Komisioneri Publik kërkon shkarkimin e prokurores Kajana, kandidate për SPAK

Komisioneri Publik kërkon shkarkimin e prokurores Kajana, kandidate për SPAK

Komisioneri Publik (KP) kërkoi sot shkarkimin nga detyra të prokurores Manjola Kajana, kandidate për Prokurorinë e Posaçme SPAK.

KP apeloi në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit vendimin e KPK-së për të konfirmuar në detyrë Manjola Kajanin. Komisioneri Publik pretendon se në fazën e parë të vetingut nuk është bërë hetim i plotë për pasurinë e prokurores.

Më saktësisht, KP dyshon për mundësitë e prokurorës për të kursyer mjaftueshëm nga rroga e saj gjatë viteve, sa për të blerë një apartament me sipërfaqe 110 metër katrorë në Tiranë, me vlerë rreth 43 mijë euro.

Po ashtu, prokurorja ka deklaruar se për blerjen e këtij apartamenti ka përdorur dhe të ardhurat e bashkëshortit nga punë në një kompani private në vitet 2013-2014. Por nga dokumentet pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore rezulton se bashkëshorti i prokurores nuk ka paguar sigurime dhe taksa për periudhën dhjetor 2012 – maj2015.

Për këtë arsye, Komisioneri Publik kërkoi nga KPA që të mos i llogarisë këto të ardhura si të ardhura të ligjshme.

Manjola Kajana u konfirmua në detyrë më 18 qershor, nga trupa e KPK-së e përbërë nga Olsi Komici, Brunilda Bekteshi dhe Lulzim Hamitaj.

Ajo ka nisur karrierën në vitin 2008 në Prokurorinë e Tiranës. Më pas ka punuar në Prokurorinë e Fierit dhe që prej qershorit 2014 punon pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë e renditi Manjola Kajanën të tetën në listën me 15 kandidatë për në SPAK.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme