Lleshaj: Hetimet ndaj ish-kryeprokurorit Llalla përmbushin kushtet për negociatat

Lleshaj: Hetimet ndaj ish-kryeprokurorit Llalla përmbushin kushtet për negociatat

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka përdorur politikisht rastin e hetimit të ish-Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla për të thënë se qeveria i ka plotësuar kushtet për të merituar hapjen e negociatave për anëtarvsimin në Bashkimin Evropian.

Këtë gjë Lleshaj e tha sot në Bashkinë Pustec ku u takua me homologun e tij nga Maqedonia e Veriut, Oliver Spasovski. Pas takimit ai u përgjigj për mediat duke treguar për diskutimet që kishte patur me Spasovskin.

Ministri i Brendshëm tha kishte diskutuar me homologun e tij verio-maqedonas për rritjen e bashkëpunimit, lehtësimin e lëvizjes së lirë dhe mbështetjen e Bashkisë Pustec, e cila ka një popullsi të madhe të minoritetit maqedonas në Shqipëri.

Mirëpo pyetjeve rreth çështjes së hapjes së negociatave dhe faktit se Maqedonia e Veriut ka bërë hapa më përpara në luftën ndaj korrupsionit duke arrestuar edhe Prokuroren Speciale Katica Janeva, Lleshaj i është përgjigjur se qeveria i ka përmbushur të gjitha kushtet.

Madje për të bërë krahasim, Lleshaj ka përmendur rastin e ish-Kryeprokurorit Adriatik Llalla.

Detyrat e vendit sa i takon negociatave i kemi përmbushur më së miri. Nuk ka ende një datë për çeljen e negociatave për të dy vendet. Vendimi pritet të merret në mes të tetorit. Meqenëse shkuat direkt tek prokurorja, sa di unë edhe këtu është në ndjekje penale  ish-prokurori i përgjithshëm.

Ish-kryeprokurori Adriatik Llalla hetohet për fshehje pasurie, shpërdorim detyre dhe pastrim parash. Hetimet ndaj tij nisën në mars të vitit 2018 dhe u zgjatën vazhdimisht.

Në mars të vitit 2019 Prokuroria e Krimeve të Rënda vendosi t’i zgjaste edhe me tre muaj hetimet ndaj Llallës, por pavarësisht se jemi në fund të muajit gusht ende nuk dihet nëse kanë përfunduar ose jo hetimet.

Ndërkohë Prokurorja Speciale në Maqedoninë e Veriut, Katica Janeva, u arrestua një javë më parë pas skandalit të njohur si zhvatja.

Dy persona i morën mbi 1 milionë euro një biznesmeni duke pretenduar se përmes kontakteve me Janevën do t’i lehtësonin atij dënimin.

Qeveria pret hapjen e negociatave në tetor, megjithëse kjo gjë ka pak gjasa të ndodhë, për shkak të shkeljes së vazhdueshme të ligjit dhe Kushtetutës, mungesës së rezultateve në luftën ndaj korrupsionit dhe krizës së rëndë politike.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme