfundimit të hetimeve, prokurori i çështjes ka vendosur se nuk krimi nuk është kryer në kuadër të një grupi kriminal, por në bashkëpunim të thjeshtë.

Kodi i Procedurës Penale parashikon se në rast se vepra për të cilën hetohet nuk ka ndodhur duhet që të pushohet hetimi veprën, por i takon gjykatës të miratojë pushimin e saj.

Kjo gjë nuk ka ndodhur. Hetimi është pushuar nga prokuroria e Krimeve të Rënda pa marrë miratimin e gjykatës.

Ky veprim përveçse bie ndesh me ligjin, bie ndesh edhe me praktikat e mëparshme të Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Për shembull, në një rast të mëparshëm, Drejtuesja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda Donika Prela, i ka kërkuar Gjykatës së Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda miratimin e vendimit të një prokurori për shpallje të moskompetencës dhe pushimit të çështjes.

 

6 komente

  1. Altjer xhaferi 27 Gusht, 2019 në 8:36 pm

    Ajo dosje ka materjale per bandat e droges dhe nga kjo doli dhe vjedhja e zgjedhjeve. Si nuk qenka kopetence e krimeve te tende. Rama nuk iken se eshte peng I disa dosjeve po nuk mbylli ato nuk iken dhe po nuk vodhi 30% e fundit te buxhetit te shtetit. Se ky e ka cuar Kafen e vet nga 10% qe mernin te gjithe ne 30% se eshte i babezitur dhe 30% I Marin pjesa tjeter ngelet 40% I cdo fondi investimesh nga te cilat 40% I do firma fitime dhe fondi ose kosto reale e punimeve pa fitimin dhe rryshfetet eshte 26% e vleres se fondit te prokuruar. E ballafaqoj kete me ke te doni se e dine dhe guret qe Rama mer personalisht 30% per kete Jane te mbrojtur te gjithe se nga momenti qe shefi eshte ok nuk te prek kush.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme