Lini—mrekullia natyrore e mbrojtur nga UNESCO, e braktisur mes plehrave nga qeveria

Nga Erblin Vukaj
Lini—mrekullia natyrore e mbrojtur nga UNESCO, e braktisur mes plehrave nga qeveria

Fshati turistik i Linit, buzë Liqenit të Pogradecit, është praktikisht i mbuluar në plehra. Edhe pse Lini është përfshirë në listën e zonave të mbrojtura nga UNESCO, ai është lënë pa shërbimet bazë urbane.

Qindra shtëpi, dhjetëra bujtina e restorante të zonës lihen dhjetëra ditë pa shërbimin e mbledhjes së plehrave, të cilat qëndrojnë pirg anash rrugëve të fshatit.

Gjendja është alarmante veçanërisht gjatë sezonit turistikt të verës. Në të shkuarën plehrat largoheshin të paktën një herë në javë, por në muajin gusht punonjësit e Bashkisë Pogradec kanë vonuar me 10 deri në 15 ditë.

Exit/Plehrat në hyrje të fshatit dhe në shtegun për në kampin Erlin, Pogradec, gusht 2019.

Banorët, por edhe turistët janë shqetësuar nga fakti se qeset e mbeturinave qëndrojnë rrugicave të fshatit, apo anës shtëpive me ditë të tëra.

Pamja aspak e hijshme fillon që në hyrje të fshatit. Ajo ndeshet në rrugicat e saj dhe në shtigjet e promovuara për ecje në fushën e Stalecit drejt kampit Erlin apo dhe mbi kodër.

Në fillim të korrikut Organizata për Edukim, Shkencë dhe Kulturë e Kombeve të Bashkuara (UNESCO) zgjeroi territorin e mbrojtur të liqenit të Ohrit në Mqedoninë e Veriut duke përfshirë edhe gadishullin e Linit nga Shqipëria.

Për vlerat natyrore dhe kulturore të saj, ana verio-maqedone e liqenit – Liqeni i Ohrit – është përfshirë që në vitin 1979 në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s. Ndërsa për Liqenin e Pogradecit, problematika e ndotjes dhe zhvillimit të paplanifikuar urban kanë ndikuar që të mos merret parasysh me të njëjtin vlerësim.

Exit/Pamje nga liqeni i fshatit Lin, Pogradec, gusht 2019.

Sidoqoftë Lini, ka bërë dallim për faktin se ka vlera të rralla kulturore. Në gadishull gjenden themelet dhe mozaikët e një bazilike paleokristiane të shekullit të VI-të. Gjithashtu në brigjet e liqenit aty ka dëshmi të banesave të hershme parahistorike.

Për këto arsye Lini u fut në UNESCO si pjesë e Liqenit të Ohrit. Por megjithëse ka marrë këtë vlerësim, Bashkia e Pogradecit nuk ka reflektuar një kujdes më të madh për këtë zonë.

Një muaj më parë Kryeministri Rama përuroi një bujtinë në Lin duke reklamuar më tej projektin e 100 fshatrave dhe sidomos kryetarin e ri të Bashkisë, Ilir Xhakollin, i dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit si kandidat i vetëm për Pogradecit.

Kryeminstri tha:

Ne do bëjmë disa ndërhyrje për ta kthyer këtë fshat në një model të suksesshëm transformimi në këto vite që nis mandati i ri me kryetarin e ri të bashkisë. Unë besoj që këtu kemi një aleat shumë të madh që është natyra e mrekullueshme dhe trashëgimia e pasur dhe na duhet të bashkojmë forcat. Nga një drejtim ju për të bërë më shumë bujtina dhe nga ana tjetër ne me mbështetjen financiare.

Exit/Plehrat e pa-larguara në rrugicat e fshatit Lin, Pogradec, gusht 2019.

Ndryshimi i premtuar nga Kryeministri mund të fillonte që me administrimin e shërbimit të mbledhjes së plehrave, por në një muaj nuk ka ndryshuar asgjë, përkundrazi.

Exit/Plehrat e pa-larguara në rrugicat e fshatit Lin, Pogradec, gusht 2019.
Exit/Plehrat e pa-larguara në rrugicat e fshatit Lin, Pogradec, gusht 2019.
Exit/Plehrat e pa-larguara në rrugicat e fshatit Lin, Pogradec, gusht 2019.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme