Merkel: Evropa e bashkuar vetëm kur të anëtarësohen vendet e Ballkanit Perëndimor

Merkel: Evropa e bashkuar vetëm kur të anëtarësohen vendet e Ballkanit Perëndimor

Kancelarja gjermane Angela Merkel tha dje se Evropa do të jetë vërtet e bashkuar kur edhe vendet e Ballkanit Evropian të anëtarësohen në Bashkimin Evropian.

Deklarata e Merkelit shpreh angazhimin e saj pro zgjerimit të BE-së, ndërkohë që ky qëndrim nuk ka mbështetje shumë të gjerë nga disa qeveri dhe votues në vende të Evropës Perëndimore. Presidenti francez Emanuel Makron ka shprehur një qëndrim dyshues ndaj zgjerimit të BE-së gjatë viteve të ardhshme.

Merkeli e bëri deklaratën për nevojën për angazhim në zgjermin e BE-së gjatë një takimi në Hungari, në përkujtim të 30-vjetorit të “Piknikut Pan-Evropian”.

Më 19 gusht 1989, mijëra hungarezë dhe austriakë u takuan në një protestë në formë pikniku në kufirin midis dy shteteve, disa muaj përpara rënies së Murit të Berlinit. Autoritetet e të dyja vendeve ranë dakord ta hapnin kufirin përgjatë disa kilometrave për disa orë. Rasti u shfrytëzua edhe nga shumë gjermanolindorë, të cilët kaluan kufirin drejt Austrisë dhe më pas drejt Gjermanisë perëndimore.

Në kujtim të kësaj dite, kur evropianët e të dy krahëve – të vendeve demokratike dhe komuniste – u bënë simbolikisht bashkë, Merkel u shpreh se ideja e Bashkimit Evropian do të përmbushet kur vendet e Ballkanit Perëndimor të jenë anëtarë të unionit.

“Po ta shohësh gjeotrategjikisht çështjen, dhe po të shohësh hartën, atëherë [e kupton se] Evropa do të jetë vërtet e bashkuar vetëm me shtetet e Ballkanit Perëndimor”, tha Merkeli.

Ndër gjashtë vendet që nuk janë ende anëtarë të BE-së, Serbia, Mali i Zi, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë kandidate për t’u anëtarësuar. Kosova dhe Bosnja janë kandidate të mundshme.

Ndërkohë që Serbia dhe Mali i Zi i kanë hapur negociatat me BE-në dhe kanë përparuar në to, në qershor vendimi për hapjen e tyre për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut u shty për në muajin tetor, pavarësisht pretendimeve të vazhdueshme të Kryeministrit Rama se Shqipëria i ka përmbushur kushtet. Franca dhe Holanda qenë veçanërisht kundër hapjes së negociatave me Shqipërinë, por edhe sinjalet nga Parlamenti i Gjermanisë nuk janë optimiste.

Sipas analizave, por edhe sipas deklarataveKryeministrit Rama dhe të drejtuesve të Maqedonisë së Veriut, ka një shqetësim në BE nëse mund të merren vendime të ndryshme për hapjen e negociatave me secilin prej këtyre dy vendeve.

Ndërkohë që fqinjët e Shqipërisë e përmbushën kushtin e vënë nga Greqia për ndryshimin e kushtetutës dhe të emrit të republikës, në Shqipëri kriza politike veçse është thelluar.

Lidhjet e Partisë Socialiste dhe të qeverisë Rama me krimin, të mbështetura nga përgjimet për vjedhjen e organizuar të votave, zhbërja e sistemit të drejtëisë në vend, shkalla e lartë e korrupsionit në qeverinë shqiptare, si dhe votimet njëpartiake të 30 qershorit, në dhunim të dekreteve të presidentit, pritet të kenë ndikim në vendimin e Këshillit Evropian për hapjen ose jo të negociatave me Shqipërinë.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme